E Diel, 1 Nëntor 2026

PS–PD, sherr për prokurimet

08/03/2005  Komisioni hetimor do të dalë me dy raporte të kundërta mbi tenderat e zhvilluara prej vitit 2000

Bano: "Vetëm në një ditë, Kryeministria ka shpërdoruar 15 milionë dollarë"

Tenderat e qeverisë dhe mënyra e procedimit me shpalljen e fituesit për to, kanë krijuar përplasje mes anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës në komisionin parlamentar hetimor të prokurimeve në Kryeministri dhe ministritë. Demokratët akuzojnë për shpërdorime dhe shkelje të ligjit në procedurat e tenderave, ndërsa socialistët i konsiderojnë këto akuza si të pabaza dhe propagandistike. Mezan Malaj, dje, gjatë një konference për shtypin, ka hedhur poshtë akuzat e deputetit të PD-së, Ilir Bano, që ka hedhur dyshime për abuzime të mëdha nga Kryeministria.

Maxhoranca

Akuzave të opozitës nuk ka vonuar t'i përgjigjet deputeti socialist, Mezan Malaj, që ëshë nënkryetar i komisionit hetimor parlamentar për tenderat. Malaj sqaroi se prokurimi i drejtpërdrejtë erdhën nga koha e pamjaftueshme për të shkurtuar deficitin buxhetor pas shitjes së Bankës së Kursimeve. "Tenderat e kryera, dhe që merren si shembull kryesor, vijnë si rezultat i shitjes dhe arkëtimit nga Banka e Kursimeve në rastin e Raifeizën Bank, ku FMN-ja dhe BB-ja lejuan që gjysma e kësaj të ardhure të kaloj në shkurtim të deficitit buxhetor. Meqenëse koha ishte mjaft e shkurtër dhe meqenëse procedurat e tenderimit kërkonin një kohë mjaft të gjatë qeveria me të drejtë dhe, unë e mbështes, e kapërceu këtë situatë dhe me tenderim të drejtpërdrejt realizoi vënien në jetë të shumës prej rreth 60 milionë dollarë për investime të ndryshme", tha Malaj. Sipas tij, tenderat për të cilat akuzon opozita janë bërë në përputhje me ligjin për prokurimet me procedurë të drejtpërdrejtë.

Opozita

Megjithatë, deputeti i opozitës, Ilir Bano, njëkohësisht dhe kryetar i komisionit hetimor ka lëshuar sërish akuza të drejtprdrejta për Këshillin e Ministrave. Sipas tij, Kryeministria i ka kthyer prokurimet publike në instrument për abuzime. Bano thekson se në tre vjet, Këshilli i Ministrave ka kryer rreth 5 prokurime të drejtpërdrejta çdo muaj, në një kohë që kjo procedurë ndiqet vetëm në rastet e emergjencave. "Situata është përkeqësuar më shumë në vitin 2004, ku qeveria në çdo muaj ka marrë 7 vendime për të përdorur procedura prokurimi të ndryshme nga tenderi i hapur. Vetëm në një ditë, më 30.7.2004, Nano prokuroi 20 për qind të investimeve vjetore të buxhetit me financim të brendshëm, ose më tepër se gjysmën e buxhetit vjetor të parashikuar për ndërtimin e rrugëve. Vetëm në një ditë, rritja skandaloze e superfitimit, si pasojë e këtyre veprimeve, shkoi në 15 milionë USD, ose 40 për qind të fondit të prokuruar", tha Bano. Sipas tij, nga hetimi i dosjeve ka rezultuar se qëllimi i prokurimeve të drejtpërdrejta nga qeveria është bërë me qëllim krijimin e një mbulese ligjore për abuzimet me paratë e Buxhetit të Shtetit.

Komisioni do thërrasë në seancë pyetjesh ministrat

Komisioni hetimor parlamentar do të thërrasë në një seancë dëgjimore të gjithë krerët e institucioneve, ku ai gjykon se kanë ndodhur shkelje. Burimet në komision sqarojnë se kjo procedurë mund të fillojë të zbatohet që brenda kësaj jave, pasi data përfundimtare e punës së komisionit është 14 marsi. Komisioni në fjalë është ngritur me kërkesën e deputetëve të opozitës, dhe afati për përfundimin e punës së tij është shtyrë tre herë. Opozita ka akuzuar institucionet qeveritare dhe ministrat, se kanë vonuar punën e komisionit, pasi nuk kanë paraqitur pranë tij dokumentacionin e kërkuar. Gjithsesi edhe këtë herë duket se dy forcat politike më të mëdha, PS dhe PD, do ta kenë të vështirë të dalin në një raport të përbashkët për këtë çështje, për shkak të kundërshtive që kanë lindur mes anëtarëve të komisionit. Praktika e ngritjeve të komisioneve hetimore parlamentare, ka treguar se në më të shumtën e rasteve në parlament është shkuar me dy raporte përfundimtare, duke bërë që edhe votimet e deputetëve në parlament të shkojnë në favor të raportit të paraqitur nga komisionerët e partisë së tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›