Berisha: Trupa shtesë në Afganistan
TIRANE- Shqipëria është gati të dërgojë trupa shtesë në Afganistan. Kryeministri Berisha theksoi dje në një konferencë për shtyp se Tirana zyrtare do të çojë një numër ushtarësh në këtë rajon, në përputhje me politikën e SHBA-ve. Ai bëri të ditur se vendimi do të merret pas konsultimeve me Aleancën. “Ne do të diskutojmë me NATO-n dhe jemi të gatshëm të dërgojmë një kompani shtesë. Siç premtova sekretares së Shtetit Klinton në takimin me të, ne jemi të gatshëm ta përmbushim zotimin tonë. Jemi të gatshëm gjithashtu edhe në konceptimin e ri të Presidentit Obama të kontribuojmë jo vetëm ushtarakisht në mënyrë modeste në këtë vend”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë përshëndeti përmes një dalje para mediave 26 vendet anëtare të Aleancës, të cilat ratifikuan brenda një periudhe të shkurtër Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas tij, mbyllja e këtij procesi brenda një periudhe të shkurtër dëshmon besimin e qeverive të këtyre vendeve ndaj reformave të ndërmarra nga Shqipëria. “Nga data 9 korrik deri në 17 shkurt, gjashtë muaj dhe 10 ditë 26 vende anëtare të NATO-s ratifikuan në parlamentet dhe senatet e tyre, Protokollin e Anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO dhe përfundimi i procesit në një kohë rekord dëshmon për një besim dhe vlerësim të Shqipërisë nga vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të planetit. Kjo aleancë ka për kritere themelore, kriteret e shtetit ligjor, shoqërisë së lirë, ekonomisë së lirë të tregut. Aleanca ka edhe kriteret ushtarake”, theksoi Berisha. Sipas kreut të qeverisë “ftesën e Shqipërisë për në NATO dhe finalizimin e Protokollit e bënë të mundur reformat e gjithanshme të kësaj qeverie. Suksesin e këtyre reformave e bëri të mundur shembja e murit të krimit të organizuar, e bëri të mundur shembja me një luftë të pakompromis të sistemit të kleptokracisë, e bëri të mundur fryma e bashkëpunimit luajal me opozitën dhe respekti ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri”, u shpreh më tej kryeministri Berisha. Duke u rikthyer mbrapa në kohë, pikërisht në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, Berisha tha se në atë periudhë premtoi vetëm marrjen e ftesës për anëtarësim dhe jo mbylljen e këtij procesi pasi vendi vuante nga problemet e mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dy vendet e fundit, të cilat mbyllën procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ishin Holanda dhe Greqia. Në këtë mënyrë, gati një muaj e gjysmë para samitit të ardhshëm në NATO-s, Shqipëria ka kryer të gjitha procedurat, duke pritur vetëm mbledhjen e Samitit për të zyrtarizuar anëtarësimin.