Berisha-Topalli, batuta për zgjedhjet dhe veshjen blu të Leskajt
Seanca e djeshme parlamentare pati batutat e veta politike dhe njerëzore, të cilat shoqëruan seancën nga fillimi në fund. Ishte fillimisht Kryeministri Sali Berisha, i cili komplimentoi kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ndoshta rastësi, por Leskaj kishte veshur një xhaketë blu. Veshja e saj u vlerësua si e përsosur nga ana e Kryeministrit Berisha, duke e lidhur edhe me ngjarjen dhe ngjyrat e NATO-s. Ai u drejtua nga deputetët socialistë, të cilëve u vuri në dukje veshjen e kryetares së tyre. Nga ana tjetër, edhe komentet politike nuk munguan në seancën e djeshme. Gjatë fjalës së Kuvend, krahas evidentimit të suksesit për hyrjen e vendit në NATO, Leskaj tha se në zgjedhjet e qershorit, PS-ja do të largojë Berishën nga pushteti. Kësaj radhe ishte kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila u kundërpërgjigj. “Garën e NATO-s e fituam, do të fitojmë dhe garën për zgjedhje të lira”, - tha Topalli.
Topalli: Mirënjohje për vendet anëtare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se hyrja në NATO është një ngjarje historike për vendin. Duke folur përpara deputetëve, ajo shprehu mirënjohje për vendet anëtare të cilat pranuan hyrjen e Shqipërisë. Topalli tha se brenda një kohe rekord u ratifikua NATO-ja nga 26 parlamente, që sipas saj, ishte një vlerësim për reformat në Shqipëri. “Ne i falënderojmë vendet e NATO-s që në qeveritë, parlamentet e senatet e tyre votuan për ne, votuan rezultatet e reformave që ne kemi bërë, votuan një Shqipëri që në këto vite është transformuar në mënyrë marramendëse. Ata na besuan ne që të përballemi në krah të SHBA-ve, Evropës, Kanadasë me sfidat e këtij shekulli. Mirënjohje të veçantë SHBA-vë, mirënjohje Evropës, mirënjohje Kanadasë dhe Turqisë”, - deklaroi Topalli.
Patozi: Në NATO, për shkak të reformave
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje se hyrja e Shqipërisë në NATO duhet t’u dedikohet reformave të vendit. Sipas tij, ky ishte një proces jetik dhe më i suksesshmi që ka njohur vendi. Patozi tha më tej se sot duhet të jemi krenarë për këtë ditë. Ai shtoi se kur në vitin 2005 erdhi në pushtet qeverisja e djathtë, askush nuk e besonte që vendi do të integrohej kaq shpejt. “Duhet të ndihemi krenarë, sepse kemi përmbushur një aksion të jashtëzakonshëm, cili pas pak ditësh i rendit shqiptarët krahas vendeve më të fuqishme, më demokratike dhe më të civilizuara të planetit. Ne jemi sot në portat e NATO-s në radhë të parë dhe mbi të gjitha për shkak të suksesit të reformave të gjithanshme që u ndërmorën nga mazhoranca pas vitit 2005, kur dhe më optimisti midis nesh, nuk e parashikonte kaq shpejt ditën e bekuar të anëtarësimit”, - tha Patozi.
Leskaj: Kishte ardhur koha për NATO-n
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha dje në Kuvend se kishte ardhur koha që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s. Leskaj deklaroi se në këtë proces, opozita ka dhënë kontributin e saj, veçanërisht në reformën zgjedhore dhe në atë për drejtësi. “Ka ardhur momenti kur Shqipëria renditet si një anëtare me të drejta të plota, krah demokracive perëndimore ne një aleancë të vlerave demokratike. Si në asnjë vend tjetër të rajonit, qysh në fillimet e demokracisë, populli shqiptar ka përqafuar aspiratën integruese në strukturat euroatlantike, duke i dhënë mbështetjen më të gjerë në vite anëtarësimit në NATO dhe në BE. Pa dyshim që ajo që na solli deri këtu, ka qenë një kontribut i përbashkët, i gjithë shoqërisë shqiptare, i mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë”, - deklaroi Leskaj.
Topi dekreton NATO-n
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje shpalljen dhe hyrjen në fuqi menjëherë të ligjeve që u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë plotësojnë kuadrin ligjor të anëtarësimit të vendit tonë në NATO. “Presidenti i Republikës përshëndet deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për miratimin unanim të këtyre ligjeve dhe uron të gjithë qytetarët shqiptarë për realizimin e kësaj ëndrre integruese, si një moment historik për vendin tonë, e cila u realizua edhe nëpërmjet vullnetit të partnerëve tanë euroatlantikë”, - thuhej në njoftimin e Presidencës.