E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: SHBA të nxisë investimet amerikane në Shqipëri

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ka marrë pjesë dje në drekën e punës me Presidentin e SHBA-së Bush të shtruar në Zagreb të Kroacisë. Në fjalën e tij, pas falënderimeve për mbështetjen e dhënë ndaj vendit tonë, Presidenti Topi ka theksuar se "shpreh besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës, si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona". Pas Samitit të Bukureshtit, Presidenti Topi shprehu besim se "zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera". Sipas tij, "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare, përbën edhe një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale të detyrueshme për t‘u ndjekur dhe për t‘u realizuar, në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global". Presidenti Topi ka konfirmuar vendosmërinë e Shqipërisë për të kontribuuar në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Asistencë të NATO-s në Afganistan, por edhe në misione të tjera që mund të kërkohen.

"Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida, të cilat besoj se do t‘i përballojmë, sepse përkrah nesh ndiejmë mbështetjen e SHBA-së, një aleat i madh, me të cilin marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe shumë të rëndësishme për popullin shqiptar", tha Presidenti Topi, duke theksuar se "rrugëtimi i këtyre marrëdhënieve orientohet nga vizione të qarta, të palëkundura të demokracisë, të lirisë e të euroatlantizmit. Shqipëria do të mbetet partner edhe në politikat e sigurisë dhe të progresit, që SHBA-ja do të ndërmarrë në rajonin tonë edhe në planin global". Duke iu drejtuar Presidentit Bush, Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ka theksuar se "qëndrimi i SHBA-së ndaj pavarësisë së Kosovës dëshmoi për politikën e drejtë dhe dinamike, në interes të qëllimeve largpamëse për një të ardhme në paqe të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Populli shqiptar iu është mirënjohës". Presidenti amerikan, George W. Bush, pasi ka shprehur urimet më të mira ndaj dy vendeve, ka theksuar se vendimi i Samitit të Bukureshtit ishte vota e besimit për kontributin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut Verior. Në këtë drekë pune, Presidenti Bamir Topi ka qenë i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, dhe delegacioni zyrtar i Republikës së Shqipërisë, i ftuar nga Presidentit kroat, Mesiç. Kjo vizitë u mundësua në kuadrin e ftesës për anëtarësim në NATO, që Shqipëria sapo mori nga Samiti i Bukureshtit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›