E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria firmos: 300 mijë euro për CNN

Qeveria shqiptare do të shpenzojë 300 mijë euro për të transmetuar spotin publicitar, që promovon turizmin e Shqipërisë në kanalin prestigjioz CNN. Sipas Ministrisë së Turizmit, kjo është shuma totale e prodhimit dhe transmetimit të kësaj reklame.

Duke filluar nga data 7 prill, për tri javë rresht dy spote prej 30 sekondash secili dhe një spot prej 20 sekondash do të pushtojnë një ndër kanalet më prestigjioze të lajmeve. Transmetimi i spoteve, në total 133 njësi, do të fillojë në datën 7 prill, do të vijojë për të gjithë muajin dhe do të përfundojë në javën e parë të majit. Koha e transmetimit, gjatë kësaj periudhe, do të jetë nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 24:00 dhe gjatë një dite ky spot do të transmetohet vetëm pesë herë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka planifikuar që të tria spotet të japin së bashku një peizazh të plotë dhe harmonik të asaj që turistët e huaj zbulojnë në Shqipëri, një destinacion të ri mesdhetar me trashëgimi kulturore tepër të pasur dhe natyrë të larmishme e magjepsëse, duke e bërë këtë në mënyrë të thjeshtë e të natyrshme, ashtu siç duhet të jetë një eksperiencë e vërtetë udhëtimi. I gjithë ky angazhim i ka kushtuar qeverisë shqiptare plot 300 mijë euro. Ministria e Turizmit ka bërë dje publike koston totale të prodhimit të transmetimit të spotit, që promovon turizmin shqiptar në sytë e huaj dhe që do të jepet deri në fillimin e muajit maj.

Spoti publicitar

Në vend të një spoti të vetëm, fushata "Albania - A new Mediterranean Love" - "Shqipëria - një dashuri e re mesdhetare" i paraqitet publikut nëpërmjet tri spoteve, të cilat do të transmetohen në rotacion. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Turizmit, në këtë mënyrë shmanget monotonia e reklamës dhe arrihet t‘i transmetohet publikut më shumë nga bukuritë dhe diversiteti natyror e kulturor i Shqipërisë. Imazhet e përdorura janë përzgjedhur nga filmime thuajse në mbarë vendin.

Teknika e filmimit e përdorur quhet "Camera POV (point of view)". Konkretisht, imazhet shihen nga sytë e disa turistëve (POV), të cilët zbulojnë bukuritë e Shqipërisë duke shëtitur nëpër të.

Turistët u "zbulohen" teleshikuesve në sekondat e fundit të secilit prej spoteve, duke pozuar natyrshëm për fotografi/kartolina nga Shqipëria. Networku CNN, ku do të transmetohet spoti publicitar, mbulon një audiencë prej mbi 44 milionë e 200 mijë njerëz, me target që përfshijnë grupmoshat 25 deri 55 vjeç. Promovimi i vlerave dhe i resurseve turistike e kulturore të vendit tonë është cilësuar si një nga prioritetet bazë të programit qeverisës, në dobi të përmirësimit të imazhit të një Shqipërie evropiane, e cila përcjell identitet dhe universalizëm bashkëkohor në hapësirat ndërkombëtare. Spoti i turizmit shqiptar në CNN pason një varg artikujsh, e kronikash në mediat e shtypit dhe stacione televizive të njohura perëndimore mbi zhvillimin e turizmit shqiptar. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Enti Kombëtar i Turizmit ka shpallur si një nga prioritetet e punës promocionin në mediat ndërkombëtare të potencialeve turistike natyrore dhe të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

transmetimi i spotit

Duke filluar nga data 7 prill, për tri javë rresht dy spote prej 30 sekondash secili dhe një spot prej 20 sekondash do të pushtojnë një ndër kanalet më prestigjioze të lajmeve. Koha e transmetimit, gjatë kësaj periudhe, do të jetë nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 24:00 dhe gjatë një dite spotet do të transmetohet vetëm pesë herë

Spotet

Tri spotet publicitare për një Shqipëri perfekte

Ministria e Turizmit ka programuar tri spote publicitare për një Shqipëri perfekte në sytë e të huajve. Spoti i parë (Familja) prej 20 sekondash paraqet një familje (baba/nënë/vajzë), që udhëton kryesisht nëpër atraksionet kulturore dhe plazhet e vendit tonë. Mamaja dhe vajza e vogël shihen nga sytë e babait teksa shijojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Spoti i dytë (Çifti) prej 30 sekondash, paraqet një çift të ri të dashuruar. Nga këndvështrimi i djalit, ne shohim një vajzë të re të bukur, që magjepset dhe intrigohet nga bukuritë e Shqipërisë.

