E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i pakontrolluar, copëtohet në galeri minatori

Rikthehen aksidentet me humbje të jetës së minatorëve në minierën e Bulqizës. Një minator i kësaj miniere ka humbur jetën vetëm pak orë pas mesditës së djeshme, kur dhe do përfundonte turnin e tij të punës, në rrethana ende të paqarta. Minatori Ivzi Veseli, 47 vjeç, baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, ka ndërruar jetë në galeritë e thella të minierës, nga shpërthimi i minave. Ai erdhi të punojë si minator në këtë minierë vetëm një vit më parë nga fshati Herebel i Komunës Maqellarë. Viktima po punonte për hapjen e vrimave të minave në nivelin XVI të pusit nr.2, rreth 800 metra nën tokë, ku dhe ka gjetur vdekjen nga shpërthimi i minave. Trupi i pajetë i tij është dërguar në morgun e spitalit të Bulqizës, për t‘iu nënshtruar një ekspertize të hollësishme nga grupi i ekspertëve mjekoligjorë të ngritur me këtë rast.

Për mungesë ekspertësh nga ky spital është dashur të pritet me orë të tëra ardhja e tyre nga spitali i Burrelit. Ndërkohë, policia nuk ka nxjerrë deri në mbrëmje asnjë version të saktë për shkaqet e ndodhjes së këtij aksidenti të rëndë. Zjarrmëtari që ka qenë me viktimën ishte shumë i shokuar për të sqaruar saktësisht se si ka ndodhur plasja e minave, kur dihet se këto plasje janë elektrike. Zjarrmëtarë të kësaj miniere shprehen për gazetën "Shqip" se me plasjen elektrike minat ose shpërthejnë të gjitha, ose nuk shpërthen asnjë prej tyre. Kështu sfumohet mundësia e mbetjes së ndonjë kapsolle të paplasur dhe minatori mund të ketë provokuar me martel gjatë hapjes së vrimave shpërthimin e saj. Ndaj, shtohet misteri i këtij shpërthimi, që i mori jetën 47-vjeçarit, Ivzi Veseli. Edhe drejtues të administratës së minierës nuk shprehen për mundësinë e ndodhjes së aksidentit, por ndërkohë drejtori Petrit Duva pohon se në minierë, pas aksidenteve të rënda të ndodhura kryesisht gjatë vitit të kaluar, kur në këtë minierë humbën jetën 13 minatorë, janë marrë masa për sigurimin e jetës së minatorëve, ku firma e huaj ruso-austriake, "Albanian Chrome" (ACR) ka bërë investime të dukshme në këtë drejtim. Ndërkohë, aksidenti i ditës së djeshme është i treti për këtë vit në këtë minierë, ku kanë humbur jetën po nga shpërthimi i minave edhe minatorët Hysen Elezi dhe Avni Duriçi. Me aksidentin e ditës së djeshme shkon në katër numri i personave që humbin jetën për marrjen nga nëntoka të mineralit të kromit gjatë këtij viti, ku tre të tjerë, Nevruz Gjoka, Xhevat Bulqiza dhe Hekuran Gjeta, gjetën vdekjen në stoqet e kromit.

Për koincidencë, familja Veseli nga Herebeli i Maqellarës, merr nga miniera e Bulqizës viktimën e dytë, pasi po në galeritë e kësaj miniere, para viteve ‘90 ka gjetur vdekjen duke u copëtuar i tëri pa iu gjetur kufoma edhe vëllai i Ivziut. Gjithsesi, tragjedia e radhës me humbje të jetëve të minatorëve, ndodhur dje në minierën e Bulqizës, zbeh dukshëm bindjen që ishte krijuar për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë për minatorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›