E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, gjuha ngre tensionet mes shqiptarëve e maqedonasve

 Tensioni mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe Shkupit zyrtar është rritur që pas vendimit të Qeverisë mbi mësimin e gjuhës maqedonase që në klasë të parë, edhe pse grupi shqiptar në koalicion ishte kundër. Takimet e shoqatave jo-qeveritare shqiptare me Ministrin e Arsimit kanë dështuar, pasi ai nuk është lëkundur nga vendimi i tij, që nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhen maqedonase që në klasën e parë dhe jo në të tretën. Edhe takimi i liderëve të partisë shqiptare në koalicion, BDI, me kryeministrin Gruevski nuk ka gjetur rezultatin e dëshiruar për palën shqiptare, madje kryeministri Gruevski, jo vetëm që ka mbrojtur kategorikisht ministrin maqedonas të arsimit, por ka përdorur në favor të tij rekomandimet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë çështje. Shkollat shqiptare e kanë bojkotuar këtë vendim, duke vazhduar me planin e vjetër mësimor. As gjatë fundjavës bisedimet mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së nuk sollën rezultat, por vazhduan me deklarata kundërthënëse lidhur me vendimin e Ministrit të Arsimit, Nikola Todorov. Ishte kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, ai që drejtpërsëdrejti provokoi situatën e krijuar pas vendimit të Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë, duke filluar që nga klasa e parë. Gruevski ka dalë në mbrojtje të Ministrit të Arsimit, Nikola Todorov, dhe kundër qëndrimeve të BDI, duke theksuar se të gjithë filloristët shqiptarë duhet të mësojnë gjuhën maqedonase. Kryeministri maqedonas ka theksuar se në një takim me përfaqësues ndërkombëtarë të mbajtur në muajin gusht, bashkësia ndërkombëtare i kishte rekomanduar Qeverisë që edhe fëmijët e komuniteteve të tjera jo-maqedonase, duhej ta mësonin gjuhën maqedonase. “Ata vërejtën se nuk është mirë që të rinjtë të mësojnë gjuhë të huaja nga klasa e parë, si për shembull gjuhën angleze, ndërkaq gjuhën maqedonase nga klasa e tretë. Prandaj i sugjeruan qeverisë që ta shqyrtojë mundësinë që gjuha maqedonase të mësohet nga klasa e parë. Kjo ndodhi në një takim me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, në të cilin i shqyrtuam të arriturat nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi kryeministri Gruevski, ndërsa po shprehte keqardhjen për atë se, siç tha, një bashkësi etnike nuk po e zbaton vendimin. Ndërkohë, zëvendëskryeministri shqiptar, Abdilaqim Ademi, ka përsëritur qëndrimin e tij se në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë, më 19 gusht, nuk ka pasur vendim, por vetëm rekomandime. Mirëpo, përkundër kësaj, ministri Todorov edhe të shtunën ka qenë i prerë se mësimi i gjuhës maqedonase është një vendim qeveritar, e jo i tij si Ministër i Arsimit. Më e ashpra në reagime ka qenë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, e cila ndërsa po komentonte vlerësimet e kryeministrit Gruevski, ka theksuar se “në mënyrë arrogante dhe gabimisht po interpretohen sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare”. Sipas saj, sugjerimet e ndërkombëtarëve ishin që të ketë mësim të ndërsjellë, e jo që vetëm shqiptarët të mësojnë gjuhën maqedonase. E tërë kjo situatë e tensionuar ka bërë që të përshpejtohet takimi i radhës mes kreut të BDI, Ali Ahmeti, dhe atij të VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, gjë që është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministri Ademi. Në takimin që do ta pasojë atë të javës së kaluar, Ahmeti do të kërkojë llogari dhe korrektësi nga Gruevski për deklaratat e tij publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›