Berisha: Topi kërkon ujdi Rama-Meta
ADI SHKEMBI
“Presidenti Topi duhet të thotë se e ktheu Kodin për gjetjen e një marrëveshjeje mes Ramës e Metës për çështjen e anëtarëve të administrimit të votave”. Ky ka qenë reagimi i parë publik i Kryeministrit Berisha lidhur me dekretin e tre ditëve më parë të kreut të shtetit, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin Elektoral, pas një përplasjeje të një neni të tij me Kushtetutën. Duke folur në emisionin “Log” në TVSH të gazetarit Artur Kopani, kreu i qeverisë tha se Presidenti Topi duhet të fliste hapur për këtë çështje. “Jo afate ligjore, por afate kushtetuese. Ky president dhe paraardhësit e tij, nuk i kanë respektuar, siç ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë apo gjykatësit. Megjithatë, mund ta kthejë. Sikurse duhet të thotë haptas: e ktheva që mund të ketë një ujdi midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në mënyrë absolute nuk jam kundër. Nuk them se ky është një pseudomotiv. Pati një grevë urie, 12 deputetë. Presidenti pati një prononcim dhe normal që duhej të prononcohej”, u shpreh Berisha. Duke iu referuar argumenteve të Presidentit Topi se nëse do të miratohej Kodi, nuk do të ishte periudha e nevojshme prej 9 muajsh për të dekretuar datën e zgjedhjeve, kreu i qeverisë bëri të ditur se nëse Kodi do të ishte dekretuar që në fillim, edhe ky afat do të ishte plotësuar. Megjithatë sipas Berishës, Topi ushtroi një të drejtë të tijën kushtetuese. “Kthimi i Kodit nuk do shkaktojë vonesa të zgjedhjeve. Mendoj se Parlamenti do ta shqyrtojë. Presidenti në këtë rast ka ushtruar një të drejtë kushtetuese të tij. Por mbetem i hapur, sinqeriteti është sinqeritet, transparenca ndaj publikut është transparencë. E ktheu me motivin se duheshin 9 muaj. U mbajt në Presidencë për t’u tejkaluar 9-muajshi. Se kur e mori, po ta dekretonte ishin fiks 9 muaj”, u shpreh Berisha. Sipas tij “së dyti Kushtetuta prevalon. Presidenti është i detyruar në respekt të plotë të Kushtetutës të dekretojë zgjedhje jo më vonë se 45 ditë nga dita e fundit e mandatit të Parlamentit. Dita e fundit e mandatit të Parlamentit është dita e parë e mbledhjes së tij”. Duke iu referuar edhe shkakut të kthimit të Kodit që sipas Kryeministrit Berisha është përplasja brenda dy partive të opozitës, PS-së e LSI-së, kreu i qeverisë tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet mes tyre. Në të njëjtën kohë, ai përsëriti se do të respektojë partinë më të madhe në opozitë. “Le të shfrytëzojë atë prerogativë për një mundësi të dytë. Pavarësisht se nuk më vjen mirë, ai është i detyruar të ushtrojë disa... dhe mendoj se do shpërblehet në mënyrë transparente. Ky është një problem midis tyre. E kam thënë dhe e them prapë. Është i zotit Gjinushi apo është i zotit Meta komisionari, nuk ndërhyj dot. Unë jam i detyruar të respektoj kryetarin e opozitës, partinë kryesore opozitare dhe çështjet opozita duhet t’i zgjidhë brenda saj, pa ndërhyrjen time, sepse pastaj do ishte një manipulim”, tha kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur qëndrimin e maxhorancës për të mos shtyrë në mënyrë kategorike zgjedhjet përtej muajit qershor, duke shtuar se fatmirësisht edhe opozita ka të njëjtin qëndrim. “Unë nuk jam për t’i shtyrë në mënyrë kategorike asnjë ditë. Opozita fatmirësisht ka kërkuar të njëjtin afat. Kur të duan ata, javën e fundit apo të parafundit të qershorit. Nuk e kam problem fare. E vetmja gjë që nuk pranoj është shtyrja e afatit. Ne duhet t’i qëndrojmë afatit kushtetues. Duhet të respektojmë doemos Kushtetutën”, theksoi Berisha.