E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të zgjidhet problemi për furnizimin më ujë

 

Të zgjidhet sa më parë problemi për furnizimin me ujë për Tiranën dhe Durrësin. Këtë herë ‘urdhri’ është dhënë nga vetë kreu i qeverisë Berisha gjatë mbledhjes së grupit të punës. “Ky takim zhvillohet pasi Grupi i Punës ka disa kohë që punon dhe tashmë duhet të vijmë në një përfundim, në mënyrë që të kalojmë në veprim me shpejtësinë më të madhe të mundshme për një problem themelor, për një nga drejtimet kryesore të programit tonë në katër vitet e ardhshme, zgjidhjen e problemit të furnizimit më ujë”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Gjatë kësaj mbledhje u propozua që për zgjidhjen e problemit më ujë të pijshëm në Tiranë të ndërhyhet në ruajtjen e burimeve, veçanërisht puseve nga ndotja, rritjen e kapaciteteve depozituese, ndërhyrjet e menjëhershme në zonat periferike, të konsideruara deri më sot “informale”, me qëllim zgjidhjen definitive të furnizimit të tyre me ujë të pijshëm. Realizimin e skemave alternative të rrjetit shpërndarës për të furnizuar zona të rrezikuara nga mungesa e ujit, si dhe realizimin e një studimi mbi bilancin faktik të ujit me qëllim vlerësimin e konsumit aktual dhe përcaktimit të nevojave për të ardhmen, bazuar në planet urbanistike afatmesëm/afatgjatë të njësive vendore. Bazuar në këtë bilanc do të vijohet me shtesën e sasisë së ujit në rast se do të ketë nevojë, ndërsa për sa i përket Durrësit dhe Kavajës, kjo zonë me burimet aktuale nuk i mbulon kërkesat për furnizimin me ujë. Për këtë arsye dhe disa nga propozimet për zgjidhjen e situatës janë reduktimi i humbjeve, ndërtimi i depove dhe rrjetit shpërndarës për zonat rurale si dhe shtimi i sasisë së ujit nëpërmjet burimeve shtesë nëntokësore apo sipërfaqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›