E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon “Legalizimet”

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy ditë më parë kompetencat e ALUIZNI-t në zbatimin e ligjit të Legalizimeve. Me pesë vota pro dhe katër kundër, anëtarët e kësaj gjykate, me shumicë votash, e cilësuan antikushtetues rolin dhe kompetencat, që ligji i ri i jepte Agjencisë Shtetërore të Legalizimeve në kurriz të pushtetit vendor. Sipas shumicës në Gjykatën Kushtetuese, “Ligji shkel parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, përmes kompetencave që i ka dhënë ALUIZNI-t”. Gjithashtu, ata argumentuan se mbi këtë bazë, u hiqen të gjitha të drejtat pushtetit vendor të ushtrojë pushtetin e vet në procesin e legalizimit, cenon të drejtat e pushtetit vendor, në planifikimin urban, menaxhimin e tokës urbane, i heq mundësinë atij të vjelë taksën e legalizimit, duke e marrë atë pushteti qendror përmes ALUIZNI-t, madje kjo agjenci merr në shqyrtim dhe miraton më pas dhe lejen e legalizimit për ndërtimet pa leje dhe shtesat në ndërtimet pa leje”. 
Kërkesa
Pas miratimit të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.9482 datë 03.04.2006, “Për Legalizimin, urbanizimin dhe Integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, një grup deputetësh socialistë iu drejtuan përmes një kërkese Gjykatës Kushtetuese, për ta shpallur antikushtetues ligjin pasi sipas tyre, ALUIZNI në zbatimin e këtij ligji merr kompetencat e pushtetit vendor të përcaktuara në Kushtetutë. Në kërkesën e tyre, ata argumentonin faktin që ALUIZNI, një agjenci shtetërore, ka marrë të gjithë detyrat dhe kompetencat e bashkisë, detyrime që ligji i mëparshëm ia atribuonte atyre. Ndryshe nga kërkesa e kohëve më parë nga shoqata e ish-pronarëve, “Pronësi me drejtësi” në Gjykatën Kushtetuese, që kishte të bënte me marrjen parasysh të së drejtës të tyre mbi pronën, pasi ligji i ri po bënte pronarë legjitimë ata njerëz që kishin zaptuar pronat në mënyrë të paligjshme, socialistët në këtë rast kërkuan vetëm mbrojtjen e kompetencave të pushtetit vendor në zbatimin e ligjit të Legalizimeve. Socialistët kërkuan shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kartën e Autonomisë Vendore, si marrëveshje ndërkombëtare të Ligjit Nr 9895 datë 09.06.2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.9482 datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, urbanizimin dhe Integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar dhe shfuqizimin e disa neneve të këtij ligji. Gjithashtu, deri në dhënien e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, socialistët kërkuan pezullimin e zbatimit të këtij ligji, pasi sipas tyre zbatimi i tij do të sillte pasoja mjaft të rënda si për shtetin, për shoqërinë dhe për individin. Por gjykata e hodhi poshtë kërkesën e parë e pezullimit të zbatimit të ligjit. Në kërkesën e tyre socialistët e konsideronin procesin e legalizimit dhe urbanizimit të ndërtimeve informale një proces me rëndësi kombëtare dhe me ndikim politik, por sipas tyre këto nuk duhet dhe nuk janë argumente të mjaftueshme, që ligji në fjalë jo thjesht të përjashtonte organet e pushtetit vendor nga një rol i dorës së parë në të, por dhe të cenonte përtej çdo lloj proporcionaliteti dhe arsyeshmërie prerogative, që Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Autonomisë Vendore i njohin pushtetit vendor.

Topi ia ktheu Legalizimet qeverisë

Presidenti Bamir Topi ia ktheu për rishqyrtim ligjin për Legalizimet Parlamentit. Vetëm nëntë muaj pas marrjes së detyrës në krye të shtetit, kreu i shtetit nuk firmosi një ligj të rëndësishëm të qeverisë të miratuar me votat e maxhorancës. “Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”, është shprehur Presidenti përmes përfaqësuesit juridik të tij pas miratimit të ligjit nga maxhoranca. Ligji u miratua me votat e maxhorancës me vetëm 52 vota, ndërsa republikanët, socialistët, por dhe grupet e interesit i kërkuan kreut të shtetit, që të kthente sërish në Parlament ligjin e Legalizimeve.

Cilat dispozita shkel ligji

Ligji shkel parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore

ALUIZNI jep lejen e legalizimit e më pas përfituesi e regjistron ndërtimin në zyrën e ZRPP, duke qenë në të njëjtën kohë dhe leje shfrytëzimi

Nxjerr jashtë loje punën e zyrës të Urbanistikës së njësisë vendore, që merrej me përpilimin e dokumentacionit, verifikimin në vend të objektit dhe standardin që ai plotëson

Cenon të drejtat e pushtetit vendor, në planifikimin urban, menaxhimin e tokës urbane

I heq mundësinë pushtetit vendor të vjelë taksën e legalizimit, duke e marrë atë pushteti qendror përmes ALUIZNI-t

ALUIZNI merr në shqyrtim dhe miraton më pas dhe lejen e legalizimit për ndërtimet pa leje dhe shtesat në ndërtimet pa leje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›