E Diel, 1 Nëntor 2026

Z. Berisha: Synimi ynë që zëri i parë në buxhetin e Shqipërisë të jetë arsimi, të rinjtë dhe shkollat

- Me rastin e 7 marsit, kryeministri Berisha u takua me një grup nxënësish e mësuesish, gjatë së cilës u shpreh:

"Sot është një ditë e shënuar për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe familjet shqiptare. Ndaj sëbashku me ju dua t'u uroj mësuesve këtu dhe të gjithë mësuesve të Shqipërisë gëzuar këtë ditë dhe të shprehim sëbashku nderimin, mirënjohjen ndaj tyre, si misionarë të vërtetë të dijes, të formimit qytetar dhe demokratik të të rinjve shqiptarë. Shfrytëzoj këtë rast gjithashtu për të uruar të gjitha gratë e Shqipërisë për festën e tyre nesër. Edhe kjo është dita e nënave, motrave dhe bashkëshortëve tona, është një ditë shumë e shënuar.

Dua t'ju siguroj se arsimimi juaj, modernizimi i sistemit arsimor është një nga angazhimet, një nga linjat më kryesore të programit të qeverisë. Ne nuk pajtohemi dhe nuk do të pajtohemi me gjendjen aktuale të arsimit. Ne e filluam me mësuesit, sepse çfarëdo që të bëjmë, pa ndryshuar jetën e tyre, pa përmirësuar kushtet e punës nuk mund të përmbushin misionin e tyre të madh dhe si një nga hapat më të para ne rritëm rrogat e tyre 20%. Para zgjedhjeve u kam premtuar mësuesve se rrogat e tyre gjatë katër viteve do të dyfishohen dhe ne do t'i dyfishojmë ato. Ky është një zotim i ynë dhe unë i garantoj të gjithë mësuesit e Shqipërisë se këtij zotimi do t'i përmbahemi me seriozitet të plotë.

Problemi i dytë madhor është ai i tejmbushjes së klasave, të cilat janë me 40 deri 50 nxënës. Kjo e bën të vështirë orën e mësimit dhe realisht e dëmton eficencën e saj. Ne do të përqendrojmë të gjitha mundësitë që në qershor e më tej të fillojmë zgjerimin e shkollave ekzistuese dhe ndërtimin e shkollave të reja, në mënyrë që në fund të vitit 2007 të mos ketë klasa me më shumë se 25-30 nxënës. Ju duhet ta dini se prindërit tuaj, familjarët tuaj paguajnë taksa që ju të keni shkolla me ngrohje. Këto fonde i jepen qeverisjes vendore, por dua të theksoj se ai shkak që ju lë ju pa ngrohje qendron në gropat e rrugëve të Tiranës dhe ai shkak është vetëm korrupsioni, sepse nëse qeverisja vendore do të tregohet serioze dhe ne do ofrojmë prerogativa që t'ia imponojë këtë në buxhetin e ardhshëm, që të mos mund ta prekë buxhetin e ngrohjes se asgjë më të papranueshme nuk ka për ju të hyni në klasa të ftohta, imagjino fëmijët e klasës së parë, në një kohë kur absolutisht edhe 58 vite më parë kur kam hyrë në klasë të parë, klasën e kam patur të ngrohtë. Ndërsa sot në Tiranë dhe në qytete të tjera ju mësoni në klasa pa ngrohje. Në mënyrë të domosdoshme do të marrim të gjitha vendimet që askush të mos guxojë të prekë paratë e përcaktuara për ngrohjen e klasave tuaja.

Ne gjithashtu synojmë që ju të përgatiteni me kërkesat e tregut, sepse është shumë e rëndësishme të gjeni punë. Ne hapëm dyert e universiteteve dhe me këtë kemi vepruar shumë drejtë. Secili nga maturantët do të ketë të drejtë të hyjë në universitet. Ky është njëri aspekt, por kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që marrin maturën dëshirojnë të hyjnë në universitet. Edhe në vende të tjera shkon deri në 70-80% mesatarja, ndërsa një pjesë tjetër nuk dëshirojnë ta ndjekin universitetin. Ne do të përpiqemi t'i japim një shtytje të madhe arsimit profesional. Le të funksionojnë gjimnazet, por edhe shkollat profesionale, të ndërtimit, eletromenaxher, turizmit dhe shumë profesioneve të tjera, të cilat për fakultetin e linjës tyë kenë të njëjtën kuotë me gjimnazet. Dmth nxënësi i shkollës së mesme të ndërtimit të ketë njëjtën vlerësim në pikavarazh me atë që mbaron gjimnazin. Zgjerimi i këtij rrjeti të shkollave është shumë i domosdoshëm. Në biseda me shefa katedrash e dekanë të fakultteve, ata shprehen të vetëdijshëm për nevojat e mëdha që ka tregu për këto profesione. Ndaj dhe ne do të bëjmë një orientim të fuqishëm drejt tregut të shkollave tona, do të përpiqemi ta modernizojmë në të gjitha aspektet shkollën.

Ne kemi programuar shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e Shqipërisë brenda vitit 2008. Këtë për t'i dhënë mundësi nxënësve, atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë mundësi, të klikojnë në internet dhe të hyjnë në botën e tij. Fantazia e askujt më shumë sesa e juaja nuk është e afërt me internetin dhe kjo ju ndihmon në shumë aspekte, sikundër ekziston një program i laptop-it, prej 100 dollarë, i Masachuset Technology dhe ne po regjistrohemi në këtë program. Këto laptop-e janë vlerësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm Anan që ka marrë këtë nisëm në mënyrë që të kontribuojë në përhapjen më të madhe të teknologjisë së informacionit, që ne e kemi shumë më të ulët se vendi më i ulët në Europë. Dhe ne do të marrim disa masa të shpejta që të kapërcejmë këtë distancë që kemi me vendet e tjera, do të marrim një sasi të madhe në mënyrë që të mund t'i blejnë masivisht familjet shqiptare për fëmijët e tryre. Kjo përbën një mundësi më të madhe për ta përdorur teknologjinë e informaciuonit nga të rinjtë shqiptarë më masivisht. Ne jemi të vendosur që të krijojmë shkollat e kualifikimit për mësuesit si shumë të rëndësishme, riaftësimit të tyre, të zgjerojmë sektorin privat të arsimit brenda standarteve, duke bërë të gjitha përpjekjet që sektori publik të garantojë një arsimim modern për të gjithë të rinjtë shqiptarë që duan ta ndjekin këtë sektor.

Këto janë linjat më kryesore që ne do të ndjekim gjatë këtyre viteve për shkollimin tuaj. Kemi rritur jo pak buxhetin për arsimin këtë vit, vitin tjetër do ta rrisim dhe më shumë. Synimi ynë është që në vitin 2009 buxheti për ju të dyfishohet. Unë kam bindjen dhe do të përpiqemi që zëri i parë në buxhetin e Shqipërisë të jetë arsimi, të rinjtë dhe shkollat. Ky është investimi më i madhe dhe më i mirë që mund të bëjmë, investim që do të ketë shpërblimin më të madh për shoqërinë dhe veten. Ju jap fjalën se si qeveri jemi shumë të vendosur të procedojmë me reforma, të bëjmë çfarë është e nevojshme për shkolla moderne në Shqipëri".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›