Berisha: Të vendosur në realizimin e reformave për integrimin e Shqipërisë
Për herë të dytë brenda një viti, Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, ka drekuar me Kryeministrin Sali Berisha. Ndryshe nga hera e parë, ku dreka u shtrua për nder të numrit një të SHBA-së në Vilën 30 në Tiranë, dje Bush dhe Berisha janë takuar në Kroaci me ftesë të Presidentit amerikan. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bën me dije se kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka zhvilluar dje një drekë pune me Presidentin amerikan. Në këtë eveniment, Berisha është takuar edhe me Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, Presidentin e Maqedonisë, Branko Cervenkovski dhe Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski. Takimi është zhvilluar në zyrat e Këshillit të Ministrave të Kroacisë. Gjatë këtij takimi Presidenti Bush në bisedën me Kryeministrin Berisha e uroi atë përzemërsisht për marrjen e ftesës për në NATO, ndërsa shprehu kujtimet e pashlyeshme për mikpritjen e madhe që populli shqiptar i bëri atij gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Kryeministri Berisha, duke i shprehur falënderimet Presidentit Bush për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, theksoi se Shqipëria dhe Kroacia duhet të jenë plotësisht krenare për arritjet e tyre, si në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, duke u vendosur me dinjitet përkrah forcave të NATO-s, dhe kanë demonstruar se janë aleatë të besueshëm dhe kontribuues të paqes në rajon e më gjerë. Më pas, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në pritjen zyrtare që u zhvillua në sheshin para kishës "Shën Marku" në Zagreb, për nder të vizitës zyrtare të Presidentit Bush në Kroaci. Fjalën e hapjes e mbajti Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, i cili falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Kroacisë dhe Shqipërisë. Gjithashtu, Kryeministri i Kroacisë përshëndeti pjesëmarrjen e delegacionit maqedonas në këtë takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Berisha u shpreh se "jemi të vendosur në realizimin e të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e plotë të Shqipërisë". Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëron ishte i ftuar dje në një drekë pune të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush në vilën rezidenciale Drekrizhje në Zagreb, për të festuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë kësaj dreke u diskutua gjerësisht për zhvillimet rajonale, si dhe për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve. Gjithashtu, biseda u fokusua edhe në përgjegjësitë që rrjedhin nga ftesa për anëtarësim në NATO, për të pasur si rezultat të shpejtë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.