KQZ ngre 66 KZAZ, zgjedhjet do menaxhohen nga 528 persona
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor, me 528 anëtarë me gjithë sekretarët. Mbi bazën e ligjit zgjedhor ishin përcaktuar që në shkallë vendi do të kishte 66 KZAZ, të cilat ishin shpërndarë sipas numrit të zgjedhësve në shkallë republike. Për këto zgjedhje ka qenë Kuvendi që e ka përcaktuar mënyrën e ndarjes së KZAZ-ve. Në bazë të relacionit të KQZ-së, çdo Zone të Administrimit Zgjedhor i korrespondon nga një numër rendor dhe shorti hidhet në bazë të parimit, KZAZ-të e renditura me numër tek i caktohen një partie, dhe KZAZ-të e renditura me numër çift i takojnë një partie tjetër. Mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve, PD dhe PS kanë të drejtën e marrjes së kreut të KZAZ-së, të ndarë në mënyrë të barabartë. Fillimisht u ndoq procedura për të përcaktuar se cilës nga këto dy parti i takon e drejta për të tërhequr goglën nga shorti i dytë, për ndarjen e KZAZ. Në vazon e parë ishin dy gogla të së njëjtës ngjyrë, brenda së cilës ndodheshin emrat e subjekteve PD dhe PS. Punonjësi i KQZ-së, pas tërheqjes së goglës, ka rezultuar se PD-së i lind e drejta e tërheqjes së njërës prej goglave ku ishin shkruajtur “tek” ose “çift”. Përfaqësuesja e PD-së, pas nxjerrjes së goglës nga vazoja ka rezultuar se partia që aktualisht ka pushtetin do të ketë maxhorancën e KZAZ-ve me numër çift. Nga kjo ndarje rezulton se në qarkun e Dibrës, gjithsej me pesë KZAZ, dy do të drejtohen nga opozita dhe një nga maxhoranca. Ndërsa në qarkun e Fierit me gjithsej 7 KZAZ, 4 do të drejtohen nga PD-ja dhe tre nga PS-ja. Ndërsa në qarkun e Gjirokastrës, dy KZAZ do t’i drejtojë PS dhe një PD. Në Kukës, dy prej komisioneve janë nën drejtimin e PD-së dhe një i takon PS-së. Ndërsa socialistët kanë më shumë KZAZ në qarkun e Lezhës me 2 komisione të tilla, ndërsa një i takon demokratëve. Në qarkun e Shkodrës do të ketë 5 KZAZ, ndërsa demokratët do të drejtojnë tre prej tyre dhe dy u takon socialistëve. Të gjitha qarqet e tjera i kanë KZAZ-të me numrat çift dhe janë ndarë në një numër të barabartë ndërmjet PS-së dhe PD-së. Qarku i Tiranës do të ketë 16 KZAZ, ku tetë do të ketë PS dhe po aq dhe PD-ja. Numri i anëtarëve të KZAZ-së është shtatë, të cilët, duke përjashtuar kryetarin, janë zgjedhur sipas formulës së KQZ-së. Dy anëtarë nga PD, dy anëtarë PS, nga një anëtar janë të PR dhe PSD.