E Diel, 1 Nëntor 2026

Po sikur ta grasatojme "pakez" ekonomine?

Performanca e ekonomisë në përgjithësi dhe e sektorëve të saj në veçanti është e rëndësishme për të gjithë ne. Pikëpamje reale për performancën e ekonomisë krijohen kur bëhet një analizë e plotë e saj, analizë që në fund të fundit ka të bëjë me tre elementë:

a) nivelin e prodhimit kombëtar

b) nivelin e punësimit

c) nivelin e inflacionit.

Këto janë parametrat nga niset secili prej nesh kur analizon drejtimin e ekonomisë dhe kur bën vlerësimin për mënyrën e nivelin e jetesës. Duke analizuar konkretisht këto parametra, pa asnjë kompleks, duhet pohuar se makina e ekonomisë shqiptare në të tërë ingranazhet e saj pa asnjë përjashtim ka kohë që është e ndryshkur.

Ekonomia ndahet në sektorë të ndryshëm, sipas kushteve specifike që ka çdo vend, që përcaktojnë burimet e lëndëve të para dhe kushtet e mënyrën e riprodhimit të tyre, lokalizimin e popullsisë, veprimtaritë prodhuese dhe tregtuese në një territor të caktuar, konsumin e mallrave, shërbimeve dhe ideve etj. Kategorizimi i sektorëve të ekonomisë dhe numri i popullsisë që angazhohet me punë në çdo sektor tregon në një farë mase edhe distancën që kanë njerëzit nga mjedisi dhe burimet natyrore, si dhe llojet e bizneseve që mund të zhvillohen në një territor të caktuar. Në rastin e ekonomisë shqiptare, duke analizuar sektorët e saj dhe popullsinë e aftë për punë të angazhuar ose jo në secilin sektor, shikojmë se makina e ekonomisë tonë midis sektorëve apo ingranazheve të saj ka zënë ndryshk, ka edhe ca ingranazhe të dëmtuara pjesërisht dhe fatkeqësisht, ka edhe disa ingranazhe të dëmtuara plotësisht. Megjithatë, është një makinë që përsëri mund të bëhet për punë, por që të ndodhë kjo, makina ka nevojë për "pakëz" grasatim, riparim dhe ndërrim ingranazhesh.

Ingranazhet më të mëdha dhe kryesore të ekonomisë renditen si më poshtë:

Sektori primar i ekonomisë merret me nxjerrjen nga toka dhe nëntoka të lëndëve të para, materialeve bazë, ushqimeve bazë të papërpunuara dhe të disa produkteve të tjera bazë të papërpunuara. Veprimtaritë që e shoqërojnë këtë sektor janë bujqësia (si në fazën e mbijetesës, ashtu edhe në atë komerciale), minierat, pyjet, kullotat, gjuetia, peshkimi, nxjerrja e materialeve dhe e lëndëve të para për sektorin e ndërtimit etj. Edhe përpunimi dhe paketimi i lëndëve të para konsiderohet si pjesë e këtij sektori. Në këtë sektor, në rastin e vendit tonë, duket sheshit se bujqësia dhe aktivitetet e lidhura me të kanë më shumë prioritet, sepse me mineralet nuk mund të konkurrojmë me vende që i kanë ato në sipërfaqe apo fare pranë saj, dhuratë natyrore kjo që ka kosto më të ulët se ajo e nxjerrjes së mineraleve qindra e mijëra metra thellë nga nëntoka shqiptare. Problem për sektorin primar mbetet ripërshtatja e mënyrës së jetesës të popullsisë, e cila jeton në zona dhe veprimtari që po pësojnë axhustime institucionale dhe strukturore.

Ǒtë bëjmë? Zgjidhje ka. Përderisa territoret ku janë lokalizuar minierat joefektive dhe joeficente korrespondojnë me një pjesë të territoreve mesatarisht të mira bujqësore të vendit, popullsia e këtyre zonave, e cila e ka pasur punësimin në minierë si mjet jetese, duhet që sa më shpejt të përshtatet me një mënyrë tjetër jetese. Më shpejt dhe më lehtë në përgjithësi kjo popullsi mund dhe duhet të përshtatet kryesisht me mënyrën e jetesës në bujqësi e agrobiznes dhe, pjesërisht me tregti, transport, ndërtim etj. Në rastin konkret, dhënia e kredive për qëllime bujqësore dhe prodhim ushqimesh të përpunuara në zonat e sipërpërmendura merr përparësi për sistemin bankar në vend, sepse kjo bën që edhe portofoli i kredive të largohet nga skema e kredive konsumatore (e cila në fakt rrit inflacionin, duke bërë që kreditimi të drejtohet nga prodhimi, kryesisht i produkteve të agrobiznesit dhe atyre ushqimore, që me rritjen e ofertës ndikojnë në uljen e inflacionit dhe shmangien e krizës ushqimore).

