E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-Vasili: “Tragjedia nga korrupsioni konsensual PS-PD”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizia Socialiste për Integrim, në një dalje publike ka bërë me faj dhe ka akuzuar PS-në dhe PD-në për tragjedinë e shembjes së një pallati në Gjirokastër. Nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm, Petrit Vasili, LSI, është shprehur se “jemi të indinjuar, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, për këtë tragjedi të tmerrshme të prodhuar nga korrupsioni, tashmë konsensual PS-PD, i cili gjallon në pushtetin aktual dhe mbrohet nga qeveria e Sali Berishës, për hir të atyre aferave ndërtimore dhe politike”. Vasili ka shtuar më poshtë duke thënë se: “LSI është mjaft e tronditur, ashtu siç janë të gjithë qytetarët shqiptarë, lidhur me tragjedinë e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Publikisht, shumë sinqerisht dhe me dhimbje të madhe i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës, e cila u nxor pa jetë nga rrënojat e pallatit të shembur. Gjithashtu ne kemi shpresën dhe lutemi, që edhe në këtë moment që kërkimet vazhdojnë të ketë të mbijetuar dhe jeta e tyre të kursehet nga kjo tragjedi. Njëkohësisht ne jemi të indinjuar, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, për këtë tragjedi të tmerrshme të prodhuar nga korrupsioni, tashmë konsensual PS-PD, i cili gjallon në pushtetin aktual dhe mbrohet nga qeveria e Sali Berishës, për hir të atyre aferave ndërtimore dhe politike, të cilët ashtu sikurse shembën themelet e shtetit, që është Kushtetuta, po shembin edhe pallatet, banesat e qytetarëve dhe abuzivizmi dhe arroganca korruptive, tashmë, me dy autorë, Rama dhe Berisha. Në këtë ngjarje që ka një vendndodhje konkrete dhe përgjegjësi konkrete, përgjegjësi i parë, është ai që drejton pushtetin lokal, kryetari i Bashkisë, Flamur Bime, dhe duhet dorëheqja e menjëhershme e tij. Kështu që përgjegjshmëria fillon këtu dhe ne do të insistojmë që kësaj përgjegjshmërie t i shkohet deri në fund”, - përfundoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›