E Diel, 1 Nëntor 2026

Të blesh makinë, në Evropë apo SHBA?

Targat e Kalifornisë, Nju Jorkut, DC apo Delawere i has shpesh në rrugët e Tiranës, ndërsa duket se është "zbuluar" një treg i ri për importin e makinave. Rënia drastike dhe e vazhdueshme e vlerës së dollarit amerikan në këmbim me valutat e tjera, por edhe me lekun, duket se ka bërë të interesuar shqiptarët të importojnë makinat nga përtej Atlantikut. Një makinë e re në Shtetet e Bashkuara, që nuk bën pjesë në grupin e makinave të luksit, kushton nga 12 mijë dollarë, që këmbyer në euro kushton 7700 euro, ndërsa në Shqipëri 936 mijë lekë. Transporti nga ShBA në Greqi kushton rreth 1500 dollarë dhe në total rreth 2000 dollarë. Personat që kanë blerë makinat në tregun amerikan thonë se ia vlen një biznes i tillë dhe makina, pasi porositet, për një periudhë 1-2 mujore arrin në Tiranë.

Konkurrenca me BE-në

Ulja e kursit të dollarit dhe një kurs relativisht i stabilizuar i euros në raport me lekun i ka bërë shqiptarët të tërhiqen nga blerjet në dollarë të makinave të tyre të reja ose të përdorura. Edhe shumë shqiptarë që kanë jetuar në ShBA kanë zgjedhur "importin" ose "përdorimin" e makinave të tyre amerikane në Shqipëri. Ndërkohë në vendet anëtare të BE duket një ulje e lehtë e çmimit të makinave e ardhur kryesisht për shkak të politikave nxitëse për makinat e reja që ndotin më pak ambientin. Një raport i fundit i KE bën të ditur se konsumatorët në të gjitha shtetet anëtare kanë përfituar nga një rënie e ndjeshme e çmimit të makinave që shoqëroi inflacionin bazë në vitin 2007. Kjo lëvizje ka qenë më e dukshme në shtetet anëtare, që tradicionalisht kanë pasur çmime para-taksave më të lira, kështu që diferencimet e çmimeve përgjatë BE-së janë rritur disi. Megjithatë, kjo rritje e lehtë e shpërndarjes së çmimeve nuk është tregues i ndonjë rreziku potencial për konsumatorin, por kryesisht rezultat i rregullimeve përgjithësisht ndaj niveleve më të ulëta për çmimet e makinave. Për më tepër, indeksi i shpërndarjes aktuale është i ndikuar nga ndryshimi në datën e referencës për raportin e çmimit të makinave, nga lëvizjet e mëdha në monedhat e BE-së në vitin 2007 dhe nga prezantimi i regjimit të ri tatimor në disa shtete anëtare, duke përfshirë taksat e reja lidhur me dioksidin e karbonit (CO2).

Më të lira, më të shtrenjta

Nga vendet e BE-së, Gjermania është më e preferuara për shqiptarët për importin e makinave, si të reja, ashtu edhe ato të përdorura. Por, për çudi, raporti i fundit i KE bën të ditur se Gjermania mbetet vendi më i shtrenjtë në eurozonë për tregtimin e makinave, pasi 27 modele nga 87 të përfshira në raport, shiten në Gjermani me çmimet më të larta në eurozonë. Republika Çeke është vendi më i shtrenjtë ndër 27 shtetet anëtare të BE-së, me çmime 10.8% më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe 4.5% më të larta se në Gjermani. Brenda zonës së euros, Finlanda mbetet shteti më i lirë në terma të çmimeve para-taksave e më pas renditen Greqia e Sllovenia. Dy vendet e reja anëtare të eurozonës (Qipro dhe Malta), qëndrojnë pak nën mesataren e eurozonës (renditen përkatësisht në vend të gjashtë dhe të shtatë në terma të çmimeve të ulëta). Në BE në tërësi, Danimarka mbetet vendi më i lirë, me çmimet 4.4% më të ulëta se në Finlandë, e ndjekur më pas nga Estonia (1.5% më të ulëta se në Finlandë).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›