E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Votova pro Meksit, smund të dilja kundër Shehut

Deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, shprehet se Sali Shehu, kandidati i propozuar nga Presidenti Topi për kreun e KLSH-së, i plotësonte kriteret që kërkon ligji për të drejtuar këtë institucion dhe prandaj ai ka votuar pro. Në një komunikim në rrjetin social Facebook, ish-ministri i demokratëve flet edhe për votën e tij kundër ligjit të importit të plehrave.
Vota pro Shehut
Sipas Oketës, sa për votimin e dekretit pro zotit Shehu, disa nga komentet e ardhura nga anëtarë të PD-së më pyesin përse votova një anëtar të PD-së dhe, për më tepër, me kontribute në PD. E kam vështirë të gjej përgjigje për një pyetje të tillë. Zoti Shehu ka qenë për tetë vjet anëtar i Komisionit të Ligjeve, deputet, ligjbërës, e thënë shkurt. Dhe, sipas ligjit për KLSH-në, kryetari mund të jetë jurist apo ekonomist. Deputeti i PD-së thotë gjithashtu se në seancën e të enjtes së kaluar kur u votua pro kandidaturës së Ermelinda Meksit si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ai nuk mund të votonte kundër një ish-deputeti të PD-së për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ju siguroj se nuk kam dashur aspak të cenoj apo ofendoj ish-kryetarët e KLSH-së. Përkundrazi, shpreh vlerësimin tim për të gjithë ata. Ajo që unë kam thënë lidhur me teserën, nuk ka lidhje me ata. Ju kujtoj se të enjten bashkuam votat me PS-në për të votuar një deputete të PS-së për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe unë e votova me shumë respekt, por nuk mund të lija pa votuar ish-kolegun tim, shprehet më tej Oketa.
Të enjten e kaluar vota e Oketës ishte e vetmja pro kandidaturës së Sali Shehut për shkak se deputetët e PD-së votuan kundër dhe ata të PS-së abstenuan.
Vota kundër plehrave
Në të njëjtën kohë, deputeti i Partisë Demokratike flet në bashkëbisedimin me miqtë e tij në Facebook edhe për votën kundër ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ai shprehet se në parim ishte pro këtij ligji, por kundër nenit që ka të bëjë me importin e mbetjeve nga jashtë vendit. A ka nevojë për arsye tjetër, kur shumica e qytetareve janë kundër? Deputetët paguhen nga taksat e qytetarëve për të mbrojtur interesat e qytetarëve, dhe jo interesat e tyre. Unë e kam thënë se në parim jam dakord me ligjin, por jo me importin. Ne nuk vuajmë nga ligjet e këqija, por nga mosrespektimi i tyre. Për këtë arsye jam kundër importit të plehrave. Po jap një shembull të njohur për të gjithë. Ne kemi në fuqi një ligj, i cili ndalon duhanin në ambiente publike. A respektohet ky ligj? Nëse jo, përse?, shprehet Oketa. Sipas tij, më parë se të importojmë, unë mendoj se ne duhet të punojmë për të futur kulturën e duhur në trajtimin e mbetjeve tona, të cilat i kemi me tepri. Më pas, kur të vijë një brez më pranë kulturës europiane apo të BE-së, ligji le të rishikohet. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u votua për herë të dytë në Parlament, pasi herën e parë ai u kthye nga Presidenti pikërisht për shkak të nenit për importin e mbetjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›