E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjashtë pikat e Ban Ki Munit, të pavlera pa pëlqimin e Kosovës”

 

Ferdinand Dervishi

Fatmir Limaj, Ministri i Transporteve të Kosovës, është një bashkëbisedues i kujdesshëm. Një nga ata politikanë të ftohtë, që nuk e kanë të vështirë të shprehen shkurt dhe qartë për një temë të caktuar. Kështu edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat të gjitha kanë për emërues të përbashkët binomin EULEX dhe propozimin prej gjashtë pikash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. “Është e thjeshtë një përgjigje për gjashtë pikat e Ban Ki Mun. Shkurt propozimi i tij nuk mund të zbatohet përsa kohë populli i Kosovës është kundër së bashku me institucionet dhe ligjet që ato kanë emetuar”, e përmbledh në pak fjalë Limaj, atë që po ndodh dhe që duket se do të vazhdojë të ndodhë në Kosovë përsa i përket këtyre zhvillimeve. Jashtë çështjes së EULEX dhe propozimeve të Ban Ki Mun, Limaj jep përgjigje me detaje të avancuara edhe për planet e Qeverisë së Kosovës, për ndërtimin e pjesës së saj të autostradës që niset nga Durrësi, për energjetikën dhe planet e përbashkëta me Shqipërinë, për arrestimin e tri “agjentëve” gjermanë...
Zoti Limaj, a mund të na sqaroni situatën e krijuar në Kosovë pas miratimit nga Këshilli i Sigurimit të planit prej gjashtë pikash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun? A do të zbatohen këto propozime? Si do të vejë filli i misionit ndërkombëtar EULEX dhe cili supozohet të jetë qëndrimi përfundimtar i Qeverisë dhe vetë popullit të Kosovës në lidhje me këto zhvillime?
Kosova i ka refuzuar propozimet e Ban Ki Mun dhe ato nuk mund të zbatohen në terren, pasi janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën e Pavarësisë. Ky është dhe qëndrimi i patundur i Qeverisë së Kosovës. Gjashtë pikat në vetvete janë një sistem i dyfishtë administrimi apo qeverisjeje në sistemin e drejtësisë, policisë, doganave, infrastrukturës, arsimit dhe trashëgimisë kulturore. Pra shqiptarët duhet të qeverisen më vete dhe pakica serbe më vete. Shkurt një plan që e ndan Kosovën. Por këtu nis dhe mbaron, pasi asgjë nuk mund të vendoset pa mendimin e popullit të Kosovës. Sovrani është ai që pranon ose jo dhe në këtë rast populli u ka thënë “jo” propozimeve të Ban Ki Mun. Ndërsa misioni EULEX u planifikua në planin Ahtisari. Ai është parashikuar të instalohet në Kosovë filluar nga data 9 dhjetor, nëse duk do të ketë një shtyrje afati. Ai mision është ftuar në interes të Kosovës, për të ndihmuar në fuqizimin e zbatimit apo sundimit të ligjit dhe për të përgatitur Kosovën për faza të reja. EULEX është parallogaritur të jetë një mision mbështetës në interesin tonë, pra të vetë shqiptarëve me qëllim final garantimin e mosndarjes së vendit dhe jo me qëllim të kundërt. Ndërsa EULEX tani po na konfigurohet me rolin e mbikëqyrësit të planit gjashtë pikësh të Ban Ki Mun. Pra aktualisht nuk kemi një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi, por kemi një “jo” të fortë të të gjithë shqiptarëve për gjashtë pikat e Ban Ki Mun. Ne mendojmë se ky qëndrim yni nuk ka se si të sjellë pasoja, pasi Kushtetuta e Kosovës, që nuk parashikon ndarjen e saj, është hartuar edhe me miratimin e faktorit ndërkombëtar. Fundja ne nuk kërkojmë asgjë më tepër sesa zbatimin e projekteve të Ahtisarit, që janë parashikuar në Kushtetutë.
Zoti Ministër, duke Qeveria Shqiptare e ka marrë shumë seriozisht ndërtimin e një autostrade që do shërbejë si urë lidhëse mes dy pjesëve të një kombi, madje ka premtuar ta inaugurojë në fillim të verës së ardhshme. Qeveria e Kosovës ka shprehur edhe ajo interes dhe ka premtuar që të bëjë pjesën e saj, apo pjesën tjetër nisur nga kufiri në Morin të Kukësit. Në çfarë niveli gjendet tashmë kjo ide?
Jemi duke u marrë shumë seriozisht me këtë premtim. Kemi shpallur një ofertë që quhet “shprehje interesi” dhe aktualisht përmbi 30 kompani janë në fazën e parakualifikimit. Gjithashtu kanë ecur edhe procedurat për një kompani konsultuese. Të hollat që duhen nuk do të jenë të buxhetit të shtetit, pasi të ardhurat tona janë të kufizuara, por është parashikuar që rruga të ndërtohet qoftë me kredi, qoftë me koncesion. Ndërkohë projekti është bërë gati, kanë mbetur fare pak detaje që janë ca matje gjeo-mekanike në terren. Autostrada do të jetë e stilit klasik, me katër korsi, do nisë në kufi, në Morin, do shkojë në Prishtinë dhe do përfundojë në Merdare, pra në kufi me Serbinë. Nëse nuk do të na dalë ndonjë pengesë e paparashikuar, në qershor të 2009 ne do të jemi gati për të nisur, pra ka shumë mundësi që në këtë kohë të hapet tenderi për nisjen e punimeve.
Zoti ministër, kohët e fundit Shqipëria është duke bërë disa marrëveshje të shoqëruara me shumë publicitet në fushën e energjetikës. A ka plane të përbashkëta me Kosovën në këtë fushë?
Unë nuk jam shumë kompetent në këtë fushë, kemi edhe ne një ministri për këtë qëllim, por di të them se edhe Kosova nuk e ka krejt të zgjidhur këtë problem, edhe tek ne ka ndërprerje të energjisë elektrike. Di që ka bisedime mes Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim në këtë sektor për të shfrytëzuar resurset e përbashkëta. Aktualisht për të zgjidhur nevojat tona për furnizim me energji, ne kemi hedhur hapa për ndërtimin e një termocentrali të ri në Obiliq dhe më tej në planet tona është edhe ndërtimi i një hidrocentrali në Zhur, pra në kufi me Shqipërinë. Me këto dy burime kemi përllogaritur se, nëse vihen në punë, jo vetëm që sigurojnë nevojat tona, por na lejojnë edhe të bëjmë eksport.
Pak ditë më parë, në Kosovë u arrestuan tre nënshtetas gjermanë të akuzuar për vënien e shpërthimin e një bombe. Si është e vërteta? A mund të dëmtojë kjo ngjarje marrëdhëniet shumë të mira të Kosovës me Gjermaninë?
Ata u ndaluan nga policia dhe u lanë të lirë nga gjykata, që cilësoi veprimet e rendit si “dyshime të pabaza”. Pra ata u lanë të lirë dhe ne mendojnë se janë të pafajshëm. Politika në Kosovë i respekton institucionet dhe nuk mund të ndërhyjë dhe paragjykojë as punën e policisë as atë të gjykatave. Për më tepër që gjithçka monitorohet ende nga faktori ndërkombëtar. Kjo ngjarje nuk ka se si të cenojë marrëdhëniet tona shumë të mira me Gjermaninë. 

