E Diel, 1 Nëntor 2026

Z. Berisha: Zhvillimet politike në Kosovë, zhvillime tipike të një vendi demokratik

Kryeministri Berisha përshëndet zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke i konsideruar ato zhvillime tipike të një vendi demokratik. Duke folur të dielën për gazetarët, z. Berisha u shpreh se në Kosovë, pasi personaliteti kryesor politik, Presidenti Rugova u nda nga jeta, kjo imponoi një rikompozim të lidershipit politik atje. "Ky rikompozim, - tha z. Berisha, - po zhvillohet brenda standarteve demokratike. Edhe në këtë rast Kosova faktoi se është një vend i lirë". Kryeministri theksoi se zgjedhja e z.Çeku në krye të ekzekutivit "përbën një angazhim edhe më të madh, përbën një mundësi akoma më të madhe për garantimin e lirive dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë. Siç kemi bashkëpunuar me kryeministrin dhe udhëheqësin e parmë, do të bashkëpunojmë ngushtë". Duke e vlerësuar platformën, e paraqitur në Vjenë, si shumë serioze dhe që mishëron parimet themelore të Kartës së Kopenhagenit dhe të Kartës Europiane të Autonomisë Lokale dhe Rajonale, z. Berisha tha se, ndërsa platforma kërkon kohën e vet për t'u jetësuar, "fillimi i zbatimit të saj është një domosdoshmëri, në mënyrë që autorët e kësaj platforme dinjitoze, të dëshmojnë se po e zbatojnë me seriozitetin më të madh atë që kanë paraqitur para komunitetit ndërkombëtar, para shqiptarëve, komunitetit serb në Kosovë dhe gjithë të tjerëve". Në këtë kontekst, shtoi z. Berisha, "kam shumë besim tek përkushtimi i z.Çeku dhe bashkëpunëtorëve të tij, se ata nuk do të humbasin kohë, por do të fillojnë menjëherë nga zbatimi i platformës që ata kanë hartuar sëbashku dhe e kanë paraqitur në Vjenë. Me këto zhvillime pozitve, kam besim të madh se procesi do të ecë me ritmet e duhura".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›