Sovrani i thotë “po” NATO-s
Një sondazh tregonte se 98 për qind e shqiptarëve i thotë “po” hyrjes së vendit të tyre në NATO dhe përtej këtij qëndrimi, Kuvendi nuk mund të vendoste ndryshe. Përfaqësuesit e sovranit, në formë unanime, dhanë votat e tyre pro, gjithë bazës ligjore që bën Shqipërinë anëtare të NATO-s. Mbyllja e ratifikimeve në 26 vendet anëtare u mbyll me vullnetin e Kuvendit shqiptar, i cili dha verdiktin e fundit. Të pranishëm në Kuvend ishin 109 deputetët. Tabela elektronike që tregonte mënyrën e votimit, kishte vetëm ngjyra jeshile, që simbolizojnë votën pro.
Seanca e djeshme parlamentare u kthye në një ceremoni, ku u evidentua bashkimi mes shqiptarëve. Mazhoranca dhe opozita, përtej politikës dhe batutave, ishte e bashkuar në qëndrimin e saj. Lozhat anës sallës së deputetëve ishin mbushur me diplomatë, të cilët ndiqnin me interes manifestimin e dëshirës së liderëve politikë shqiptarë. Salla e Kuvendit ishte mbushur me flamurët e NATO-s, por jo më shumë se flamurët kombëtarë.
Ishte Kryeministri Sali Berisha, i cili mori fjalën i pari në këtë seancë historike për Kuvendin. Kreu i ekzekutivit nisi fjalën e tij me rëndësinë e këtij anëtarësimi. Berisha tha se anëtarësimi në NATO është shpërblimi i shekujve të mundimshëm për shqiptarët, në kërkim të lirisë. Ai tha se sot, shqiptarët arkivojnë historinë e tyre të dhimbshme. “Ne shqiptarët arkivojmë sot njërën nga historitë më të dhimbshme të planetit. Një komb tejet jetëgjatë, me një udhëtim ndër më të mundimshmit, me një udhëtim gjatë të cilit u përball me pushtime të zgjatura, me diktatura të egra, me copëtime të dhimbshme dhe të pamerituara, me një udhëtim, të cilin kombi ishte i detyruar të mobilizonte, të angazhonte gjithçka dhe çdo gjë, për mbijetesën e tij të kërcënuar në mënyrë permanente”, - deklaroi Berisha. Kreu i mazhorancës tha më tej se pyetjes se si ia dolën shqiptarët të mbijetonin në historinë e tyre tërë dhimbje, përgjigjja është tek lashtësia e tij. Sipas tij, shqiptarët u rezistuan pushtimeve, varfërisë, diktaturës, duke pasur ndjenjën e lirisë në brendësi të tyre. “Një gjeneral i madh amerikan, Dagllas Mekartur, në fjalën e tij në Kongresin Amerikan do të thoshte: “Ushtarët e vjetër s’vdesin kurrë”. Kombet e vjetra s’vdesin kurrë, i tillë është edhe kombi shqiptar. Zoti i bekoftë shqiptarët!”, - tha ai.
Për Kryeministrin Berisha, hyrja në NATO simbolizon përfundimin e tranzicionit të Shqipërisë, nisjen e një epoke tjetër. Kreu i mazhoranës nuk la pa u shprehur mirënjohjen qytetarëve shqiptarë, që nga viti 1990 e deri më sot, që me veprat e tyre ndryshuan vendin. “Sot, ne, me votën tonë firmosim fundin e tranzicionit të Shqipërisë, firmosim nisjen e një epoke të re për këtë vend, epokë në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë, sot e përjetë. Kjo është dita më e lumtur e jetës sime, sepse përmbushim, së bashku me ju, një premtim dhe një projekt ëndërr për veten, për fëmijët dhe për gjeneratat që vijnë”, - deklaroi Kryeministri Berisha.