Buxhet me miell hua
Ervin Bushati*
Buxheti tashmë i miratuar për vitin 2010, përmban një sërë problemesh të trashëguara dhe një bashkësi të konsiderueshme me gabime të reja. Ulja e ritmeve të rritjes do të ndihet patjetër në llogaritë e buxhetit të shtetit. Ngadalësimi i ekonomisë do ta ulë mbledhjen e taksave, duke përkeqësuar deficitin. Nëse kihet parasysh rritja e shpenzimeve për investim në infrastrukturë në 2009, të cilat mund të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm, parashikohet të ketë një deficit publik mjaft më të lartë se 5 përqindëshi i GDP-së. Në këtë kuadër, Qeveria do të detyrohej t’i bënte ballë një situate aspak të lehtë për popullatën e saj, aq më tepër në rast se do të dojë të arrijë në vitet e ardhshme piketat e nevojshme për të hyrë në Bashkimin Evropian. Parashikimet më të fundit të FMN, Bankës Botërore, BERZH dhe të shumicës së institucioneve financiare, janë në sinkron për një tkurrje të ndjeshme të ekonomive më të mëdha në Amerikë, Evropë dhe Azi. Nuk është realiste të vazhdosh të flasësh për skenarë euforikë të një zhvillimi dy shifror në Shqipëri, për më tepër kur ekonomia jonë tërësisht e hapur dhe pa një profil të balancuar. Në këto rrethana të qarta stresi ekonomik është papërgjegjësi të mos kuptosh, analizosh dhe të marrësh masa konkrete për të përballuar tronditjen që pritet të arrijë dhe në tregun tonë në një të ardhme të afërt. Qeveria mund të shikojë me optimizëm përpara por, gjithashtu, duhet të parashikojë dhe të planifikojë për rastet më pak fatlume. Skenarët aspak optimistë të këtyre organizmave dhe të shteteve të prekura flasin për një ekonomi direkt të prekur nga kriza financiare, jo vetëm në vendet e pasura por dhe për ato në zhvillim. Shumë nga këto vende po paraqesin skenarë të ardhshëm ekonomik për ndikimet që do të ketë kriza dhe si mund të ndërhyjnë qeveritë përkatëse për të amortizuar përplasjen e pashmangshme me krizën globale. Disa qeveri janë më aktive dhe disa po sillen më të ndrojtura, kushtëzuar kjo dhe nga potenciali ekonomik në dispozicion sipas rasteve konkrete.
Në periudhën më të errët ekonomike në këta 30 vitet e fundit po shohim lëvizje të koordinuara ndërkombëtare për të evituar rënie të nivelit të jetesës dhe rritje të shkallës së papunësisë. Mbledhjet e G20 në prani të FMN dhe Bankës Botërore mbahen me përgjegjësi nga shumica e qeverive në botë. Ndërkohë qeveria jonë, me një lëvizje paranojake për momentin e vështirë që kalojmë, kërkoi largimin e FMN nga supervizioni profesional i menaxhimit të fondeve publike në Shqipëri, aq më tepër në vitin e kaluar elektoral. Mbi të gjitha, dinamikat afatgjata dhe të deficitit janë në përputhje me objektivin strategjik për të arritur hyrjen në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme. Nga kjo pikëpamje, duken mjaft shqetësuese zhvillimet për 2009 dhe perspektiva e 2010. Në fakt, është kyç që ekuilibri bazë të ruhet sepse (1) favorizon një shteg rritjeje të qëndrueshme dhe të shtrirë në kohë; (2) nëse nuk do të kryhen reformat e nevojshme për të rritur dinamizmin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë, niveli i rritjes rrezikon të zvogëlohet (në këtë këndvështrim duhet të rriten ndjeshëm shpenzimet për arsimin, nga shkolla fillore e deri në universitet); (3) së fundi, Shqipëria gjendet sot e përfshirë në një kontekst ndërkombëtar jo të favorshëm, i cili do t’i vendosë nën trysni llogaritë publike. Në të ardhmen është më e shëndetshme të stabilizohen investimet publike në infrastruktura rrugore dhe portuale, duke i shtrirë në forma partneriteti publik-privat investimet shtesë. Për sa u takon më specifikisht perspektivave për dyvjeçarin e ardhshëm, është e mundur të pritet një përkeqësim domethënës në një pjesë të gjerë të borxheve, për shkak të ciklit lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet, si pasojë e investimeve kushtuar rrugës Rrëshen-Kalimash në këto vite dhe në të ardhmen. Për sa u takon financimeve publike, kjo kërkon përfshirje politikash dhe kryesisht elementi i parë do të kërkonte që të rikthehet shpejt nën kontroll defiçiti publik dhe teprica parësore. Nga ana tjetër, është normale që të shtyhet zgjatja mesatare e borxhit, për të mos rrezikuar lëvizje të forta nga normat ndërkombëtare të interesit. Rritja e rrufeshme e borxhit publik e bën shqetësuese alternativën e një zhvillimi të strukturuar dhe harmonik për ekonominë shqiptare dhe në të ardhmen e afërt, sepse ekonomia jonë mbahet me punën tonë të përditshme. Lëvizjet e pamatura të qeverisë sonë e kanë rritur riskun e ekonomisë sonë duke çuar në një rritje galopante të normave të interesit në huamarrje, si u pa dhe vitin e fundit kur Shqipëria u kualifikua me parashikim negativ dhe një shkallë “BB+”, nga JCR Rating në Prill 2009. Çdo stimulim anormal dhe i pamatur mirë do të krijonte kushte të një deficiti të papërballueshëm dhe me pasoja reale në kapacitetin tonë për huamarrje në shtëpinë tonë të përbashkët ekonomike. Me të drejtë shprehja e njohur është: “Nuk mbahet shtëpia me miell hua”.
*Nënsekretar për Programin në PS