E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Dialogu konstruktiv, kambanë alarmi për politikanët

Drejtori i BE: Duhen përmbushur 12 kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë i merituar. Berisha: Të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar duhet të votohen me konsensus.

"Dyert e Europës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar", deklaroi dje drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Stefano Sanino, gjatë takimit që zhvilloi me presidentin Bamir Topi. Sanino takoi dje dhe kryeministrin Berisha, të cilin e risiguroi se Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimit Sanino vuri në dukje se është detyra e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit. Nga ana e tij, Presidenti Topi e vlerësoi këtë vizitë si një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes së plotë që Bashkimi Europian i jep vendit tonë me qëllim arritjen e standardeve integruese dhe realizimit të aspiratës sonë për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.

Gjatë bashkëbisedimit, Topi nënvizoi faktin se anëtarësimi në BE vijon të mbetet një aspiratë me interes kombëtar dhe përparësi madhore për Shqipërinë. Ai e cilësoi të domosdoshme që klasa politike shqiptare, së cilës i adresohet kryesisht dhe raporti i bërë publik disa ditë më parë, të arrijë të reflektojë seriozisht mbi rezultatet e tij dhe të dijë të shohë e t’i vlerësojë si një mundësi dhe shans sugjerimet e partnerëve tanë europianë duke realizuar reformat e nevojshme në luftën kundër korrupsionit, për konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe për garantimin e një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e këtij vendi. "Nevoja për një dialog konstruktiv dhe institucional nuk është më vetëm një kërkesë, por ajo duhet të tingëllojë tashmë si një kambanë alarmi për t’i rikujtuar klasës politike shqiptare angazhimin e marrë përpara votuesve shqiptarë, përgjegjësinë për të mos humbur më kohë në arritjen e një misioni historik, atë të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe faktin se vetëm bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një ndër shtyllat bazë për një demokraci funksionale", u shpreh kreu i shtetit.

Berisha

Në takimin e Kryeministrit me Drejtorin e BE-së u theksua se e rëndësishme në këtë moment është që të shikohet përpara drejt hapave të mëtejshëm për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, reforma zgjedhore dhe ajo e rregullores së Parlamentit si dhe adresimi i rekomandimeve të Komisionit Europian janë aspekte të rëndësishme ku duhet përqendruar vëmendja e të gjithë aktorëve politikë që këto procese kërkojnë. Kryeministri theksoi se është në interesin e të gjitha forcave politike, por në mënyrë të veçantë të qytetarëve shqiptarë, që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votohen me konsensus.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›