E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Anglia: Qeveria të reflektojë

 

BLEDAR HOTI
“Unë mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep qeverisë shqiptare një mundësi për të reflektuar se cila do të jetë mënyra më e mirë për të ecur përpara. Dhe si miq të qeverisë shqiptare, ne do të punojmë me ta në përpjekjet për të gjetur këtë rrugë përpara”. Kështu ka deklaruar në konferencën për shtyp, Ministri britanik kundër krimit, Vernon Coaker. I shoqëruar nga ambasadori i Britanisë në Tiranë, Coaker kërkoi një zgjidhje kushtetuese për mënyrën e zbatimit të ligjit të Lustracionit. “Ne i kuptojmë shumë mirë ndjenjat që ekzistojnë në Shqipëri për disa gjëra të tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën. Disa prej torturave dhe vrasjeve që u kryen, dhe mënyrën se si Shqipëria tani po përpiqet të ecë përpara. Edhe Kryeministri na shpjegoi se sa të forta ishin këto ndjenja në vend. Pra unë mendoj se është pozicioni ynë, dhe pozicioni që Ambasadori është përpjekur të transmetojë, është se ndërsa përpiqeni të gjeni një rrugëdalje  për të kaluar dhimbjen dhe tmerrin, ne duhet ta gjejmë mënyrën e duhur për ta bërë këtë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet”, deklaroi Coaker. Ai theksoi se “mendoj se Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe mendoj se populli shqiptar duhet përgëzuar për këtë, po ashtu edhe politikanët”. “Ka sigurisht sfida, ka sigurisht probleme, por përpos tyre, do të ketë zgjedhje më 28 qershor dhe do të ketë një debat të zakonshëm mes partive politike, për mënyrën se si ato e shikojnë të ardhmen, dhe do të jetë në dorën e popullit shqiptar që të vendosë nëse ata do të zgjedhin mënyrën më të mirë për të ecur përpara. Por Shqipëria duhet të jetë krenare për progresin që ka bërë”, tha Ministri britanik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›