E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shpërngulurit e Gërdecit: Po abuzohet me ndihmat tona

"Ndihmat e sjella për ne po shiten në treg". Kjo është akuza që ngrenë familjarët e strehuar në ambientet e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Ashtu siç ndodhte 10 vjet më parë, me ndihmat e akorduara në mbështetje të refugjatëve kosovarë, po ndodh edhe sot. Histori që përsëritet. Të prekurit nga tragjedia e rëndë e Gërdecit kanë nisur të vlerësojnë dhe të konstatojnë abuzimet që bëhen me dëshirën e mirë dhe kontributin e mijëra njerëzve për t‘i ndihmuar në këtë fatkeqësi. Kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga ajo ngjarje e rëndë. Ftesa për anëtarësim në NATO nuk ka sjellë asnjë emocion a përjetim në jetët e tyre. Banorët që gdhijnë e ngrysen në dhomat e tre hoteleve të kësaj shtëpie pushimi vazhdojnë të jetojnë çdo ditë me shpërthimin dhe pasojat e tij, ndërsa denoncojnë abuzimet që po kryhen me ndihmat që sillen për ta nga shoqata, institucione dhe individë të ndryshëm. "Pjesa më e mirë e ndihmave nuk ka ardhur te ne. Kryqi i Kuq po i keqmenaxhon ndihmat tona. Pas çdo ardhjeje ndihmash, te ne përfundojnë nëpër qese plaçka që kalojnë më parë në shumë duar. Seleksionohen mirë dhe pastaj na i japin. Këtu vijnë ndihma pa fund, por ajo që marrim ne është për të qeshur", thotë një mesogrua nga Vora, Zenepe Nela. Të tjera ndërhyjnë duke pohuar shqetësimin e Zenepes. Janë të bindura se me ndihmat e tyre po abuzohet dhe se ato përfundojnë në treg.

Dita nis e qetë në Shtëpinë e Pushimit, ku aktualisht janë të strehuar 360 banorë nga fshatrat e dëmtuar prej shpërthimeve të 15 marsit në fabrikën e demontimit në Gërdec të Vorës. Traumat e pësuara gjatë shpërthimit nuk kanë kaluar akoma. Janë brenda tyre dhe në çdo derë që përplaset, në çdo zhurmë që dëgjohet ngacmimi i parë është ikja, largimi nga vendi ku ndodhen për të mbrojtur kokën. Ata që janë kthyer për të parë vendin ku kishin shtëpinë deri mesditën e 15 marsit thonë për bashkëfshatarët: "Të gjithë ata që po jetojnë atje në çadra janë çehrevrarë. Duken si kufoma të gjalla. Kjo është fatkeqësia jonë". Teksa bisedon me ta këtë paradite fundjave shprehen të pakënaqur jo vetëm me administrimin e ndihmave materiale që janë sjellë për ta, por edhe me vlerësimin e dëmeve dhe caktimin e dëmshpërblimit për shtëpi. "Është absurde. Shtëpia jonë në Marqinet 2 është rrafshuar dhe ata e kanë vlerësuar me 6,5 milionë lekë. Me kaq para nuk do të mundemi kurrë të ngremë një shtëpi si ajo që kishim, me 4 dhoma, banjë e korridor", thotë Lije Masha. Lija është e re, por të habit me forcën e argumentit dhe mënyrën e të diskutuarit. Dëgjohet me respekt nga gratë në moshë dhe burrat. Jeta dhe vështirësitë e saj e kanë rritur para kohe. Bisedat ndërpriten dhe gratë përcjellin një grua të re me fëmijët. Po largohet të qëndrojë disa ditë te familja e saj në Pukë. "Ndoshta atje do të mundem të harroj për ca ditë që nuk kam shtëpi dhe që jetoj në një dhomë hoteli", thotë ajo teksa largohet me fëmijët për dore. "Po dolëm prej këtej dhe të kemi shtëpitë tona do të them që është një ëndërr, jo realitet", ndërhyn Lija. Ndërkohë, disa gra dhe vajza kanë nisur të frekuentojnë kursin e rrobaqepësisë që sapo ka nisur në ambientet e konvaleshencës. Së shpejti do të nisin dhe kurset e qëndistarisë dhe kompjuterit.

Rasti

Dyshojnë se ndihmat nuk u shpërndanë fare

Si iku kamioni me

ndihma i Edi Ramës

Pak ditë më parë, kryesocialisti Edi Rama zbarkoi për të disatën herë në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme për të takuar të strehuarit aty, por këtë herë kishte sjellë me vete edhe një kamion të mbushur me ndihma për ta. Duke dëgjuar ankesat e njerëzve për mungesën e transparencës dhe abuzimet në ndarjen e ndihmave, kryebashkiaku i kryeqytetit u kishte kërkuar njerëzve të tij që të mos i dorëzonin ndihmat pranë Kryqit të Kuq, por t‘ua shpërndanin vetë nevojtarëve. Vendimi është mirëpritur, po kamioni është larguar duke lënë me gisht në gojë shumë prej gërdecarëve, marqinetasve, vorakëve dhe shumë prej të strehuarve aty. Të gjithë shprehin habinë se si iku dhe nuk u kthye më kamioni me ndihma i Edi Ramës. Ai u largua pak minuta pas ikjes së Ramës nga konvaleshenca, ndërkohë që personat përgjegjës për shpërndarjen u thanë të strehuarve se do të ktheheshin sërish të nesërmen për ta mbaruar atë. "Kamioni iku dhe nuk e pamë më. Na la shëndenë", thotë një e moshuar nga fshati Radë i rrethit të Durrësit. Në kamion, sipas banorëve, kishte batanije, atlete dhe veshmbathje të ndryshme. Banorët e rinj të Shtëpisë së Pushimit tregojnë se kamioni nuk erdhi as të nesërmen dhe as në ditët në vijim. Anulimin e shpërndarjes së ndihmave, të strehuarit e zonave të prekura nga shpërthimet e 15 marsit e argumentuan me gjullurdinë që u bë prej vetë përfituesve për të marrë sa më shumë materiale nga ndihma e ardhur. Shumë prej tyre mendojnë se kjo situatë u shfrytëzua për ta marrë kamionin dhe mos e kthyer më pranë njerëzve që kanë nevojë për to. Të tjerë thonë se ndihmat mund t‘u jenë shpërndarë të tjerëve të strehuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes, po të parët i kundërshtojnë. "Në rast se do të ishte kështu pse duhet ta sillnin te ne dhe pse të na thoshin se do të ktheheshin të nesërmen?!"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›