E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Trebicka përçmoi ofertën për deputet të Ramës

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën se nuk përshëndeti  vendimin e SHBA-së për miratimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas tij, opozita e drejtuar nga Rama është e zhytur në një krizë të thellë. Kryeministri Sali Berisha iu është kundërpërgjigjur debateve në Parlament, duke deklaruar se opozita në vend që të përshëndeste miratimin e Protokollit të NATO-s, ka iniciuar protesta boshe. "Ju jetoni në një krizë të thellë, në një krizë të tmerrshme, të pashpresë, shtrëngimet shpirtërore, shpërthimet emocionale. Prisja të përshëndesnit vendimin e Kongresit amerikan, por nuk e bëtë atë. "U thirr mitingu famëkeq i katër prillit, në një kohë që udhëheqja politike ishte ftuar në Zagreb nga Presidenti Bush për të festuar aktin madhor të historisë, votëbesimin që mori Shqipëria nga 26 vende anëtare, Rama thirri mitingun në të cilin spikatën dhe portretet e Enverit dhe flamujt e rreckosur të Internacionaleve dhe çdo gjë tjetër veç flamurit ngadhënjimtar të NATO-s", deklaroi Berisha. Sipas kryeministrit, opozita manipuloi dhe vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. "Ku ishit ju kur Komisioni i Jashtëm votoi protokollin? Ju manipulonit të vdekurit, ju shpallni të vdekur të ekzekutuar, të rënë në aksident. Ju thërrisni mitingje për një profani makabre masive, ju keni kryer aktin madhor të profanisë kolektive, në Evropë, në botën e qytetëruar nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë, akti i tillë. Askush nuk ka thirrur miting për të manipuluar të vdekurin, për të shpallur të ekzekutuar njeriun që vdiq në aksidentin automobilistik", deklaroi Berisha. Ndërsa theksoi se "e bëtë këtë pasi nuk e korruptuat dot (Trebcikën), pasi u tregua i pakorruptueshëm nga ju, pasi i hodhi përçmim të gjitha ofertat tuaja, qoftë prej gjysmë milion euro apo listën e deputetëve. Po, dhe nuk iu ndatë as për së vdekuri një njeriu, por kjo është makabre". "Edhe pasi u konfirmua katërcipërisht me ekspertë nga më të shquarit në botë se ishte aksident, asnjë nga ju në të cilën thatë se kush le të vdesë, ju që deklaruat se Shqipëria u përdhunua, ju që deklaruat se kjo ishte vrasja e shekullit, nuk morët përsipër që të kërkoni ndjesë, të falur, si aktin më minimal që mund të bëni. E bëtë këtë vetëm për NATO-n, për të rrëzuar dhe shumuar aktin madhor historik të kongresit të SHBA", deklaroi Berisha. Seanca e Kuvendit është ndërprerë nga Topalli, pasi kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj kërkoi të replikonte. Pas disa qetësimesh ka reaguar dhe Leskaj, e cila ka deklaruar se opozita ka qenë pro proceseve integruese në NATO dhe në BE. Sipas saj, "Kryeministri përsëri u përpoq të privatizojë ftesën në NATO, duke akuzuar kryetarin e opozitës se ka qenë kundër NATO-s. Unë besoj se kjo është gjëja më e turpshme që mund të deklaronte Kryeministri sot këtu, për shkak se ishte opozita e para që bëri rezolutën për anëtarësimin në NATO". "Kryeministri e ka të vështirë të pranojë dhe të ironizojë protesta qytetare dhe civile që bën opozita, sepse kryeministri është mësuar që të bëjë protesta me arkivole në krah dhe me bomba. Kjo është diferenca e vështirësia që kryeministri të pranojë një protestë qytetare, gjithsesi dua të them se vrasja e shekullit është Gërdeci. Është Gërdeci që rëndon në kurrizin e kryeministrit dhe të kësaj qeverie dhe jo opozita", deklaroi Leskaj. Ndërsa replika, Berisha ka shkëmbyer me deputeten e PSD-së, Diana Çuli, në lidhje me lirinë e medias në vend.

replikat

Sali Berisha: Rama thirri mitingun në të cilin spikatën dhe portretet e Enverit dhe flamujt e rreckosur të Internacionaleve dhe çdo gjë tjetër, veç flamurit ngadhënjimtar të NATO-s. Po, po dale, dale se janë filmuar të gjitha, ka një memorie filmike ky komb. Dilni o ju ishët e mi e përshëndetni momente historike, mos u llakaçisni, mos u përbaltni krejt, në të cilën ai që gjoja ju drejton, ai ju nxit më thellë ju o xhaketat e vjetra të PS-së.
Valentina Leskaj: Kryeministri e ka të vështirë të pranojë dhe të ironizojë protesta qytetare dhe civile që bën opozita, sepse kryeministri është mësuar që të bëjë protesta me arkivole në krah dhe me bomba. Kjo është diferenca e kjo vështirësia që kryeministri të pranojë një protestë qytetare, gjithsesi dua të them se vrasja e shekullit është Gërdeci. Është Gërdeci që rëndon në kurrizin e kryeministrit dhe të kësaj qeverie dhe jo opozita.
Diana Çuli: Duke iu referuar raportit të reporterëve pa kufij, lira e medias në Shqipëri është në nivelin e Zambias. KKRT-ja nuk është e pavarur, TVSH e njëanshme. Këto vijnë si pasojë e ndikimeve të qeverisë.
Sali Berisha: E nderuar zonjë, qeveria ka çliruar mediat nga çdo formë presioni. Qeveria s'mund të kontrollojë opozitën, një maniak i tmerrshëm që u çon çdo sekondë mediave mesazhe. Qeveria s'mund të kontrollojë opozitën, se ai përjashton të gjithë bashkëpunëtorët e tij nga televizioni i tij dhe pastaj i thotë se e përjashtoi qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›