E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet grupi i deputetëve që do të hetojë privatizimet

08/03/2005  Kuvendi ka miratuar dje ngritjen e komisionit parlamentar, që do të hetojë mbi privatizimin e objekteve strategjike në Shqipëri të viteve të fundit. Nga socialistët do të jenë deputetët Erion Braçe, Flamur Rogu, Taulant Dedja, Lekë Çuka, Nazmi Bilani dhe Fatmir Xhindi. Ndërsa nga opozita do të jenë Jemin Gjana, Sokol Olldashi, Gani Hoxha, Gjovalin Bzheta dhe Luan Malltezi. Parlamentarët me konsensus të plotë vendosën që kryetar të jetë demokrati Gjana, ndërsa nënkryetar do të jetë socialisti Braçe dhe sekretar Rogu. Komisoni i ngritur, me kërkesë nga opozita, është miratuar me konsensus të plotë nga parlamentarët, dhe puna e tij hetimore pritet që të zgjasë tre muaj. Në thelb të kërkesës së opozitës, ka qenë hetimi i procedurave që janë ndjekur në privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Kjo për vetë faktin se shpesh në media, apo në debatet parlamentare, janë hedhur akuza se privatizimet janë bërë sipas preferencave personale të pushtetarëve. Rasti më i fundit, për akuzat që ka bërë opozita, është procedura për privatizimin e hotel Dajtit. Kreu i PD-së ka thënë me një konferencë për shtypin se Kryeministri e ka vendosur se kush do të jetë fituesi në privatizimin e këtij hoteli. Ndërsa dhe për tenderin e ngritjes së kazinosë së parë në Shqipëri, demokratët kanë theksuar se Kyeministri i Shqipërisë, kishte vendosur që më parë fituesit. Megjithatë, akuzat e ngritura gjatë këtyre viteve do të zbardhen nga komisioni hetimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›