E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet ekstradimi i Ilir Kumbaros

Rrëmbimi i Remzi Hoxhës

Vendimi i arrestit i vitit 2003 dhe i freskuar nga krimet e rënda, u cilësua si i pavlefshëm. Pritet kërkesa për lirimin e të akuzuarit në Angli

Gjykata e Lartë shuajti dje masën e arrestit ndaj ish- shikasit, e marrë në vitin 2003, në Shkallën e Parë të kryeqytetit


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, shuajti masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2003 ndaj ish-drejtuesit të SHIK-ut në kryeqytet të pandehurit Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit, dhe Avdyl Loshajt.


Ky vendim u dha dje pasdite nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Andi Çeliku, që pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtësve ligjorë të të pandehurit Kumbaro, duke shfuqizuar vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.


"Vendimi i datës 18 shkurt 2003 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me të cilin është caktuar masa shtrënguese e sigurimit "Arrest në burg" për të pandehurin Ilir Kumbaro, që është shpallur në kërkim ndërkombëtar ka patur fuqi ekzekutuese deri në datën 1 korrik 2004, datë në te cilën është vendosur pushimi i akuzave për të pandehurit Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro".


Në këtë mënyrë, duket se Gjykata e Lartë ka "minuar" përpjekjet e Prokurorisë për të sjellë në Shqipëri një nga të pandehurit që ndodhet aktualisht jashtë vendit dhe që ishte në proces ekstradimi.


Në vendimin e pushimit të akuzës përcaktohen qartësisht se pushimi i saj për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe të "torturës", bëhet për shkak të ligjit "Për Amnistinë" i vitit 1997, miratuar nga ish- Presidenti Berisha.


Pushimi i akuzës për veprën penale "Torturës me pasoja të rënda", është bërë pasi akuza, nuk ka mundur të provojë se vepra penale është kryer nga të pandehurit.


Në këtë rast, bazuar në nenin 261 të Kodit të Procedurës Penale, masa e sigurimit shuhet kur për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person është vendosur pushimi i çështjes ose është dhënë vendimi i pafajësisë.


Prandaj dhe masa e sigurimit të caktuar ndaj të pandehurit Kumbaro është shuar, d.m.th. ka humbur fuqi me 1 korrik 2004, kur është dhënë vendimi i pushimit të procedimit të filluar me iniciativën e Avokatit të Popullit"-thuhet në arsyetimin e vendimit të djeshëm. Ky vendim i Gjykatës së Lartë, i është dërguar autoriteteve angleze në bazë të të cilit Gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë vendimin pro ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.


Pas këtij vendimi, mbrojtësit e Kumbaros kanë apeluar vendimin në Shkallën e dytë të gjyqësorit, ku edhe pas tri seancave gjyqësore nuk është arritur të zhvillohet me kërkesë të avokatëve mbrojtës.


Pas vendimit të djeshëm, avokati i të pandehurit Kumbaro, Bledar Fejzo, tha se "me shuarjen e masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë, automatikisht kërkesa për ekstradimin e klientit tonë është e pavlefshme.


Mbi bazën e kësaj mase, shteti shqiptar i ka kërkuar autoriteteve angleze ekstradimin e tij"-tha mbrojtësi. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit, masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë në shkurt të 2003 në mungesë ndaj Kumbaros, e ka lënë në fuqi, duke rrëzuar këto pretendime të mbrojtjes, të cilat i pranoi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.


Të pandehurit
Akuza për rrëmbim dhe keqtrajtim personash


Ish- funksionari i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, në bashkëpunim me të pandehurit Arben Sefgjini e Avni Koldashi, kanë rrëmbyer dhe torturuar Ziso Kristopullin, Avdyl Loshajn dhe Remzi Hoxhën.


Ky i fundit edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur dhe mendohet se ka vdekur. Procesi gjyqësor ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut vazhdon në Gjykatën për Krime të Rënda dhe ndodhet në fazën e provave të akuzës, ndërsa pyeten dëshmitarët e saj. Një seancë e tillë gjyqësore ishte parashikuar dje, por nuk është zhvilluar për mungesë të prokurorit të çështjes Xhevat Hana, për probleme familjare të tij.


Amnesty International, gjeni trupin kthejani familjes


Amnesty International, organizata më e madhe e të drejtave të njeriut në botë si dhe simotra të tjera të saj, kanë kërkuar në mënyrë të herë pas hershme një gjykim e paanshëm dhe dënimin e autorëve të zhdukjes së trupit të Remzi Hoxhës, biznesmenit kosovar të zhdukur në Shqipëri, që prej vitit 1995.


Madje në mënyrë energjike kjo organizatë ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të angazhohen seriozisht për gjetjen e trupit të të zhdukurit dhe kthimin e tij familjes dhe të afërmëve. Duket se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë shkon në kondrapedal me kërkesat e herë pas hershme të organizatave të të drejtave të njeriut.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›