Kjo mund të shtonte edhe shanset për realizimin e produkteve specifike, që kanë mundësi për eksport, duke gjetur kështu edhe ndonjë avantazh konkurrues e krahasues në rajon. Për këto zona e territore, me përparësi mbeten produktet bujqësore dhe ushqimore tradicionale, me specifikat lokale dhe kombëtare, që kërkohen mjaft në tregjet ndërkombëtare. Nga koncepti i zhvillimit, kjo mund të duket edhe si mospërputhje me sensin, pasi në përgjithësi popullsia rurale ka prirje të ulet e jo të shtohet, por për momentin kjo është një zgjidhje me pak kosto dhe realizon një rishpërndarje më të mirë të burimeve dhe të të ardhurave. Dhe ndërkohë shtohen edhe shanset për rritjen e prodhimit ushqimor.

Po roli i qeverisë këtu, cili është? Ajo duhet që të ndikojë në maksimum në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për ndërhyrje të thella e cilësore në këto zona, që do të rikonfigurojnë tregun për një periudhë afatmesme, si dhe do të rishpërndajnë më mirë investimet dhe të ardhurat në territorin e vendit, si një nga aspektet kryesore të menaxhimit të territorit e rritjes së nivelit të sigurisë në shkallë kombëtare, në të gjitha aspektet. Një nga ndërhyrjet më të thjeshta duhet të realizohet nëpërmjet punonjësve të shërbimit këshillimor bujqësor dhe ushqimor, në mënyrë që edhe ata që po i hyjnë një biznesi të ri të kenë shanse për një jetë më të mirë.

Një ndërhyrje tjetër mund të ishte riorganizim i skemave të përdorimit të tokës, duke marrë parasysh edhe sistemet "land use planning", bashkëngjitur me riorganizimin e fermerëve në shoqata prodhimi, përpunimi, tregtimi, kreditimi, gjë që do të krijonte një hapësirë më të gjerë e më konkurruese, krahasuar dhe me disa vende fqinje. Me përparësi mbetet rritja e sipërfaqeve dhe mjediseve të mbrojtura në bujqësi dhe rritja e sipërfaqeve me pemë frutore e vreshta. Por, që skema të funksionojë duhet që ata biznesmenë, të cilët importojnë produkte bujqësore e ushqimore, të rikonfigurojnë biznesin e tyre. Janë pikërisht këta biznesmenë që duhet të kenë mbështetje të shumanshme me informacion nga ana e shtetit dhe me kredi nga sistemi bankar, që të riorganizojnë biznesin e tyre, duke e konfiguruar atë me drejtim eksportin dhe jo importin. Këto ndërhyrje në këtë sektor krijojnë kushte për shtimin e produktivitetit në përgjithësi dhe për njësi pune në veçanti.

Sektori dytësor i ekonomisë është ai i prodhimit të mallrave përfundimtare (këtu përfshihet gjithë ajo çka përpunohet në vend për të prodhuar produkte kryesisht konsumi, madje edhe aktiviteti i ndërtimeve, përpunimi i metaleve, prodhimi i makinerive dhe pajisjeve, prodhimet tekstile, industritë kimike dhe inxhinierike, kapacitetet energjetike, prodhuesit e mëdhenj të pijeve alkoolike dhe ambalazhuesit e paketuesit e të gjitha produkteve likuide etj. Në këtë sektor të ekonomisë ka vend për përmirësime të shumta, si në mentalitetin e atyre që janë në këto biznese, ashtu edhe në krijimin e kushteve për hyrës të rinj në këtë sektor. Kreditimi për të shtuar prodhimin dhe ulja e barrës fiskale në këtë sektor të ekonomisë janë dy nga mekanizmat kryesore, që do të nxisin sektorin privat për shtimin e investimeve dhe gjetjen e produkteve, të cilët mund të realizohen në vend dhe mund të eksportohen, sepse për hir të së vërtetës, sektori sekondar në ekonominë shqiptare lë shumë për të dëshiruar.