kosova
Pozicionimi aktual i popullit dhe Qeverisë së Kosovës është kundër zbatimit të planit të Ban Ki Mun për ndarjen e institucioneve. Megjithë miratimin e këtij raporti në Këshillin e Sigurimit, qeveria kosovare beson se EULEX do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe do të funksionojë vetëm sipas planit Ahtisari dhe Kushtetutës së vendit

eulex
Misioni EULEX u parashikua në planin Ahtisari. Qëllimi i misionit është për të ndihmuar në fuqizimin e zbatimit apo sundimit të ligjit dhe për të përgatitur Kosovën për faza të reja. Ky mision kishte për qëllim garantimin e mosndarjes së vendit. Por pas miratimit të gjashtë pikave të Ban Ki Mun, EULEX po konfigurohet me rolin e mbikëqyrësit të këtij plani

Autostrada
Sipas ministrit Limaj, pjesa e autostradës Durrës – Kukës, që do të vazhdojë në territorin e Kosovës, do të nisë të ndërtohet në verën e vitit 2009. Të hollat nuk do të jenë të buxhetit të shtetit të Kosovës, por është parashikuar që rruga të ndërtohet me kredi ose me koncesion. Projekti është bërë gati, autostrada do të jetë me katër korsi dhe do shkojë deri në kufi me Serbinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›