E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Transparenca është si rrezja e diellit, lufton çdo paudhësi e virus korrupsioni

Qeverisja e Berishes ne nje moment transparence

Kryeministri Sali Berisha foli gjatë në mbledhjen e qeverisë për suksesin e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. Ai tha se vendi është bërë ekonomia më e zhvilluar në Europë bashkë me Gjermaninë, për shkak se është luftuar korrupsioni. E meqë në raportin e fundit të zgjedhjeve, Berisha u ngjit pas fjalës transparencë, e përdori jo pak në këtë mbledhje qeverie. Edhe pse transparenca në këto zgjedhje shërbeu për të nxjerrë në dritë shkeljet e KQZ, të Kolegjit, grabitjen e mandatit në Tiranë dhe mbushjen e kutive me vota, sërish kryeministri beson se vetëm transparenca lufton çdo të keqe në vend. Por kur vjedh për dritë të diellit, a është e mirë transparenca?

Më poshtë është një pjesë nga fjala e Berishës në mbledhje qeverie.

Lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet parimi më themelor, është dhe do mbetet reforma e të gjitha reformave të këtij vendi. Kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme është dhe mbetet lufta kundër korrupsionit. Kjo është një betejë e pandërprerë.

Historia e korrupsionit është historia nga më të dhimbshmet. Ai përbënë një nga abuzuesit kryesore më liritë e të drejtat e qytetarëve. Ai krijoi tek shqiptarët me skemat piramidale tronditjen më të madhe. Ai krijoi në botë me krizën e fundit një nga tronditjet më të mëdha që nga vitet 30 deri më sot.

Korrupsioni ka bazë gjenetike, në sensin që njeriu është lakmitar dhe vështirësia e ndarjes së lakmive të tepërta, bën që individi të rrëshqasë. Ndaj është detyra e institucioneve shtetërore që ta mbrojmë atë që të mos bjerë në korrupsion.

Një mik i imi, i cili shërbeu për disa vite në Vienë, më thotë në një bisedë në karrierën time të avokatisë kam pasur shumë klientë që kishin vjedhur 1 bilion, por asnjëri nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë për të vjedhur një bilion tjetër.

E thashë këtë pasi ne në të gjitha praktikat kemi bërë shumë për transparencën, por ne duhet të vazhdojmë këtë betejë çdo orë, çdo minutë, çdo ditë.

Themeli i suksesit të modelit ekonomik të Shqipërisë, i pranuar universalisht, mos harrojmë se Shkolla Botërore e Ekonomisë tha se Shqipëria e Gjermania kanë dy ekonomitë më stabël, dhe unë u garantoj ju se kjo është para së gjithash rezultat i luftës kundër korrupsionit. Pa luftën kundër korrupsionit, këto do ishin reforma të vdekura.

Ne kemi vendosur standardet më transparente, u shndërruam në vendin e parë në Europë e botë me prokurime online. Ne do bëjmë që çdo procedurë të jetë transparente, në mënyrë që reformat tona të kenë sukses të plotë.

Reformat janë perpetum mobile. Një gjë është kryesore, vazhdimi pa ndërprerë i reformave. Ndaj dhe, duke vendosur transparencën si qëllimin më themelor të veprimtarisë sonë, ne realizojmë çdo reformë. Transparenca është rreza e diellit, që godet, dezinfekton të gjitha viruset e korrupsionit dhe të paudhësive. Në çdo qelizë duhet të përpiqemi të shohim nëse futet rrezja e diellit.

Jam i inkurajuar që bashkia e Tiranës, po shqyrton mundësinë e lejeve të ndërtimit one stop shop, të cilat ishin shndërruar në një mjet të tmerrshëm, duke e renditur bashkinë në vendin e 173-të në botë. Mirëpo ajo rrezatonte ndjeshëm në gjithë vendin.

Kjo qeveri është dhe do mbetet qeveri e transparencës së plotë. E transparencës në çdo procedurë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›