E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. Berisha: Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbetet objektivi parësor për politikën tonë të jashtme të sigurisë

- Fjala e Kryeministri Sali Berisha në tryezën për çëshjet e sigurisë, mbajtur të hënën në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të ish sekretarit amerikan për sigurinë kombëtare, guvernatorin Tom Ridge, si dhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

"I dashur guvernatori Ridge,
Shkëlqesi ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,

Është një nder i madh dhe privilegj t'i drejtohem sot kësaj audience, e mbledhur sot për të diskutuar çështje të një rëndësie parësore siç janë politikat e sigurisë. Për mua dhe për të gjithë të pranishmit është një nder i veçantë të kemi sot këtu mikun tim, ish sekretarin amerikan për çështje të sigurisë, guvernatorin Tom Ridge, për pjesëmarrjen dhe kontributin e tij në këtë tryezë të rrumbullakët. Guvernatori Ridge u thirr nga presidenti Bush pas ngjarjeve që tronditën SHBA-në dhe botën, goditjes së kullave binjake dhe me departamentin e dekretuar nga presidenti të sigurimit të vendit, guvernatori Ridge dha një kontribut të jashtëzakonshëm përkrah presidentit për t'i bërë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurtë. Guvernatori Ridge mirëserdhët në Shqipëri.Do të desha me këtë rast të falenderoja Shtetet e Bashkuara për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në rrugën e saj të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Ndryshimet e mëdha që kaloi planeti në fillim të viteve '90 u shoqëruan me daljen në pah të rreziqeve të reja për sigurinë lokale dhe globale. Terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar, trafiqet, dobësimi i strukturave shtetëtore, korrupsioni i lartë dhe rreziku me arsenalet e vjetra të armëve të kohës së luftës së ftohtë, armët kimike dhe armët e tjera janë disa nga rreziqet me të cilat përballen sot vendet, përballet Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit e më gjërë. Unë jam i bindur se vetëm një angazhim i plotë dhe vendosmëri e patundur nga ana jonë, por të njëjtën kohë duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtar, SHBA-në, NATO-n, BE-në do të mund t'i përballojmë me sukses këto rreziqe. Për këto arsye perspektiva e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE është dhe mbetet ylli polar, objektivi parësor për politikën tonë të jashtme të sigurisë. Ne besojmë se anëtarësimi në NATO është e ardhmja më e sigurtë e vendit tonë. Ky bashkëpunim nënkupton pikë së pari që të marrim të gjitha përgjegjësitë që ne na takojnë, të realizojmë detyrimet tona të sigurisë individuale dhe kolektive. Për ne kjo do të thotë, së pari e para së gjithash, të vendosim sa më shpejt rregull në shtëpinë tonë. Pra, pyetja nuk shtrohet vetëm si do të na ndihmojë ne NATO-ja dhe BE-ja. NATO-ja i ka dorëzuar Shqipërisë Membership Action Plan (Plani i veprimit për anëtarësim), e cila përbën një hartë rruge të vërtetë të anëtarësimit të saj në këtë organizatë të sigurisë së botës së lirë.

Qeveria që unë drejtoj ju ka premtuar shqiptarëve se do të shkatërrojë sistemin e korrupsionit, do të luftojë me tolerancë zero krimin e organizuar, do t'i presë rrugën drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, do të nxjerrë vendin nga informaliteti, ekstralegaliteti dhe sundimi i monopoleve, do të konsolidojë shtetin ligjor dhe demokracinë dhe, në këtë mënyrë, ne besojmë se rruga me të cilën ne, duke reformuar dhe forcat tona të armatosura, ecim drejt NATO-s, në këto standarte ne ecim drejt BE-së. Unë besoj se realizimi i këtyre objektivave është jetik jo vetëm sepse përbën kusht themelor për sigurinë e vendit, por në të njëjtën kohë do të krijojë terrenin e favorshëm për të lulëzuar kapacitetet e mëdha njerëzore e materiale, duke rritur kështu mirëqenien, cilësinë e jetës të qytetarëve shqiptarë.

