Tragjedi ajrore në Liban, vdesin 90 persona
Një avion i “Ethiopian Airlines” me 83 pasagjerë në bord dhe 7 anëtarë të ekuipazhit ka rënë në detin Mesdhe, pak pasi është ngritur nga Bejruti. Avioni është zhdukur nga radarët pak minuta pas nisjes nga Aeroporti i Bejrutit në drejtim të kryeqytetit të Etiopisë, Adis Abeba. Sipas një përgjegjësi të fluturimeve në Bejrut, një top i zjarrtë është shfaqur në momentin e përplasjes në det. Nuk ka të mbijetuar. Kufomat e të paktën 24 personave që humbën jetën nga rrëzimi i avionit janë nxjerrë nga deti. Avioni u rrëzua në Detin Mesdhe, në afërsi të kryeqyteti të Libanit, Beirut. Edhe dëshmitarë thanë se kishin parë një shtëllungë të madhe zjarri, që u përplas në det dhe me të gdhirë disa nga pjesët e aeroplanit të rrëzuar dukeshin që nga bregu. Operacioni i shpëtimit u drejtua nga flota detare libaneze. Kombet e Bashkuara, të cilat kanë një mision paqeruajtës në Liban, kanë dërguar dy anije dhe helikopterë shtesë për këtë operacion. Ministri libanez i Transportit tha se ndër pasagjerët ishin edhe dy shtetas britanikë dhe një kanadez. Shumica e pasagjerëve ishin shtetas libanezë dhe etiopianë. Kryeministri i Libanit ka shpallur një ditë zie kombëtare. Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të aeroplanit. Burime të aeroportit thanë se aksidenti mund të ishte shkaktuar nga moti i keq. Në Bejrut ka pasur reshje të shumta dhe aeroplani u nis mes stuhisë.