Spoti i tretë (I riu) prej 30 sekondash e sheh Shqipërinë nga këndvështrimi i një të riu që gjatë pushimeve të tij, përveç atraksioneve kulturore, shijon edhe aktivitete sportive në natyrë si parashuta e kajakë. Networku CNN, ku do të transmetohet spoti publicitar, mbulon një audiencë prej mbi 44 milionë e 200 mijë njerëz. Për shkak të natyrës së programacionit të CNN (breaking news), ka qenë e pamundur që të caktohen orare fikse për transmetimin e këtij spoti, por ai do të shfaqet në ekranin e CNN pesë herë në ditë.

Reklama

"Përplasjet" për reklamën në "Financial Times"

Kohët e fundit, qeveria shqiptare ka peshuar fort mbi kurimin e imazhit të Shqipërisë në një prej gazetave më të mëdha të botës, "Financial Times". "Përplasje" e qeverisë sonë me ekipin e kësaj gazete kanë ardhur si pasojë e një reklame që qeveria jonë duhej ta publikonte në faqet e kësaj gazete. Sipas ekipit të "Financial Times", në Shqipëri u urdhërua që Agjencia Kombëtare e Turizmit të mos e dërgonte reklamën. Sipas tyre, reklama do të vinte nga kjo agjenci dhe se ajo duhet paguar, sepse zë vend në gazetë. Është një reklamë dhe ndaj duhet paguar. "Ne pritëm deri në momentin e fundit një tekst, një kopje dhe ata nuk dërguan asgjë", u shprehën ata. Përgjegjësi i marketingut të "Financial Times", Zaljko Mandic, ka bërë me dije se "qeveria nuk pagoi për reklamën, nuk ka paguar asgjë. Ka vetëm një problem, problemi është se një rregull u thye, një rregull nga Agjencia e Turizmit nuk u zbatua. Ata nuk na e dhanë kopjen, ata e shkelën kontratën, ata duhet të gjobiten, sepse nuk e respektuan kontratën. Ata nuk e anuluan kontratën, por nuk e respektuan, nuk ka dhanë reklamën dhe duhet të gjobiten".

Pango: Këtë vit parashikohen të vijnë 2 milionë të huaj në Shqipëri

I pari që ka publikuar lajmin e publikimit të spotit publicitar në një nga kanalet më prestigjioze të botës në CNN ishte Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një praktikë e tillë është ndjekur më parë edhe nga vende të Evropës dhe ka rezultuar e suksesshme. Vlen të theksojmë rastin e Kroacisë, e cila, duke hedhur me qindra mijëra dollarë për një spot publicitar në CNN, e ka rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve të huaj në qytetet e saj. Sipas ministrit Ylli Pango, vitin e kaluar Shqipëria ishte e suksesshme në fushën e turizmit, duke shënuar një bum turistik, i cili deri më 10 shtator 2007 kishte kapur shifrën prej 840 mijë turistësh në vendin tonë. Numri i vizitorëve në parqet arkeologjike, vetëm gjatë 3 muajve të verës së kaluar shënoi 28 mijë e 400 persona, ku shumica ishin të kombësive të huaja.

Ndërsa kreu i Ministrisë së Turizmit ka bërë me dije se këtë vit parashikohen të vijnë në Shqipëri 2 milionë të huaj. Sipas Pangos, ky hap madhor për promocionin e turizmit shqiptar do të çojë në rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve. Ndërkohë, Shqipëria po renditet në guidat dhe hartat ndërkombëtare turistike. Kështu, agjencia e njohur amerikane TRAVCOA, që operon në mbi 90 vende të botës, ka përfshirë Shqipërinë në guidën e saj. "Vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë gjithnjë e më shumë prezente në hartat turistike dhe në guidat e agjencive të tjera ndërkombëtare", tha Pango. Sipas tij, është përgatitur seti i ri i materialeve promocionale, një kolanë guidash i përbërë nga pesë të tilla, me tematika të ndryshme, por në një format. Ministri i Turizmit e cilësoi këtë një produkt krejt të ri, si në koncept ashtu edhe në paraqitje, dizajn dhe përmbajtje fotosh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›