Memoriali i shenjtores në vend të statujës së ish-diktatorit
Humanistja shqiptare, Nënë Terezë, do të ketë një tjetër memorial në Tiranë. Me shumë gjasë mund të ngrihet atje ku 20 vjet më parë ndodhej monumenti i ish-diktatorit Enver Hoxha, apo në ndonjë shesh tjetër kryesor në kryeqytet. Me urdhër të kryeministrit Sali Berisha është vendosur ngritja e një Komisioni Shtetëror për “Realizimin e Memorialit të Nënë Terezës” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, që është më 26 gusht të këtij viti. Mësohet se po në bazë të këtij urdhri, në përbërje të Komisionit do të jenë figura të rëndësishme të kulturës, por edhe përfaqësues institucionesh, të cilët do të mundësojnë realizimin e kësaj vepre. Ndonëse afati kohor në dispozicion është tepër i ngushtë, parashikohet që programi dhe projekti i memorialit të jetë gati për 26 gushtin, kur dhe do të vendoset guri i parë në themelet e kësaj vepre, e cila mendohet të jetë e përmasave të mëdha. Kryetar i këtij Komisioni Shtetëror është emëruar zv/ministri i Turizmit dhe Kulturës, Nikoll Lesi, i cili ka zhvilluar mbledhjen e parë këto ditë në ambientet e MTKRS-së. Në mbledhje ka qenë e pranishme edhe zonja Liri Berisha, si presidente e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”. Mbledhja e radhës do të zhvillohet sot, ku do të diskutohet e vendoset nga Grupi i Punës, vendi ku do te ngrihet memoriali. Në varësi të vendit do të hartohet edhe projekti arkitektonik i tij, i cili do të kalojë në disa filtra si nga Grupi i Punës, ashtu dhe nga oponenca profesionale në këtë fushë, e përbërë nga arkitektë, skulptorë, njerëz të artit e të politikës, media, etj. Sipas idesë fillestare, memoriali mund të jetë në një vend të dukshëm e të rëndësishëm të Tiranës. Për ngritjen e tij ka pasur shumë propozime, një ndër të cilët është edhe disi më provokues. Sipas këtij propozimi, memoriali duhet të vendoset në qendër të Sheshit “Skënderbej”, atje ku ka qenë busti i diktatorit Enver Hoxha. Një tjetër propozim është të vendosen në sheshin që mban të njëjtin emër, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës. Sipas kësaj ideje, ndërhyrja do të jetë më radikale, pasi pretendohet prishja e shatërvanit dhe mbi të të ngrihet memoriali, i cili nuk do përbëjë thjesht një shtatore, por një muze e qendër kulturore. Ky variant do të duhej të kalonte në shumë komisione e këshilla kombëtarë, pasi duhet kujtuar që Sheshi “Nënë Tereza” është pjesë e Ansamblit të Monumenteve të Kulturës (së bashku me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kompleksin e ministrive, Akademinë e Arteve, Korpusin universitar, etj), të cilat janë në mbrojtje nga shteti. Ky shesh është pjesë e projektit të vjetër italian, që përbën dhe një nga trashëgimitë monumentale të Tiranës dhe si i tillë, do të duhet të përballojë një oponencë të fortë. Megjithatë bëhet fjalë vetëm për një ide. Duket se idetë për të nderuar figurën e Nënë Terezës kanë qenë nga më të larmishmet dhe sakaq, puna ka nisur për seleksionimin e projekt-ideve. Pas këtyre proceseve, grupi i punës do të paraqesë te kryeministri Berisha projektin përkatës, shoqëruar dhe me faturën financiare, që do të shlyhet nga buxheti i shtetit. Ngritja e këtij memoriali do të jetë vetëm një nga elementët që do të shoqërojë 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Ky vit, në Shqipëri e Kosovë është shpallur si “Viti i Nënë Terezës” e me këtë rast do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore e përkujtimore.