E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti akademik në prag,studentët mësim me turne

 

Dy ditë i ndajnë studentët nga fillimi i vitit të ri akademik. Më 12 tetor fituesit e rinj, edhe ata të viteve më sipër, do të ulen në auditorë. Por i mbartur prej vitesh, tashmë problem madhor mbetet infrastruktura. Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, për numrin e pranimeve nuk ka kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar fluksin e studentëve. Këtë fakt e pranojnë edhe drejtuesit e këtij universitetit. Rektori UT, Dhori Kule sqaron se edhe këtë vit godina e Fakultetit të Drejtësisë mbetet peng i procedurave të tejzgjatura institucionale. E njëjta gjë edhe për godinën e kinoklubit të Qytetit Studenti.  Procedurat tenderiale për të kanë nisur sërish nga e para. Me të tilla kushte studentëve do t’u duhet të bëjnë mësim më turne deri në orët e vona të pasdites. “Kemi mangësi në infrastrukturë. Zvarritja është e pajustifikuar. Që prej 3 vjetësh merremi me shkresa për godinën e Juridikut dhe që ka kaluar në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, dhe akoma nuk e kemi marrë një përgjigje. Është bërë projekti nga ana jonë, por bëhet oponencë nga Instituti që është në varësi të Ministrisë së Transporteve”, tha Kule. Sipas Rektorit të Universitetit të Tiranës këto probleme duhet të marrin patjetër rrugën e zgjidhjes. Ai shtoi se po diskutohet marrja e ambienteve të reja edhe me qira. “Presim të zgjidhet problemi i gatishmërisë së ambienteve në Universitetin Ushtarak, meqenëse ky universitet tashmë është mbyllur në funksionimin e vet. Studentët e tij i ka marrë Universiteti i Tiranës dhe Politekniku. Shpresojmë në mirëkuptimin midis dy dikastereve, që një ambient të jetë për një nga fakultetet tona”, tha Kule. Në Universitetin e Tiranës, për herë të parë këtë vit, do të ulen më shumë se 7000 studentë të rinj, të shpërndarë në tetë fakultetet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›