Një rishikim i barrës fiskale, duke reduktuar taksat me përshkallëzim e nivele, duke marrë për bazë licencën dhe jo NIPT-in, do të ishte një mekanizëm mjaft frutdhënës për kalimin e situatës dhe reduktimin e efekteve të krizës ekonomike botërore në ekonominë kombëtare, por do të shërbente që edhe mungesa e avantazheve në tregun ndërkombëtar të kthehej në avantazh të ekonomisë shqiptare dhe të produkteve të realizuara nga sektori dytësor i ekonomisë vendase. Kështu do të ulen importet dhe në një shkallë të konsiderueshme edhe varësia e ekonomisë shqiptare nga ajo e vendeve të tjera. Do të ndikonte gjithashtu direkt në rritjen ekonomike që vjen nga rritja e prodhimit.

Duke u ndalur specifikisht në sektorin e ndërtimit, përparësi për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme marrin lehtësirat për tregun e banesave dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për rritjen e investimeve në segmentin e tregut të punimeve inxhinierike civile, që ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe jo në punime civile që shtojnë konsumin. Kjo ndërhyrje do të shpejtonte fillimisht qarkullimin e parasë ekzistuese në duart e qytetarëve në këtë sektor, duke shtuar nivelin e investimeve, që do frenonte hedhjen e parasë së re në treg për konsum dhe kështu frenohet në një masë të madhe rritja e çmimeve. Nga ana tyre, firmat e ndërtimit fitimet do t‘i investojnë më tej në ndërtime. Është shumë e rëndësishme që në këtë segment tregu të synohet një ulje e çmimeve të lëndëve të para dhe materialeve inerte, që përdoren në ndërtim e që vijnë nga sektori primar. Kjo mund të realizohet thjesht me një klasifikim të personave të tatueshëm mbi bazën e kapaciteteve prodhuese dhe parcelave që shfrytëzojnë për nxjerrjen e materialeve inerte. Por ka edhe metoda të tjera për klasifikimin e kompanive të ndërtimit dhe të prodhimit të materialeve inerte, sidomos në kohë krize.

Sektori terciar i ekonomisë është ai i shërbimeve. Është ky sektor që krijon shërbimet në përgjithësi, si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Aktivitetet që shoqërojnë këtë sektor janë shitja me shumicë dhe pakicë, transporti, shpërndarja dhe logjistika, bizneset e kënaqësive dhe relaksit (kinemaja, muzika, teatri, profesionet e vjetra të njerëzimit etj.), restorantet, shërbimet e ndryshme qytetare, media, turizmi, siguracionet, bankingu, shërbimi shëndetësor, shërbimet ligjore, konsulenca në nivel jo shumë special etj. Në shumë nga vendet në zhvillim, një përqindje në rritje e popullsisë së aftë për punë është e punësuar në sektorin terciar, por në kushtet e Shqipërisë duket se ky sektor ka arritur një farë pjekurie e zhvillimi dhe, ka pak shanse që në periudhën afatshkurtër të ketë me shumicë hyrës të rinj në këtë treg, hyrje, që në fakt do të kontribuonte si në shtimin e numrit të bizneseve, ashtu edhe shtimin e numrit të të punësuarve në këtë sektor.

Në kushte rritjeje të mirë ekonomike kur shpenzimet e individëve të një shoqërie marrin një fokus jo ushqimor, mund të flasim edhe për shtim të investimeve dhe numrit të bizneseve që hyjnë në sektorin terciar në mënyrë sinjifikative, por në kushtet aktuale kjo duket pak si e pamundur dhe nga ana tjetër për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, objektiv kryesor i ekonomisë shqiptare mbetet rritja e produktivitetit, rritje e cila për periudhën afatgjatë sjell rritje ekonomike. Për këtë sektor ia vlen të theksohet se hapësira e operimit mbetet interesante për sistemin bankar, sigurimet, transportin, shërbimet shëndetësore dhe turizmin, por orientimi i keq i këtyre bizneseve ka vite që nuk po e kanalizon ekonominë shqiptare në rrugë të drejtë. Këto sisteme biznesesh kanë hapësira nga më të ndryshmet për zhvillim dhe përsosje.

