E Diel, 1 Nëntor 2026

Parapagimi, truku i tatimeve

Një studio kontabiliteti, që mban llogaritë e disa firmave, pohon se shuma që këto firma duhet të parapaguajnë si tatim-fitim për muajt e parë të vitit 2008 është shpesh e njëjtë apo më e lartë se ajo që kishin paguar në vitin 2007. "Parapagimi i tatim-fitimit për një farmaci vitin e kaluar ishte 25000 lekë në muaj dhe këtë vit prisnim që të ishte disi më i ulët, për shkak të përgjysmimit të tatim-fitimit nga 20% në 10%". Por parapagimi i caktuar nga tatimet për 2008-ën ishte 28000 lekë në muaj, pavarësisht se farmacitë punojnë me çmime të kontrolluara dhe është e lehtë të vlerësohet norma e fitimit për to. E njëjta gjë dhe për firmat e tjera të kësaj studioje dhe disa studiove të tjera. "Në rast se paguani tepër do të rimbursoheni në fund të vitit", ka qenë argumenti i përhershëm i tatimorëve.

Në bazë të ligjit, tatim-fitimi që duhet të parapaguhet për 4 muajt e parë të vitit caktohet sipas fitimit në bilancin e dy viteve më parë (në këtë rast të 2006-ës). Ndërsa për 8 muajt e ardhshëm bazohet në bilancin e një viti më parë (pra 2007-ës në këtë rast). Në rast se në fund të vitit konstatohet se biznesi ka parapaguar tepër, atëherë atij i lind e drejta e rimbursimit, proces që ndonjëherë zgjat për një kohë të gjatë.

Tatimet tejkalojnë planin...

Ndryshe nga sa pritej dhe nga sa ishte planifikuar, tatimorët dhanë një rezultat surprizë në deklarimin e të ardhurave nga tatim-fitimi i tremujorit të parë të vitit 2008. Të ardhurat nga tatim-fitimi ishin planifikuar 3.7 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2008, rreth 30% më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të 2007-ës, kryesisht si rrjedhojë e përgjysmimit të tatim-fitimit. Realisht u mblodhën rreth 6 miliardë lekë, rreth 13% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe rreth 60% më shumë se plani. Ndërsa tatimorët deklarojnë se këto rezultate kanë ardhur si rrjedhojë e korrektesës fiskale dhe zgjerimit të bazës së taksapaguesve...

...bizneset ankohen

Përgjysmimi i tatim-fitimit nga 20 në 10%, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, pritej të lehtësonte thuajse të gjitha bizneset në momentin e parapagimit të tatim-fitimit. Por, përfaqësuesit e biznesit dhe subjekte të veçanta ankohen se realisht nuk po ndodh aspak kështu. Sipas administratorit të organizatës së biznesit, Konfindustria, në disa raste është vënë re rritja e paracaktimit nga institucionet e fiskut të vlerës absolute të tatim-fitimit, që bizneset duhet të parapaguajnë, duke mos sjellë si rrjedhojë asnjë lloj përfitimi financiar për të. Edhe bizneset individuale vendase konfirmojnë se pagesat kanë qenë të njëjta me të vitit paraardhës dhe nuk po i shohin efektet financiare të përgjysmimit të tatim-fitimit.

Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Fasonistëve, Edmond Rusmajli, konfirmon për "Monitor" se bizneset kanë mundur të përfitojnë ulje vetëm përmes "presioneve" ndaj tatimorëve dhe jo spontanisht si rrjedhojë e ligjit. Në fakt, caktimi i parapagimit të tatim-fitimit nga tatimorët pothuajse çdo vit shndërrohet në konflikt mes tatimorëve e bizneseve, pasi këta të fundit ankohen se caktimi i parapagimit shpesh bëhet nga zyra me një të rënë të lapsit. Krahas kësaj procedure, këtë vit, biznesi po haset dhe me një presion për caktimin e normës së fitimit nga ana e tatimorëve, që sipas përfaqësuesve të biznesit shpesh është e bazuar në vlerësimet e tatimorëve dhe jo në një analizë të thelluar të industrisë përkatëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›