E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Durrës-Kukës, vepër madhështore

 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, bashkë me deputetë të kësaj force vizitoi nga afër punimet e rrugës Durrës-Kukës, një ditë pas një-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Meta e cilësoi rrugën Durrës-Kukës si rrugën që bashkon Kosovën me Shqipërinë.
“Kjo vepër madhështore, e cila bashkon Shqipërinë me Kosovën, bashkon shqiptarët dhe i integron ata me njëri-tjetrin, por do të bashkojë shqiptarët me të gjithë popujt e Ballkanit, duke realizuar kështu një ëndërr për integrimin ndërmjet shqiptarëve dhe duke dhënë një kontribut për vetë integrimin e Ballkanit”, tha Meta. Kreu i LSI-së mori dhe një angazhim konkret gjatë kësaj vizite. “Ne angazhohemi, që në rast se kjo rrugë nuk përfundon deri më 28 qershor, dhe ne dëshirojmë të përfundojë, jemi këtu të shprehim angazhimin tonë që kjo rrugë në qeverisjen e ardhshme të përfundojë sa më shpejt, sepse i gjithë ky investim, i gjithë ky shfrytëzim që është bërë, duhet të kthehet në mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe Ballkanin”, tha Meta.
Inspektimi
Kreu i LSI-së ka mbërritur paraditen e djeshme në Reps e më pas në Thirrë, në tunelin më të gjatë në Ballkan, përmes një moti të rënduar me dëborë dhe ngrica. Meta shoqërohej nga nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, nga deputeti Ndre Legisi, si dhe nga kandidati për deputet i LSI në Qarkun e Kukësit, Zef Çupi, së bashku me anëtarët e Kryesisë Dritan Ylli dhe Gjovalin Bushi. Pasi kanë vizituar kampin e Repsit, Meta dhe deputetët e tjerë që e shoqëronin kanë udhëtuar drejt Thirrës, ku nis dhe tuneli me dy kalime, me një gjatësi prej 6 kilometrash. Meta është informuar nga stafi inxhinierik se tunelit i kanë mbetur dhe 630 metra linear, ndërsa janë shprehur të kënaqur me ritmin e punimeve dhe pse koha nuk i ka ndihmuar shumë që të nisin hedhjen e asfaltit. Meta ka parë dhe realizimin e montimit të disa prej urave të larta të këtij segmenti. Meta e ka cilësuar këtë rrugë si rrugën e integrimit që do të nxjerrë zonat e veriut nga varfëria. “Eshtë një vepër e standardeve më të avancuara evropiane, dhe padyshim është një ogur shumë i mirë edhe për të ardhmen evropiane, edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën, si dhe të vetë Ballkanit.
Do të thosha që është një vepër shumë integruese, pasi e bashkon dhe e lidh më shumë si asnjëherë tjetër Veriun e Shqipërisë, që ka qenë i izoluar për shkak të mungesës së kësaj rruge me pjesën jugore të vendit, i bashkon vendet malore, Alpet tona të mrekullueshme me bregdetin tonë të jashtëzakonshëm. Është një vepër e cila i jep jetë dhe të ardhme jo vetëm Kukësit, Mirditës, Hasit, Tropojës, por gjithë veriut të Shqipërisë”, tha Meta. Vetëm një ditë pas 1 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovë, Meta tha se rruga Durrës-Kukës do të integrojë ndër të tjera edhe Serbinë. “Është një vepër, që do të na bashkojë dhe do të na afrojë shumë edhe me Serbinë. Jam i sigurt dhe i bindur për këtë, sepse në fund të fundit rruga është urbanizim, civilizim dhe një rrugë e standardeve të tilla pa dyshim që sjell edhe një evoluim në mentalitetin e të gjithë ne ballkanasve. Do të na ndihmojë kjo rrugë e standardeve evropiane, që të mendojmë më shpejt edhe si evropianë, të sillemi në këtë mënyrë dhe në të gjithë jetën tonë të realizojmë standarde të tilla evropiane”, tha Meta.

Ftesa
Kreu i LSI-së ftoi deputetët e opozitës të vizitojnë rrugën, pasi sipas tij, kjo është rruga e shqiptarëve. LSI është e vetmja parti e majtë që viziton punimet në rrugën që do të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, edhe pse është thënë disa herë nga përfaqësues të Partisë Socialiste se do ta vizitonte atë. Opozita i është përgjigjur negativisht ftesës së përsëritur të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në dy ekskursionet që ka zhvilluar Parlamenti shqiptar me deputetët e tij.

Akuzat
Meta kërkoi nga politika që të mos ndërhyjë në punën e drejtësisë. “Drejtësia të bëjë punën e vet dhe ne e mbështesim atë në këtë drejtim, por ne nuk duhet të ngatërrojmë këto çështje, sepse janë dy çështje krejtësisht të ndryshme. Kjo rrugë do të jetojë shumë më tepër sesa Ilir Meta, Edi Rama,  Sali Berisha apo Lulëzim Basha. Kjo është një rrugë, për të cilën shqiptarët paguajnë çdo ditë nëpërmjet taksave të tyre”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›