Berisha: Turistët ikën nga zhurmat
Etleva DeliaKryeministri Sali Berisha kritikoi dje në analizën vjetore të punës së policisë për vitin 2009, qëndrimin e forcave të rendit ndaj zhurmave akustike. Duke iu adresuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Berisha u shpreh: Verën që shkoi, unë ju garantoj ju se shumë turistë janë larguar nga marrëzia e zhurmës së tmerrshme akustike, që nuk ndodh askund në botë përveçse në Shqipëri, në një vend ku ka ligje për këtë. “Qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme, për të pushuar në Shqipëri, largoheshin sepse nuk mund të qëndrohej”, u shpreh kryeministri. Sipas tij, policia në këtë rast ka treguar neglizhencë. Kreu i Qeverisë i është drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj, duke i bërë të qartë se në shumë raste kryeministri informohet se policia heziton të mbështesë përmbaruesin në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. “Kjo është e papranueshme për ne. Gjykatësi i ka dhënë vendimin përmbaruesit. Duhet të dini një gjë, që si agjenci e zbatimit të ligjit, çdo mosfunksionim në përputhje me ligjin i veprimtarisë suaj dëmton në thelb shtetin ligjor në Shqipëri”, tha Berisha. Kryeministri ka ngritur si problem shqetësues edhe qëndrimin që mban inspektori i policisë ndaj shkelësit të ligjit. Berisha tha se kushdo që shkel ligjin, zyrtar apo jo, duhet të marrë faturën imediate nga ana e policisë, për veprimin që ka kryer. “Unë ju garantoj ju se, në këtë hallkë keni dhe një potencial të madh për parandalimin e krimit”, u shpreh kryeministri.VRASJETGjatë analizës së policisë, një fakt i vlerësuar edhe nga Kryeministri Berisha, ishte numri në rënie i vrasjeve gjatë vitit 2009. Ndryshe nga 15 vitet e shkuara, në vitin 2009 kanë ndodhur 79 vrasje dhe nga këto vetëm 9 nuk janë zbuluar. Sipas statistikave të policisë, rezultojnë ende pa autor, vrasja e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, Kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka, e biznesmenit nga Vlora, Genci Habazaj. Pa autor është edhe vrasja e taksistit Ramazan Hyka, emigrantit Shpëtim Xhelollari, Ramazan Dorzit dhe kambistit Astrit Cubi, të ndodhura në Tiranë, si dhe të Ilir Lekës në Lushnjë e Olsi Currit në Shkodër. Lidhur me vrasjet, kryeministri Berisha tha se Qeveria ka ndaluar me ligj kambizmin në rrugë, por në arkivat e policisë ka disa vrasje kambistësh dhe sipas tij, në këtë rast kur një kambist vritet përgjegjësia është e policisë. “Nuk mund të ketë indiferencë. Askush më shumë se qytetarët nuk e paguajnë indiferencën e policisë ndaj zbatimit të ligjit, ndaj shkelësit të ligjit. Nuk ju mungon përkushtimi dhe as guximi. Por, zoti Drejtor i Përgjithshëm është e domosdoshme që në radhët e policisë të luftohet ky qëndrim”, tha kryeministri Berisha.MINISTRI BASHASipas Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Policia e Shtetit në tërësi gjatë vitit të kaluar i përmbushi angazhimet dhe programin e Qeverisë. Basha përmendi kryesisht misionin e ruajtjes dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor 2009, luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar. Më tej, ministri ka shtuar se ka gjithsesi reforma të tjera të mbetura në vazhdim për Policinë e Shtetit, siç është ajo e Policisë Rrugore që mbetet ende një sfidë për t’u realizuar. “Sigurimi i rrugëve dhe aksidentet rrugore mbeten një problem ende kryesor, por edhe rritja e krimeve ndaj pronës mbetet përsëri një sfidë”, u shpreh Ministri i