Mediu: Duhet të ndjekim rrugët ligjore që ligji të bëhet i mundur
Ligji i Dosjeve u hartua duke marrë në konsideratë praktikat më të mira, por edhe e mira nuk është absolute. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu foli dje në një intervistë për gazetën “Panorama” lidhur me vendimin e fundit të Kushtetueses për pezullimin e ligjit të dosjeve si dhe hetimin e Prokurorisë për Gërdecin.
Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë zbatimin e ligjit të Dosjeve? Si e gjykoni këtë vendim?
Ajo që kemi kërkuar si maxhorancë është që do zbatohet principi i konfliktit të interesit dhe në këtë rast ka qenë evident. Megjithatë, meqenëse flasim në një demokraci kushtetuese parlamentare, është e drejta e këtyre institucioneve kushtetuese të bëjnë gjykimin e tyre. Siç e theksoi edhe Kryeministri Berisha pavarësisht se ne kemi bindjen se nuk është një vendim i drejtë bazuar në këtë princip të konfliktit të interesit, vendimi i kësaj gjykate do të jetë një vendim i detyrueshëm për t’u zbatuar nga maxhoranca dhe Parlamenti dhe për të parë të gjitha hapat dhe rrugët ligjore për të bërë të mundur një ligj, që të jetë në përputhje me kërkesat jo vetëm të së djathtës, por edhe vlerat morale që duam t’i japim shoqërisë shqiptare.
Që nga inicimi i këtij projektligji ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga ndërkombëtarët për të bërë kujdes që ai të jetë brenda kornizës kushtetuese. A duhet të ishte treguar më e matur maxhoranca në këtë drejtim?
Ne ecim akoma me idenë e një shteti të së kaluarës dhe jo të një shteti funksional. Maxhoranca bëri punën e vet, prezantoi një ligj në Kuvend, i kërkoi konsensus opozitës, e cila në mënyrë të vazhdueshme e ka akuzuar maxhorancën për pjesëmarrje në të, të elementëve të Sigurimit të Shtetit. Shumica prezantoi një ligj, opozita e refuzoi, më pas u votua në Parlament, kaloi me heshtje nga Presidenti i Republikës, pra nuk u refuzua por u pranua dhe janë institucione të tjera që marrin pozicionin e tyre brenda një shteti demokratik. Në këtë aspekt maxhoranca ka bërë punën e vet në raport me detyrimet e saj politike dhe morale, sipas gjykimit që ajo ka.
Po, por a duheshin marrë në konsideratë deklaratat e komunitetit ndërkombëtar para se ligji të votohej?
Mendoj se ne kemi qenë shumë të vëmendshëm gjatë gjithë procesit. Kemi marrë eksperiencën nga vendet e Evropës Juglindore dhe kemi theksuar në mënyrë të vazhdueshme, që është një ligj që nuk ecën në drejtim të rihapjes së çështjeve apo penaliteteve siç është në disa vende, por të një lloj ligji lustrimi që ka të bëjë me integritetin për të qenë pjesë e administratës publike. Mendoj që morëm në konsideratë praktikat më të mira. Por asgjë nuk mbart në vetvete absoluten, edhe më e mira ka më të mirën.
Mendoni se e gjithë kjo do të ketë kosto për maxhorancën në prag të zgjedhjeve të përgjithshme?
Nuk mendoj se do të ketë kosto morale. Nëse flasim, flasim për një vlerë morale që duhet të ketë politika në institucione, ky ishte qëllimi i ligjit. Mendoj se kemi vepruar brenda frymës ligjore institucionale dhe kemi respektuar atë në mënyrë maksimale. Nuk besoj se Shqipëria është i vetmi vend që ka debate për çështje të tilla. Edhe në vende të tjera ka debate akoma më të agravuara në sensin politik. Nëse maxhoranca e sotme do merrte një veprim për të mos vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë mund të thuhet që ka një konflikt.
Në një fjalim që mbajtët pak ditë më parë në Parlamenti, pasi ishit pyetur në prokurori, folët për luftë brenda llojit. E kishit fjalën këtu për zotin Topi?
Unë nuk kam vlerësuar as Presidentin Topi as të tjerë. Ka pasur kolegë të maxhorancës që nuk kanë pasur ndonjë interes të veçantë për ngjarjen, ashtu sikurse ka pasur kolegë të opozitës që kanë shumë vlerësues dhe dashamirës për punën që është bërë. Unë prej kaq vitesh në politikë njoh edhe luftën politike edhe luftën brenda llojit. Brenda llojit e konceptoj edhe raportin që ndërton Prokuroria në gjithë procesin e hetimit.
Përse gjatë gjithë kësaj periudhe e konsideroni hetimin të motivuar politikisht? Keni diçka konkrete?
Kam dhënë dorëheqjen, kam lënë imunitetin, kam kërkuar me shkrim që të pyetem. Për më shumë se një vit s’jam pyetur dhe kam bërë çdo gjë në përputhje me moralin politik dhe në respekt të viktimave, por s’mund të pranoj që të ndërtohen akuza krejt të pabaza. Më thoni ju, pas një viti çohen 40 veta për gjykim dhe kur çon 40 veta për gjykim do të thotë që nuk ka pasur hetim të çështjes, sepse ndryshe do akuzohej gjithë ky grup për organizatë kriminale, nuk mund të akuzohej për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Ky është nonsens.