E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kapen tutorët e Saleo Stojanit

Policia e Gjirokastrës arrin të neutralizojë drejtuesit e një grupi grabitësish endacakë që kanë bërë "kërdinë" në banesa dhe objekte të tjera private në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme. Specialistët e sektorit kundër krimeve të rënda në Drejtorinë Rajonale të Policisë, kanë mundur të identifikojnë dhe kapur shtetasit Hysmet Daja, 43 vjeç dhe bashkëshorten e tij, Rolanda Abazaj, 24 vjeç, të dy nga Laçi. Policia e Gjirokastrës është vënë në ndjekje të dy keqbërësve, të cilët kanë qenë edhe tutorët e adoleshentit nga Korça me emrin Saleo Stojani, i cili është arrestuar dhjetëra herë në qytete të ndryshme të vendit dhe akuzohet si autor më rreth 200 vjedhjeve. Si burrë e grua, së bashku me Saleo Stojanin, këta persona dyshohen se janë autorët e vjedhjes së 2,3 milionë lekëve në banesën e shtetasit Islam Buci në Gjirokastër, majin e vitit të kaluar. Sipas policisë, pas vjedhjes tre personat janë larguar në drejtim të Tiranës. Daja dhe gruaja e tij e kanë përdorur 17-vjeçarin Saleo Stojani për kryerjen e mjaft grabitjeve, duke i dhënë atij një pjesë të vogël të fitimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›