Brendshëm, Basha.Kriminaliteti 2009 79 vrasje, 9 të pazbuluara 334 të vdekur në aksidente 64 më shumë sesa në 2008 5 milionë euro asete të sekuestruara 4 milionë euro të bllokuara nga Pastrimi i Parave 10 operacione ndërkombëtare kundër trafikut të drogës 90 persona të kërkuar të ekstraduar 185 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar 410 raste krimesh të konstatuara në pikat kufitare 16 vepra të vjetra penale të zbuluara“Oficeri që ndihmoi Dritan Dajtin, më kriminel se ai”TIRANE - Gjatë analizës së djeshme të punës një-vjeçare të policisë, kryeministri Sali Berisha ishte i vetmi që përmendi rastin e vrasjes së 4 oficerëve të policisë, vitin e kaluar gjatë operacionit për kapjen e Dritan Dajtit në Durrës. “është korrupsioni ai që shërbeu si kusht kryesor për vrasjen barbare të 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e Durrësit. Ishte inspektori i policisë, ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti duke u bërë bashkëfajtor apo dhe më shumë kriminel sesa ai. E dhashë këtë shembull për të ilustruar këtu se sa jetike është lufta kundër korrupsionit”, u shpreh gjatë fjalës së tij dje në analizë, Kryeministri Berisha. Më tej, ai tha se policia ka meritën e saj, duke qenë se, gjatë këtyre viteve ka luftuar me vendosmëri korrupsionin dhe lidhjet me krimin në radhët efektivave të Policisë së Shtetit. Por, sipas kryeministrit, rasti i ngjarjes së Durrësit, ku mbetën të vrarë oficerët, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, nga dora e të shumëkërkuarit Dritan dajti, dëshmon se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë. “Këto ditë, këto muaj, falë punës tuaj, përkushtimit tuaj, janë përballur me ligjin punonjës të të gjitha institucioneve, përfshi gjykatës dhe prokurorë dhe unë ju përgëzoj. Nuk duhet të tërhiqeni para asgjëje, para cilitdo në këtë luftë. Qeveria ka ndërmarrë reformat më të thella për të parandaluar korrupsionin dhe ato janë evidente, por pa punën tuaj, pa penalizmin e zyrtarëve të korruptuar, lufta kundër korrupsionit bëhet thjesht një iluzion”, u është drejtuar Berisha punonjësve të policisë. Më tej, Berisha ka përmendur se në 90 për qind të rasteve të falsifikimeve e përvetësimeve janë pushtetarët ata që kanë ndarë interesat me mafien. e.dDajti në qelitë e 302, lë Spitalin e BurgjeveTIRANE – Transferohet në paraburgimin 302 Dritan Dajti, familjarët ankohen për mungesën e kushteve spitalore në qeli. Kështu, mbrëmjen e së dielës Dajti është transferuar nga qelia ku mbahej në Spitalin e Burgjeve në një qeli të veçantë në paraburgimin 302 në kryeqytet, pasi mjekët kanë pohuar se shëndeti i tij ka shkuar drejt përmirësimit. E ndërsa ka mbërritur në paraburgim Dajti ka nisur grevën e urisë duke refuzuar ushqimet, ndërsa duke pretenduar se ishte i paaftë ka refuzuar të komunikojë me autoritetet e burgut. Të kontaktuar dje autoritetet e burgut pohuan se ishin përpjekur t’i krijonin kushte maksimale të paraburgosurit duke ndjekur me përpikëri porositë e mjekëve të Spitalit të Burgjeve, për sa i përket respektimit të mjekimeve, trajtimin ushqimor dhe atë higjienik të tij. Ndërkohë familjarët e Dajtit, iu drejtuan dje me ankesë Avokatit të Popullit dhe OJQ-ve për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se i akuzuari për vrasjen e katër policëve vjet, më 8 gusht në Durrës gjatë aksionit për arrestimin e tij, kishte nevojë për qëndrim në Spital ku veç kushteve më të mira atij i jepej ndihmë e specializuar mjekësore. fa.ma.