Qeveria hap 2430 vende të reja pune në institucione
Qeveria hap 2430 vende të reja pune në 12 institucione shtetërore. Këshilli i Ministrave miratoi dje shifrën e propozuar nga ministritë përkatëse, duke i dhënë okej kështu ndryshimit për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009 në disa ministri dhe institucione qendrore. Sipas relacionit të këtij vendimi që bëhet me propozim të ministrit të Financave, Ridvan Bode, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore është 2 430 punonjës. Në këtë mënyrë Këshilli i Ministrave u jep mundësi 12 institucioneve kryesore në vend të rrisin organikën e tyre me punonjës shtesë. Gjithnjë sipas relacionit, përjashtimisht për INSTAT-in dhe ALUIZNI-n është parashikuar që punonjësit me kontratë të merren për gjithë vitin ushtrimor 2009, për shkak të vetë specifikave të tyre. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se numri i punonjësve me kontratë dhe numri i punonjësve të miratuar në organika për vitin 2009 për ministritë dhe institucionet, nuk kapërcen numrin maksimal të punonjësve buxhetorë prej 107.000 punonjës të parashikuar në ligjin nr. 10025, datë 27.11.2008 ‘për buxhetin e shtetit të vitit 2009’, neni 10”.
Numrin më të madh të punonjësve me kontratë të përkohshme do ta ketë pikërisht Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e cila do të ketë 803 punonjës të rinj. Nga këta, 800 punonjës në pozicionin specialist do t’i ketë ALUIZNI, i cili do të nënshkruajë kontrata 6-mujore me ta. Pas Ministrisë së Punëve Publike, institucioni i dytë me numrin më të madh të punonjësve është Instituti i Statistikës, i cili do të punësojë 378 punonjës. Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të punësojë 190 punonjës me kontratë të përkohshme, nga të cilët 111 do të jenë teknikë, laborantë dhe topografë dhe që do të nënshkruajnë kontrata 1-vjeçare me këtë ministri. Përveç institucioneve qeveritare, edhe disa prej institucioneve të pavarura u është miratuar shtimi i organikës. Kështu, Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë 40 punonjës më shumë, nga të cilët 28 janë pastruese, 4 banakiere dhe 8 kuzhinierë. Sipas relacionit, një pjesë e këtyre punonjësve paguhen nga të ardhurat e institucionit. Gjykata Kushtetuese do të ketë dy vende pune për roje, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës do të ketë vetëm një vend më shumë në pozicionin ‘punonjës shërbimi’. Instituti i Statistikave kërkon të punësojë në total 378 punonjës anketues, por periudha e punësimit të tyre nuk kalon 4 muaj. Nga këta punonjës 191 prej tyre kërkohen të kontraktohen për periudhë 1-mujore. Mesatarisht, ky institucion kërkon gjatë gjithë vitit 190 punonjës me kontratë”.