E Diel, 1 Nëntor 2026

Z. Berisha: Qeveria shqiptare, e angazhuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj dhe për të eksportuar siguri në rajon

- Z. Ridge: Shqipëria është një vend i vogël, por me një kontribut të madh

Në përfundim të tryezës për çështjet e sigurisë, Kryeministri Berisha dhe ish sekretari amerikan për çështjet e sigurisë, guvernatori Tom Ridge dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës deklaruan:

Z. Berisha:Çështjet e sigurisë janë çështjet e para për çdo komb dhe komunitetin e kombeve në tërësi. Qeveria shqiptare është e angazhuar, duke i konsideruar këto probleme si problemet më prioritare, të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj, për të eksportuar siguri në rajon dhe në botë. Pikërisht, në këtë kontekst, kemi të ftuar sot këtu guvernatorin Tom Ridge, i cili është ish-sekretari i departamentit të sigurimit të vendit i krijuar nga presidenti Bush pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Ju e dini që qeveria është e angazhuar në një betejë të pandërprerë me "zero tolerancë" kundër krimit të organizuar. Është e angazhuar, me një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, në luftën kundër terrorizmit, e angazhuar në luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, ndihma dhe eksperienca shumë e çmuar e guvernatorit Ridge, ekpertiza e shkëlqyer e tij dhe e departamentit që ka drejtuar, mbështetja e qeverisë se Shteteve të Bashkuara janë të një rëndësie shumë të madhe për ne. Ne kemi vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin në të gjitha problemet e sigurisë. Me guvernatorin Ridge, ne jemi të bindur se në këtë mënyre ne ecim të sigurt drejt NATO-s dhe BE-së. Edhe një herë dua të falenderoj guvernatorin për pranimin e ftesës, ta falenderoj shumë përzemërsisht për dëshirën e tij për të ndihmuar Shqipërinë në këto probleme, që janë çështje të para për çdo vend dhe komb.

Z. Ridge: Z. Kryeministër, së pari dua t'ju shpreh falenderimet e mia për ftesën për tu takuar dhe për të kaluar disa ditë me ju, duke diskutuar çështje të një rëndësie të madhe. Mbi të gjitha do të doja të shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e mia për qeverinë tuaj për ndihmën dhe kontributin e dhënë në përpjekjet tona të përbashkëta dhe popullin tuaj për pjesmarrjen në aleancën kundër terrorizmit. E di që Shqipëria është një vend i vogël, por ju keni dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim. Gjithashtu vlerësoj ftesën për të bashkëpunuar dhe diskutuar me ju çështje të rëndësishme që lidhen me integrimin në NATO dhe BE. Siç ma keni përmendur këto dy ditë që kemi qenë sëbashku, ju keni disa fusha ku luftoni siç është krimi i organizuar, korrupsioni dhe lufta kundër terrorizmit. Ju ma keni bërë shumë të qartë gjatë bisedimeve se jeni të vendosur për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ju gjithashtu përmendet se mbështetja në luftën kundër terrorizmit në të gjitha vendet e botës, por në mënyrë të veçantë mbështetje ndaj SHBA-së, për qeverinë tuaj ngelet një prioritet i lartë. Siç e përmendët dhe në takimin me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s, por dhe të rajonit ju, përmendët se mbeteni të vendosur për t'i zgjedhur këto çështje në administratën tuaj. E them me kënaqësi që mezi pres të punojmë sëbashku për t'i arritur këto qëllime. Ju falenderoj dhe një herë për ftesën që më bëtë, për mikëpritjen e madhe dhe kohën që më kushtuat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›