E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Tragjedia mund të përsëritet në gjithë vendin”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Tragjedia e Gjirokastrës mund të përsëritet, nëse nuk merren masa të shpejta për të verifikuar sigurinë e ndërtesave në këtë qytet dhe në të gjithë vendin. Shefi i mazhorancës qeverisëse, Sali Berisha, në raportimin e tij të përjavshëm përballë deputetëve demokratë, e përshkroi situatën në qytetin e jugor si të rëndë dhe, për më tepër, sipas tij, Kodra e Shtufit paraqet rrezik për banorët. Berisha, i cili shkoi në Gjirokastër menjëherë pas ngjarjes së rëndë, kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, dhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, njëkohësisht deputet i Gjirokastrës, që "të krijojnë me urgjencë një grup pune me gjeologë dhe ekspertë të fushave, për të vlerësuar gjendjen e kodrës ku ndodhej pallati në Gjirokastër dhe pranë të cilit po ndërtohej një godinë e re". “Përmasat e ngjarjes janë shumë tragjike. Dje në mesditë ne mund të kishim pasur edhe 40 apo 50 jetë të humbura. Me këtë rast, dua të theksoj se qëndrimi ynë nuk mund të jetë kurrë morali i zotit Rama. Ne, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk do të brohorasim ndonjëherë “rroftë vdekja, poshtë opozita”. Ne kërkojmë hetimin më të plotë të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila tronditi thellë qytetin dhe Shqipërinë. Drejtësia duhet të vendosë para ligjit të gjithë autorët, ata që shkaktuan këtë akt shumë të rëndë. Drejtësia duhet të zbërthejë tërësisht zinxhirin e përgjegjësive për këtë ngjarje. Është i domosdoshëm një studim tërësor gjeologjik i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër, por edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë, e bën në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër. Kjo ngjarje jep mësimin se, nëse jepet një leje e paligjshme, që kërcënon jetë, kjo e drejtë “varroset” në Policinë Bashkiake. Njihen rastet kur Policia Ndërtimore dërgon fadromat tek një objekt, si rasti “Kokona”. I thotë: zoti kryetar, duhen 5 ditë dhe ai i tha: “O Llesh, unë të kam vënë aty për Llesh e jo për ligj”. Kështu që, duhet të kemi parasysh edhe sjelljen e kryetarit ndaj vartësve. Ne do t i dalim zot ligjit dhe do të gjejmë mekanizmat me të cilat Inspektorati qendror do të aktivizojë në kohën më të shkurtër Këshillin qendror të Rregullimit të Territorit, për të marrë vendimet e duhura në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe të të drejtave të tyre. Pra, është e domosdoshme që të bëhet një shqyrtim i përgjithshëm i situatës së rrezikut që ekziston nga ndërtimet, për Gjirokastrën në veçanti dhe Shqipërinë në tërësi dhe të merren të gjitha vendimet e duhura”, - përfundoi Berisha.

Grup pune për rivlerësimin e ndërtimeve

Kryeministri u ka bërë të qartë dje dy ministrave të linjës, atij të Transporteve dhe Telekomunikacionit, Olldashi, dhe të Ekonomisë, Ruli, që të ngrenë një grup punë për të shqyrtuar ndërtimet në gjithë Kodrën ku u shemb pallati dhe godinave përreth. Berisha tha: “Zoti ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ministër i Ekonomisë, njëkohësisht edhe deputet i Gjirokastrës, me urgjencë do të ngrini një grup pune me gjeologë dhe ekspertë të fushave, në mënyrë që të shqyrtohet situata e asaj kodre, sepse aty ka edhe ndërtesa të tjera, ndërkohë që ne duhet të ndërhyjmë me urgjencë, ose ta evakuuojmë ashtu siç mund të na këshillojnë specialistët, ose ta blindojmë dhe çimentojmë atë. Gjithsesi, do të pritet mendimi i specialistëve. Propozimi dhe kërkesa e qytetarëve të Gjirokastrës ishte kjo: “Zoti Kryeministër, kjo zonë ka rreziqe të shumta, prandaj ju lutemi të krijoni një komision për verifikimin e kësaj situate”. Ndaj ky komision duhet të krijohet menjëherë. Sikundër, Ministria e Brendshme duhet të sjellë të gjitha vendimet për të ndihmuar familjet e dëmtuara. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij akti shumë të rëndë të kapërcehet, sikundër, drejtësia, me vendosmëri, të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij”.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›