Le t'u kthehemi për një moment fakteve. Gjatë këtyre viteve të fundit krimi i organizuar në Shqipëri është fuqizuar, pasuruar dhe është mbështetur nga lobe dhe klane të caktuara politike. Objektivi ynë i parë me ardhmjen në pushtet ishte prerja e lidhjeve të krimit të organizuar me politikën. Si rezultat i kësaj, vetëm brenda 6 mujorit të parë janë arritur të kapen e të sillen para drejtësisë anëtarët e disa organizatave nga më të fuqishmet në botën e krimit. Trafiqet e drogës dhe qenieve njerëzore përbëjnë një problem madhor për Shqipërinë. Në këto 6 muaj ato kanë marrë përgjigjen më të fortë më të merituar se ndonjëherë më parë.Çdo ditë e më shumë rritet bashkëpunimi ynë me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve të rajonit, çdo ditë e më shumë ngushtohet hapësira për trafikantët e qenieve njerëzore dhe trafikantët e drogës në Shqipëri. Toleranca jonë do të jetë zero ndaj tyre, ne jemi të vendosur ta nxjerrim Shqipërinë nga harta e rrugëve të drogës drejt perëndimit.

Lufta kundër terrorrizmit ndërkombëtar është gjithashtu një element thelbësor, jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurimin lokal dhe më gjërë. Ky shekull nisi duke patur si armik kryesor të paqes, lirisë e stabilitetit pikërisht terrorizmin ndërkombëtar. Megjithëse një vend i vogël me burime të kufizuara, Shqipëria ka pas punuar ngushtë me komunitetet inteligjente të vendeve mike fqinj për të kontribuar në këtë luftë të rëndësishme dhe ajo ka dhënë e do të japë pa lëkunduje të gjithë kontributin e mundshëm, në mënyrë që Shqiperi dhe rajoni të jenë më të sigurta. Shqipëria merr pjesë, në këtë kontekst, në të gjitha misionet e NATO-s në Afganistan, në koalicionin e vullnetit të lirë në Irak, në Bosnje dhe ajo është e vendosur, me kontributin e saj modest, të shpaloset në të gjitha frontet kundër terrorrizmit ndërkombëtar si armik i egër të njerëzit. Korrupsioni, konflikti i interesit, abuzimet në administratën publike erodojnë dhe dobësojnë strukturat e shtetit. Eleminimi i këtyre fenomeve dhe rikthimi i shtetit lihgjor mbetet një nga përparësitë kryesore të qeverisë që unë drejtoj. Në muajt e parë ne arritën të ndërtojmë një administratë jashtë konfliktit të interesit, të eleminojmë korrupsionin në dogana e tatime duke rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, të shkurtojmë shpenzimet abuzive në administratë dhe ta sjellim atë në proporcion me standartet e vendeve perëndimore. Duke filluar këtë betejë nga zyra e kryeministrit ne arritëm të zbatojmë me sukses programin e përcaktuar në këtë drejtim. Sot në mbarë vendin ligji mbizotërohet, sensi i ligjit është në rritje e zhvillim.

Qëllimi ynë është të kthejmë besimin e shqiptarëve tek shteti i tyre, respektin tek ligjet e tyre, të cilat janë ligje demokratike, ligje të standarteve europiane, ligje që garantojnë plotësisht liritë e të drejtat e tyre. Sfida jonë më e madhe është po ashtu dhe rezistenca qoftë nga grupet kriminale, qoftë si pasojë e fenomenit ‘state capture'. Nuk mund të mohohet se ‘state capture', sipas raporteve ndërkombëtare, mori një zhvillim dramatik në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Vendosmëria jonë është që shtetin ta çlirojmë nga kapja. Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë progres real drejt BE-së dhe NATO-s, nuk mund të jetë një vend i sigurtë në rast se strukturat e shtetit të saj kontrollohen nga krimi. Në këtë kontekst dua të siguroj të pranishmit dhe shqiptarët se mbetem tërësisht i vendosur për të vepruar me forcën e ligjit ndaj çdo kapje të segmenteve shtetërore nga krimi i organizuar.

Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për të reformuar forcat tona të armatosura dhe përshtatur ato me standartet e NATO-s. Në këtë kontekst, hapa të rëndësishëm janë arritur gjatë këtij viti. Përveç manovrave dhe bashkëpunimit të ngushtë me vendet partnere dhe anëtare të NATO-s, kemi ndërmarrë reforma serioze në ushtri, eleminuar komponentin rezervist, hequr detyrimin për studentët, reduktuar shpenzimet e tepërta përmes eleminimit të avionëve të vjetër Mig, krijimin e një brigade të dislokueshme, rritjen e numrit të ushtarëve profesionistë, krijimin e një force të re nënoficerësh profesionistë, rritja e buxhetit të forcave të armatosura në vitin 2006 me 0.1% të GDP-së dhe parashikimi deri në vitin 2008 të plotësojmë kriterin 2% rë GDP-së, siç janë kërkesat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Zonja dhe zotërinj,

Do të desha me këtë rast të them dy fjalë përsa i përket sigurisë në rajonin tonë të Europës Juglindore. Megjithë progresin e madh që rajoni ka bërë vitet e fundit, frymën e bashkëpunimit që ekziston midis vendeve të rajonit, përpjekjet e tyre për një integrim gjithnjë në rritje të ekonimive të tyre, bashkërendimit të përpjekjve të tjera, siç është rasti i Kartës së Adriatikut 3, midis Kracisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë për t'u anëtarësuar në NATO. Sërish mbeten probleme madhore për t'u zgjidhur, ndër të cilat do të citoja statusin final të Kosovës dhe çështjen e referendumit të Malit të Zi. Shqipëria ka mbajtur dhe mban një qendrim realist për zgjidhjen e çështjes së statusit final të Kosovës. Unë mendoj se statusi final i Kosovës duhet të garantojë respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve dhe minoriteteve të tjera në Kosovë, kthimin e të shpërngulurve, zbatimin efektiv të decentralizimit të bazuar në Kartën Europiane të Autonomisë Lokale e Rajonale, një dialog konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit, do të hapnin një kapitull të ri bashkëpunimi midis këtyre dy vendeve dhe padiskutim respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësi. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht misionin e presidentit Ahtisari, përshëndet takimin e Vjenës si dhe platformën realiste që shqiptarët paraqitën në këtë takim për problemet e decentralizimit. Jam plotësisht i bindur se udhëheqja politike e Kosovës është shumë serioze, e vendosur dhe e përkushtuar në angazhimet e saj për ta shndërruar Kosovën në një shtet të qytetarëve të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, në një shtet ku respektohen plotësisht liritë dhe të drejtat e serbëve, romëve dhe minoriteteve të tjera. Platforma, që ajo ka përgatitur, qendrimi i saj hapur me dialog me Beogradin janë premisa serioze për realizimin e qëllimit të tyre. Unë mendoj se pavarësia e Kosovës do të shërbejë si një faktor madhor stabilitieti për vetë Kosovën në radhë të parë, e cila ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për investime, për progres në mënyrë që të ketë stabilitet e paqe për qytetarët e saj brenda vendit. Por kjo pavarësi është e rëndësishme për forcimin e stabilitetit në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, për faktin se jep përgjigje përfundimtare fluiditetit të faktorit shqiptar në Ballkan. Gjithashtu unë mendoj se pavarësia e Kosovës do të shërbejë për forcimin dhe stabilitetin e Serbisë dhe Malit të Zi, kjo sepse do të ndihmojë Serbinë të shkëputet nga e shkuara e saj dhe sëbashku me kombet e vendet e tjera të shohë të ardhmen në BE dhe NATO. Pavarësia e Kosovës do t'i japë një ndihmë të madhe Serbisë për demiliritazimin e saj si një kusht që forcat demokratike të marrin gjithnjë e më shumë mundësi dhe hapësirë për të drejtuar vendin e tyre drejt institucioneve euroatlantike. Unë kam bindjen se referendumi i Malit të Zi është një e drejtë legjitime kushtetuese e qytetarëve të këtij vendi. Në këtë kontekst rëndësi, mendoj, ka zhvillimi i tij në përputhje me standartet ndërkombëtare të proceseve elektorale të lira e të ndershme. Cilido që të jetë rezultati i këtij referendumi është e sigurtë se zhvillimi i tij e bën rajonin më stabël më të qetë.

Janë pikërisht këto arsye, që unë theksova, pse Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe vende të tjera ndajnë pikëpamje të njëjta për zhvillimet në rajon. Unë pata kënaqësinë të konstatoj, në takimin e Durrësit me kryeministrin e Kroacisë dhe kryeministrin e Maqedonisë, se vendet tona janë të vendosura të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të eksportuar stabilitet në rajon dhe në mënyrë proaktive për të kontribuar në paqen, sigurinë rajonale dhe më gjërë.
Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›