E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Edi Rama duhet të fusë Nanon në listën e deputetëve



Me një gjuhë të zbutur politike, deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka treguar se ka ndryshuar taktikë të qëndrimeve të tij brenda partisë, duke ikur nga profili i kritizerit të kreut aktual të partisë, Edi Rama. Duke folur për një kontratë personale që ka me këtë parti dhe respektimin e saj, Blushi ka pranuar se afrimi i të rinjve nga ana e Ramës ka ndryshuar PS-së në kahun pozitiv. Por Blushi ka prekur pikën e dobët, duke i kërkuar Ramës që të kandidojë për deputet Fatos Nanon. Në një intervistë dhënë në TV “Alsat” Blushi tha: “Po të ishte në dorën time, Fatos Nano do të ishte kandidat, pasi është një nga deputetët e Partisë Socialiste”. Më tej, ai ka thënë se kjo gjë është në dorën e Kryesisë dhe më shumë në dorën e kryetarit të partisë. Në këtë pikë, ai ka pranuar se kryetari i partisë është logjike që të ketë më shumë peshë në hartimin e listave të deputetëve, ashtu siç ka dhe më shumë përgjegjësi për rezultatin e tyre. Ndërkaq ai i ka bërë një apel të hapur Ramës për të futur në këtë listë të gjithë emrat e deputetëve aktualë. “Ne jemi një grup komod sepse aktualisht jemi 32 apo 33 deputetë, ndërkohë që pretendojmë të marrim të paktën 71 vende, kështu që përveç këtyre 33 emrave ka vend plot për 40 të tjerë”, - tha ai. Po gjithashtu Blushi ka pasur një përplasje në lidhje me kohën se kur duhet të dalë kjo listë, duke thënë se ajo do të miratohet shumë shpejt nga Kryesia, në një kohë kur Rama ka shuar çdo shpresë se lista do të jetë publike deri pak javë para zgjedhjeve. Në lidhje me marrëdhëniet e tij me Edi Ramën Blushi ka thënë se është spekuluar në shtyp, ndërkohë që me humor ka shtuar: “Mund të ketë ndryshuar Rama”. Megjithëse ai s’ka pasur vend krah Ramës në paraqitjen e programit qeverisës, nuk ka pranuar se ky program është produkt i pak vetave, por sipas tij, është i konsultuar në të gjitha hallkat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›