Gjermania çon në SHBA “Shqipërinë në NATO”
Gjermania dërgon pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, në Uashington certifikatën e ratifikimit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në këtë mënyrë Gjermania përmbyll procedurat lidhur me anëtarësimin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Sipas një deklarate për shtyp të zëdhënësit për shtyp të ambasadës gjermane në Tiranë, thuhet: "Qeveria Federale e Gjermanisë është e bindur se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë". Gjithashtu, në këtë deklaratë shkruhet se qeveria federale do të vazhdojë të mbështesë e angazhuar Shqipërinë me masa konkrete. Ndër to përfshihen dërgimi i këshilltarëve nga Gjermania, shkëmbim personeli, mbështetje në fushën e arsimit, ndihma materiale dhe konsultime periodike mbi çështje që lidhen me politikat e sigurisë dhe ato ushtarake.