Kryeministri shpërndan certifikatat e para të legalizimeve
Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Edi Ramën se e ka kthyer kryeqytetin shqiptar në modelin e korrupsionit. Gjatë ceremonisë së organizuar nga ALUIZNI për shpërndarjen e certifikatave të para të legalizimit, Berisha deklaroi se Rama, nga frika se mos i zbulohen pazaret, nuk dorëzoi planin urbanistik të Tiranës. “Rama shkeli ligjin e urbanistikës, pasi u dha vetëm miqve hapësira publike”, - tha Berisha. Sipas tij, ndërtimet informale krijuan një hendek në shoqërinë shqiptare. Berisha vuri në dukje se janë mbajtur peng ndërtimet pa leje, si dhe është penguar dhënia e lejeve në mënyrë që kreu i bashkisë të vilte pandershmërisht pronarët e tyre. Ai e cilësoi Tiranën si modelin më të shëmtuar. “Imagjinoni qytetin e Tiranës në të cilin 10 mijë apartamente shtesa mbaheshin peng nga bashkia e qytetit për t`u vjelë dhe për t`u mjelë dhe për asgjë tjetër. Është e lehtë të qortosh dhe unë nuk jam kundër qortimit të komunave përreth, por nuk ke gojë të flasësh kur mban peng qendrën, kur në çdo rrugë dhe në çdo rrugicë ke toleruar dhe ke krijuar informalitetin dhe kjo vetëm për ta vjelë dhe për ta mjelë, për asgjë tjetër. Çfarë të pengonte të jepje lejen, çfarë të pengonte të regjistroje shtesën e pallatit me leje? Pra, fenomeni ka vuajtur shumë edhe nga kanceri i korrupsionit”, - deklaroi Berisha. Kryeministri përmendi edhe planin urbanistik të qytetit dhe kërkoi nga kryetari i bashkisë ta dorëzojë atë. Berisha tha se plani po mbahet peng për interesa të ulëta aferash korruptive. “Nuk dorëzohet plani se llokmat e tij duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë, i cili pasi vendosi këtu sistemin më të turpshëm të lejeve të ndërtimit, prej 355 ditësh dhe e renditi Shqipërinë në vendin e 176-të në botë, në rrethin e 9-të të ferrit të Dantes për korrupsionin, tani na mban peng qytetin dhe Tiranën me planin urbanistik, sikur ta kishte plaçkë personale dhe jo plan që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari, me jetën e fëmijëve tanë, ka të bëjë me jetën shoqërore, ekonomike e të gjithanshme të qytetit”, - tha Berisha i cili garantoi: “S’do të mund të përdorë dot një centimetër nga toka publike”, që sipas tij, ua ka dorëzuar disa kompanive të ndërtimit. Ai tha se plani është në interes të qytetarëve për të parandaluar abuzimin me territorin. Kryeministri u kërkoi edhe ndërtuesve të reagojnë dhe të mos bëhen palë me korrupsionin brenda bashkisë. “U ndala sepse është jashtëzakonisht e rëndë situata në Tiranë. Kemi respekt shumë për Shoqatën e Ndërtuesve, nuk kemi parë të kërkojnë planin se shumë prej tyre janë të lidhur kokë e këmbë sepse Edili është në krye të shoqatës. Ka marrë llokmat e veta, por ndërtuesit e tjerë, nuk duhet të kenë gjë. Zotërinj ndërtues, duhet të ngrini zërin tuaj, nuk duhet të kurboheni kaq”, - shtoi Berisha.
Memia: Nga legalizimet, 10 miliardë dollarë pasuri
Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, informoi dje se procesi i dhënies së titullit të pronësisë ka nisur në të gjithë vendin dhe në çdo qark do të nisë shpërndarja e tyre. Ai tha se në total janë shqyrtuar 275 mijë ndërtime pa leje, nga të cilat 36 për qind vetëm në Tiranë. Sipas tij, me dhënien e lejes së legalizimit, në treg do të çlirohen 10 miliardë dollarë pasuri të paluajtshme. Memia tha dje se me dhënien e certifikatës, nis edhe procedura e pagesave për ndërtimin sipas ligjit. Ai vuri theksin edhe në dëmshpërblimin financiar të ish-pronarëve të tokës. Kreu i ALUIZNI-t përmendi se në zonat bregdetare janë evidentuar 10 mijë ndërtime pa leje për të cilat pritet një ligj apo vendim për të përcaktuar fatin e tyre. “Për 6 620 apartamente dhe ambiente social-ekonomike informale të ngritura në ndërtime pa leje është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, janë shlyer nga poseduesit e tyre detyrimet financiare të procesit dhe është e mundur pajisja me lejen e legalizimit”, - tha Media. Sipas tij, nisur nga numri i përgjithshëm i objekteve informale të vetëdeklaruara, administrata e agjencisë ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për rreth 70 për qind të pasurive informale të vetëdeklaruara.
Legalizimet, 150 mijë dosje në mbarë vendin
Izeti banon në periferi të Tiranës dhe së bashku me vajzën ndodhej dje mes disa qindra qytetarëve të Tiranës të cilët morën lejet e para të legalizimeve, të cilat në mënyrë simbolike u dhanë nga Kryeministri. “Nuk kam pasur fat të merrja leje dhe ndërtova pa leje në tokën time. Tani me lejen e legalizimit shpresoj që të bëj ndonjë gjë me ndërtimin tim”, - tha Izeti, i cili më pas telefonoi mjaft të afërm të tij që mori lejen e legalizmit. Mbi 150 mijë qytetarë do të kenë fatin e Izetit, pasi dosjet e tyre janë gati për legalizim. Kryeministri Berisha garantoi se procesi i pronësisë do të shkojë drejt zgjidhjes së plotë dhe uroi qytetarët për tapitë e tyre. “Zgjidhja e problemit të legalizimeve është një kusht vendimtar në reformën e pronësisë. Reforma e pronësisë është reforma e themelit të sistemit që ne ndërtojmë. Në këtë aspekt asnjë reformë tjetër nuk ka rëndësinë e saj. U nis nga zero. U nis me një trashëgimi zyrtare jomiqësore ndaj këtij fenomeni. U nis në prani të mureve psikologjike. U nis në një kohë kur ky fenomen ishte i zhytur në një korrupsion të përmasave gjigande”, - tha Berisha.