Kriza tkurr të ardhurat, sa u ulën nga tatimet e doganat
fabiola Çela
Tkurren të ardhurat në arkën e shtetit. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, kriza globale ka dhënë efektet e saj negative në mbledhjen e të ardhurave, të cilat janë më pak se parashikimi. Por për sa i përket shpenzimeve e sidomos shpenzimet kapitale, vazhdojnë të jenë në nivele të larta.
Financat
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit gusht, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 195.03 miliardë lekë ose rreth 8.6% më pak se parashikimi, dhe 5.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 180.4 miliardë lekë, ose 7.4% më pak se parashikimi; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 6% më të larta. Ndërsa shpenzimet totale deri në fund të muajit gusht arritën në 242.5 miliardë lekë ose 6.7% më pak se parashikimi; krahasuar me janar—gusht 2008 shpenzimet rezultuan 23.3% më të larta. Shpenzimet korente rezultuan me 7.3% më pak se parashikimi dhe 18.4% më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 5.1% më pak se parashikimi dhe 55.7% me shumë se viti i kaluar.
Buxheti
Si pasojë e efekteve që dha kriza në ekonominë vendase, qeveria u detyrua që të bëjë disa ndryshime në buxhetin e këtij viti. Ajo çka bie në sy është ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Qeveria ka kryer edhe një rishpërndarje të shpenzimeve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria, këtë vit rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind. Ndryshimet u miratuan vetëm pak kohë më parë nga qeveria. Ulja e të ardhurave si pasojë e krizës është pranuar edhe nga vetë kreu i Financave Bode.
Treguesit
195,039 milionë lekë të ardhurat
8.6 për qind më pak se parashikimi
5.4 për qind më shumë se një vit më parë
242,516 milionë lekë shpenzimet
6.7 për qind më pak se parashikimi
23.3 për qind më të larta se një vit më parë
- 47,477 milionë lekë bilanci fiskal