E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusmali: Zero mundësi për shtyrjen e zgjedhjeve, votimi brenda qershorit

 

Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali hedh poshtë çdo mundësi, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në muajin shtator. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, kryekomisioneri Rusmali hedh poshtë çdo mundësi ligjore, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen përtej afatit të parashikuar në Kodin e ri Zgjedhor. “Zgjedhjet e ardhshme nuk mund të shtyhen përtej asaj, që është parashikuar në Kodin e ri dhe në Kushtetutë, pra mund të mbahen në fund të muajit qershor”, deklaroi Rusmali për “Panorama”. Kreu i shtetit në dekretin e kthyer kërkon rishikimin e procedurave për shpalljen e datës së zgjedhjeve, për shkak të përplasjeve që ekzistonin ndërmjet nenit 8 dhe 9 të Kodit. Në bazë të Kodit të kthyer, Presidenti duhet të kishte nxirrte dekretin me datën 3 dhjetor të këtij viti ditën e zgjedhjeve. Po sipas përllogaritjeve parashikohej që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbaheshin më datën 21 qershor të 2009. Kthimi i Kodit nga ana e kreut të shtetit, Bamir Topi risolli në skenën politike shqiptare tezën e shtyrjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kjo do të pasojë me rishkrimin e afateve, por një gjë e tillë kontestohet në mënyrë kategorike nga ana e Rusmalit. “Nuk ka asnjë hipotezë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk e lejon një gjë të tillë, zgjedhjet do të mbahen në fundin e muajit qershor”, ritheksoi Rusmali. Ndërsa PD-ja akoma nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë, në lidhje me faktin nëse do të zbatohej kërkesa e kreut të shtetit Topi për të rishikuar nenet e Kodit Zgjedhor.                 b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›