Lorik Cana, më i zhgënjyer se kurrë: Unë i urrej humbjet
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana përjetoi një javë tmerrësisht të keqe me dy humbje që djegin shumë: 2-0 kundër PSV Eindhovenit në Holandë dhe 2-4 kundër ish-ekipit të tij, Paris SG për javën e 10-të kampionatit francez. Kapiteni i Olimpikut të Marsejës sërish u sakrifikua në mbrojtje nga trajneri belg, Erik Gerets, por të paktën në tre nga katër golat e shënuar nga parizienët, sipas gazetën më të madhe sportive franceze “L’Equipe”, faji ishte i tij. Një përgjegjësi e pranuar edhe nga vetë mesfushori shqiptar. Gjithsesi, Gerets e mbrojti zgjedhjen e tij, duke pohuar se Cana është duke bërë një sezon të madh në Ligën e Parë franceze. I prezantuar si lojtari që nuk do të humbiste kurrë një “klasiko” në Francë, kësaj radhe Lorik Cana nuk mundi të bënte asgjë. Kapiteni shqiptar i Marsejës mendon se kjo ndeshje nuk përcakton asgjë. “Është një mbrëmje (e së dielës) pak e vështirë për t’u tretur nga ne. Dëshironim të merrnim pikët, e dinim rëndësinë e kësaj ndeshjeje, pasi kërkonim menjëherë një fitore pas humbjes në Ligën e Kampioneve. Kemi humbur për detaje, por dhe momentet kyçe të ndeshjes ishin kundër nesh. Ekipi dha shumë dhe është e vështirë të humbasësh, por ne nuk do ta ulim kokën poshtë. Jemi akoma kompetitivë në kampionat. Unë i urrej humbjet dhe mendoj se është momenti që dhe shokët e mi ta bëjnë këtë gjë. Kemi shumë gjëra për të rregulluar dhe është e rëndësishme që lojtarët të vazhdojnë të japin maksimumin. Unë nuk e mendoj këtë si një goditje. Ne e kemi krenarinë e duhur për t’u rinisur”, - tha Cana. Të mërkurën Marseja do të luajë në transfertë kundër Nantës, dhe një humbje e tretë radhazi mund t’i përkeqësonte shumë punët.