Mungesa e parave, bien importet
Rënie të ndjeshme ka pësuar importi i mallrave me akcizë, rreth 19.4 %. Ngushtohet deficiti tregtar
INSTAT raporton se niveli i importeve gjatë muajit tetor është ulur me 8 %. Janë rreth 5.1 mld lekë më pak se tetori 2008
TIRANË- Niveli i importit të mallrave është ulur në mënyrë të ndjeshme gjatë muajit tetor të këtij viti duke pasqyruar mungesë të kërkesës për të blerë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, importet gjatë muajit tetor janë ulur me rreth tetë për qind në krahasim me muajin paraardhës dhe rreth 12 për qind në raport me të njejtën përiudhë të një viti më parë.
Kështu, në tetor janë importuar rreth 37.4 miliardë lekë mallra në krahasim me 40.6 miliardë në muajin shtator. Janë rreth 3.2 miliardë lekë më pak importe gjatë tetorit 2009 në krahasim me shtatorin, dhe 5.1 miliardë më pak se e njejta periudhë e vitit të shkuar.
Për sa i përket eksporteve, ato kanë qënë në nivelin e 9.6 miliardë lekëve duke shënuar një rritje me 1 për qind në krahasim me muajin paraardhës dhe me të njëjten periudhë të vitit të shkuar. Gjatë muajit shtator janë eksportuar rreth 9.5 miliardë lekë mallra njëlloj si edhe në tetor të vitit të shkuar.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, vërehet një zvogëlim i ndjeshëm i deficitit tregtar të vendit. Sipas INSTAT-it për muajin tetor 2009 deficiti tregtar ishte në shifrat e 27.8 miliardë lekëve duke shënuar një ulje me rreth 11 për qind në krahasim me muajin paraardhës dhe 15.8 për qind në raport me të njejtën periudhë të vitit të shkuar.
Por më shumë se nga rritja me 1 për qind e eksporteve, deficiti tregtar është zvogëluar për shkak të uljes së ndjeshme të importit të mallrave duke pasqyruar një ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike të vendit.
Për t'u theksuar është rënia e ndjeshme që kanë pësuar importet e mallrave me akcizë duke ndikur edhe në realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave nga doganat. Vlera e importit të mallrave me akcizë për muajin tetor 2009 sipas INSTAT-it ishte 3.9 miliardë lekë, duke pësuar një rënie me 19.4 për qind krahasuar me muajin shtator.
Peshën më të madhe të importit të këtyre mallrave e përbëjnë nënproduktet e naftës me rreth 53 për qind të totalit. Mallrat me akcizë zenë 10.5 për qind të totalit të importeve shqiptare
Treguesit aktualë mbi uljen e nivelit të importeve nuk ishin surprizë. Sipas një publikimi të një jave më parë të INSTAT-it, tregtia me pakicë gjatë muajit shator 2009 kishte pësuar një ulje me 2.9 për qind duke paralajmëruar atë çka do të ndodhte edhe në muajin pasardhës.
Për shkak të uljes së tregtisë me pakicë, numri i të punësuarve gjatë këtij muaji pësoi një ulje me 3.4 për qind. Pjesa më e madhe e dyqaneve, përveç farmacive dhe atyre të kozmetikës, kanë raportuar rënie të shitjeve duke sjellë edhe shkurtime të vendeve të punës.
Si gjithnjë në periudha të vështira financiare ato që preken të parat janë mallrat e luksit. Sipas raportit të INSTAT-it gjatë muajit shtator shitja e këtyre mallrave pësoi një rënie të konsiderueshme. Por rënia më e theksuar është shënuar në shitjet e veshjeve dhe këpucëve, 7.7 për qind, si dhe shitjeve me pakicë të karburanteve me 9.8 për qind.