E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Topi, në ujdi me Ramën për emrin e Sali Shehut

Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar, votimit të së enjtes së kaluar në Parlament, ku u rrëzua kandidatura e Sali Shehut për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në pjesën me dyer të mbyllura të takimit të përjavshëm me deputetët demokratë, kreu i maxhorancës është shprehur se mes Presidentit dhe liderit të opozitës ka pasur një marrëveshje për të dekretuar ish-deputetin e PD-së. Presidenti Topi ka rënë në ujdi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të dërguar në Parlament kandidaturën e Sali Shehut. Por, në votimin e së enjtes ne kemi mbajtur një qëndrim parimor, në respekt të ligjeve të vendit, mësohet të jetë shprehur Kryeministri në këtë mbledhje. Sipas tij, në këtë periudhë, kur pritet që Presidenti të dekretojë një tjetër emër për postin e kreut të KLSH-së, së bashku me Parlamentin duhet të ketë konsultime paraprake. Sipas maxhorancës, bisedimet mes dy institucioneve janë përcaktuar edhe në një interpretim që i ka bërë Kushtetutës Gjykata Kushtetuese në qershor të këtij viti. Në të kundërt, sipas Kryeministrit, shumica nuk do të votojë asnjë kandidaturë të pakonsultuar më parë. Nëse do të vazhdohet kështu, ne nuk do të kemi asnjë kthim mbrapa, mësohet të ketë thënë Kryeministri në mbledhjen e djeshme. Në takimin e mbajtur në një nga sallat e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit ka munguar deputeti Gazmend Oketa, i cili ishte i vetmi që votoi pro kandidaturës së Sali Shehut në Kuvend. Dy ditë më parë ishin deputetët demokratë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve që i kërkuan Presidentit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tu konsultuar me Parlamentin përpara se të dekretojë emrin e ri për kreun e KLSH-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›