Për shembull, sistemi bankar dhe ai i sigurimeve duhet të orientohen nga dhënia e kredive nga ana e bankave për prodhim dhe jo për konsum, si një karakteristikë tipike e sistemeve bankare integrale, mbështetur këto kredi nga sisteme të zhvilluara e moderne siguracionesh. Shitja e bonove të thesarit nga niveli primar dhe ai sekondar bankar drejt publikut të përzgjedhur e shtyn në këto kushte të krijuara inflacionin në nivele të poshtme, sepse rrit interesat, ul kreditimin për konsum, ul shpenzimet dhe ul kërkesën, e cila ul çmimet në treg. Një kategorizim i bankave për një farë kohe për shembull, në ato që japin më shumë kredi prodhuese bujqësore dhe ushqimore, të cilat mund të mbështeten me një ulje të barrës fiskale në krahasim me ato që nuk japin kredi prodhimi bujqësor dhe ushqimor, mund të aplikohet pa asnjë frikë dhe pa asnjë fije dyshimi nga qeveria, pa iu dridhur aspak dora atij që do ta firmoste këtë ndërhyrje në formën e një akti normativ. Në sistemin e sigurimeve, aktet normative që vlejnë për kushtet e krijuara duhet të konsistojnë në detyrimin e kompanive të sigurimeve me masa tepër të ashpra ndëshkuese në rast se nuk dëmshpërblejnë klientët, të cilët nga ana e tyre duhet që përsëri me detyrim të bëjnë siguracionin e biznesit dhe të pronës pa asnjë dallim, por me një ulje të masës dhe nivelit të sigurimit, për shkak të kushteve të krijuara dhe nga ana tjetër shtrëngimin e kompanive të sigurimit që paratë e fituara (që për hir të së vërtetës janë mjaft të majme) të investohen kryesisht në aktivitete prodhuese dhe kapitalizimi, investime për të cilat ka mjete, rrugë dhe mënyra nga më të ndryshmet për t‘i vënë në lëvizje.

Sa për turizmin ia vlen të shtojmë se ky sistem sot në konceptin modern ekonomik konsiderohet si aktivitet eksporti, pasi të huajt konsumojnë mallra dhe shërbime nga më të ndryshmet në territorin e vendit ku shkojnë për turizëm dhe zëre se në vendin e tyre, ku ata jetojnë gjithmonë, konsumojnë produkte dhe shërbime nga vendi të cilin ata e vizitojnë, produkte dhe shërbime që duhet të eksportohen në vendet nga ku vijnë turistët në mënyrë që ato të bëhen të konsumueshme. Investimet në këtë sektor duhet që të shoqërohen me mbështetje të rritjes së produktivitetit nga ana e sektorit primar (bujqësia, blegtoria, peshkimi, gjuetia etj.), por edhe me një ulje të çmimeve të ndërtimeve të komplekseve turistike.

Sektori i katërt i ekonomisë konsiston në aktivitetet intelektuale, shoqëruar me qeverisjen në nivele të ulëta dhe të mesme, kulturën, bibliotekat, kërkimin shkencor, edukimin, teknologjitë e informacionit, konsulencën në nivel shumë të specializuar etj. Ky sektor është pothuajse i pashkelur nga ana e individëve të shoqërisë shqiptare. Në këtë sektor ka mjaft hapësirë për bashkëpunime me të huajt kryesisht për të vënë në lëvizje kapacitetet intelektuale vendase me objektiv për të krijuar sa më shumë vlerë të shtuar intelektuale me synim rritjen e prodhimit vendas, si dhe në teknologjitë e informacionit. Teknika e shtimit të eksporteve vendase nëpërmjet investimeve të huaja prodhuese me kushte fiskale lehtësuese për prodhimin e teknologjive të informacionit është një përvojë e njohur në tregun ndërkombëtar. Përparësi në këtë sektor merr edhe shtimi i investimeve në sistemin e edukimit, kryesisht në atë privat, si dhe patjetër rritja e nivelit të edukimit dhe e cilësisë së mësimdhënies. Investimet në edukim, më shumë se investimet në fushat e tjera, janë investime për të ardhmen.

