Periferia e Tiranës, kushte skandaloze në ambulanca
ZIRINA LLAMBRO
Qendrat shëndetësore në periferi të Tiranës janë jashtë standardeve. Jo aq për infrastrukturën, sa për shërbimin që ofrojnë. Mungesë të energjisë elektrike, të ujit, shtretërve e aparaturave e moszbatim të orareve nga ana e mjekëve dhe pagesa nën dorë. Këto janë vetëm një pjesë e problemeve. Ndonëse reforma e shërbimit parësor është përfolur jo pak, probleme madhore hasen brenda perimetrit të kryeqytetit. Në këtë mënyrë vihet një pikëpyetje akoma më e madhe për qytetet e tjera të vendit. Mangësitë e theksuara i ka evidentuar sëfundmi Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Gjatë muajit janar është monitoruar shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë. “Gjatë periudhës së vëzhgimit u vunë re mungesa të theksuara të energjisë elektrike, që vazhdonte nga disa orë në ditë ose dhe gjithë ditën. Qendra shëndetësore në zonën e Kafes së Rremës, prej 5 vjetësh ishte pa drita”, ka konkluduar KSHH-ja. “Si rezultat i kushteve, mjekët në qendra shëndetësore në Bathore nuk kishin veshur uniformën e tyre. Gjithashtu në disa prej poliklinikave mungonte furnizimi me ujë ose në ato qendra që kishte ujë, ai nuk ishte i pijshëm”, thuhet në raport. Në të theksohet se shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë është i kufizuar në kohë. Të gjitha qendrat shëndetësore punonin deri në orën 14: 40 dhe 1 orë pasdite për kryerjen e injeksioneve. Vaksinimi i fëmijëve mbetet problem në këto zona, për shkak të shkallës së ulët të sensibilizimit të banorëve. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i tyre janë të pasiguruar e të papajisur me librezë shëndetësore. Sipas KMSH-së, kjo ndikon në mospasqyrimin e punës së mjekëve të familjes, por nga ana tjetër kjo procedurë mund të jetë burim korrupsioni.
Mangësitë
Në disa raste, vëzhguesit e KShH-së evidentuan se mjekët nuk ishin në ambientet e punës gjatë orarit zyrtar, madje kishte pika shëndetësore, si ajo në zonën e quajtur Kafja e Rremës e cila ishte e mbyllur. “KShH mori ankesa nga banorët se disa mjekë, sidomos në zonën e Babrrusë, punojnë në klinikat private gjatë orarit zyrtar. Pretendime gjithashtu janë shprehur dhe për disa raste korruptive, kur qytetarët janë detyruar të paguajnë për të marrë shërbimin shëndetësor”, bënë me dije vëzhguesit. Një problem tjetër, problem i evidentuar, është çështja e dypunësimit të mjekëve në klinikat private, të hapura në zonën e Bathores dhe të Babrrusë. “Për këto klinika i rekomandojmë institucioneve përkatëse të bëjnë verifikimet, nëse janë ose jo të lincensuara nga Ministria e Shëndetësisë”, theksojnë drejtuesit e Komitetit të Helsinkut. Në raport vërehet gjithashtu se në të gjithë zonën e Bathores dhe të Babrrusë nuk ka asnjë laborator shtetëror për kryerjen e analizave më të thjeshta si: urinë e gjak dhe një aparat për bërjen e Echo-ve, duke cenuar kështu të drejtën e pacientëve për të përfituar shërbim shëndetësor parësor. “Pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, banorët ishin të detyruar që analiza të thjeshta t’i bënin me para në klinikat private të hapura në këto zona”, nënvizojnë vëzhguesit.
Problemet në poliklinika
Mungesë të energjisë elektrike
Qendra shëndetësore në zonën e Kafes së Rremës 5 vjet pa drita
Mangësi me kartelat e të sëmurëve
Të gjitha qendrat shëndetësore, punë deri në orën 14:40
Nuk ka qendër urgjenca
Mjekët e dypunësuar në klinika private
S’ka laborator për analizat
Gratë shtatzëna nuk përfitojnë falas mjekimin profilaktik
Nuk punohet për planifikimin familjar
Problem lindjet premature, si pasojë e kequshqyerjes
Numër i lartë lindjesh të paregjistruara
Vaksinimi i fëmijëve nuk kryhet si duhet.
Banorët e pasiguruar e pa libreza
S’ka mjekë pediatër në poliklinika
Numër i ulët i infermierëve