Sektori i pestë, që disa specialistë të ekonomisë ende e konsiderojnë si pjesë të sektorit të katërt, përfshin nivelet e larta të marrjes së vendimeve në një shoqëri. Ky sektor përfshin majat e larta të marrjes së vendimeve dhe të ekzekutimit të tyre në fusha të ndryshme, zyrtarët e lartë, shkencëtarët e mëdhenj etj. Për këtë sektor ia vlen të theksojmë se ajo çka presin të tërë individët e shoqërisë shqiptare nga ata që janë pjesëtarë të këtij sektori është qartësia në marrjen e vendimeve, shpejtësia e adaptimit me kushtet e krijuara, aplikimi pa ekuivokë në praktikë i vendimeve të marra, kryerja e axhustimeve të nevojshme gjatë procesit të aplikimit në rast se bëhen gabime e ndodhin deformime, garantimi i principeve të demokracisë, vizion, largpamësi, gjerësi mendimi etj. Në aspektin konkret vendimet në nivel të lartë në kushtet e krijuara duhet të synojnë uljen në maksimum të shpenzimeve qeveritare dhe në marrjen e vendimeve që praktikisht të çojnë në veprime që duhet të realizojnë ulje të barrës fiskale dhe një kontraktim apo ngurtësim fiskal për bizneset për të cilat nuk mund të ulet barra fiskale, derisa ekonomia të marrë veten. Kjo shton të ardhurat, sepse duke ulur taksat apo duke mos i rritur ato, këto para do të shkojnë për investime dhe kështu rritet prodhimi, duke u rritur prodhimi ulen çmimet dhe kjo mban pagat në nivele të kënaqshme. Si rezultat në këtë fazë krijohen kushtet për të menaxhuar më mirë situatën, por nëse pas rritjes së prodhimit nuk menaxhohet situata, kjo sjell shtim të konsumit përtej aftësive kontrolluese dhe kështu çmimet do të vazhdojnë të rriten. Sa më lart në lidhje me uljen dhe/ose ngurtësimin e barrës fiskale nuk bëhet gjë tjetër veçse rritet shkalla dhe niveli i ekspansionit fiskal, e këshillueshme kjo nga mjaft specialistë të njohur të menaxhimit dhe të biznesit ndërkombëtar, gjë që në një kohë më të përshtatshme shërben edhe si një bazë e mjaftueshme dhe e përballueshme nga sektori privat për të rritur prodhimin.

Po me ekonominë informale ç‘të bëjmë? Edhe ekonomia informale është pjesë e ekonomisë shqiptare në të tëra nivelet e biznesit dhe në të tërë sektorët. Kjo ekonomi ndodhet e shpërndarë në pesë ingranazhet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe një pjesë e saj lëviz tërësisht kundër tempit dhe kahut të lëvizjes normale të ekonomisë dhe si e tillë duhet zëvendësuar, ndërsa një pjesë e saj, jo se është e tepërt në ekonominë tonë, por mjafton t‘i ndërrosh kahun e lëvizjes që ajo të shërbejë në rritjen e rendimentit të punës së makinës. Reduktimi i shkallës së informalitetit të ekonomisë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e risqeve që shoqërojnë ekonominë dhe bizneset e një vendi. Në këtë pikë duket sheshit se është tamam koha për një amnisti të plotë fiskale. Me kusht. Paratë të investohen në aktivitete prodhuese e jo të përdoren për mallra konsumi, në të kundërt do të ishte shkatërrim total i ekonomisë vendase, e cila ndoshta nuk do ta merrte veten kurrë, por do t‘i hapte edhe më shumë hapësira ekonomisë informale. A do ta mbajë përsipër qeveria këtë barrë vendimmarrëse, pavarësisht nga rezultati? Përfundimisht duhet theksuar se masat që po ndërmerren nga ana e qeverisë dhe duhet të ndërmerren edhe në të ardhmen e afërt në lidhje me grasatimin e ingranazheve të makinës së ekonomisë shqiptare duhet të shërbejnë në fund të fundit në përmirësimin e situatës në të tre elementët kryesorë: rritjen e nivelit të prodhimit kombëtar, rritjen e nivelit të punësimit dhe uljen e nivelit të inflacionit, lëvizje të cilat secili nga individët e shoqërisë shqiptare pret që t‘i prekë e t‘i ndiejë sa më shpejt në jetën e përditshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›