Uidhers: Ndryshoi kursi i historisë
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi dje se populli amerikan zgjodhi kandidatin më të mirë midis dy figurave të shquara të politikës. Në ambientet e hotel "Rogner" ai mori pjesë në mëngjesin postzgjedhor, duke krijuar atmosferën e presidencialeve 2008. Kreu i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri dha vlerësimet e rastit për zgjedhjet e kandidatit me ngjyrë, Barak Obama si President i 44-t i Shteteve të Bashkuara. "Këto zgjedhje kanë ndryshuar kursin e historisë", u shpreh ambasadori Uidhers. Shumë vite më parë, shtoi ai, Martin Luter King shprehu ëndrrën për një Amerikë ku njerëzit të mos gjykoheshin prej ngjyrës, por prej përmbajtjes. "Senatori i Illinois, tashmë Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte guximin të bënte realitet ëndrrën e Luter King", nënvizoi Uidhers. Ai sqaroi se senatori Xhon MekKein është një nga amerikanët më të shquar të brezit tonë, një njeri me një karakter dhe integritet të tillë, që kur pati mundësinë të lirohej nga burgu në të cilin mbahej në Vietnam, ai zgjodhi të mos lirohej, por të vazhdonte të vuante së bashku me bashkatdhetarët e tij të burgosur. Senatorin Barak Obama, tashmë Presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, ambasadori Uidhers e cilësoi si një afroamerikan që pati guximin të shpresonte. "Zgjedhja u bë mes këtyre dy amerikanëve të shquar mbështetur në çështje, ide dhe në projektet e qeverisjes së tyre, dhe zgjedhja u bë mbi bazën e përzgjedhjeve të këtyre çështjeve, pa treguar asnjë lloj mospërfillje apo mungese respekti ndaj kandidatit tjetër", nënvizoi Uidhers. Duke folur për ndjesinë si qytetar i SHBA-ve, pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit të tij, Uidhers solli përpara audiencës disa vargje të një kënge që skllevërit shekuj më parë kishin si refren. "Në rrugën time, për në tokën e premtuar/ Dëgjoj nga Parajsa/ Zoti do të më zgjasë dorën e tij të djathtë/ Dëgjova këtë mëngjes nga Parajsa/ Unë ndihem sikur qëndroj përkrah bashkëqytetarëve të mi/ dhe ne po prekim dorën e Zotit", përfundoi Uidhers. Deklarimet e ambasadorit u bënë në aktivitetin e organizuar nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, gjatë natës së zgjedhjeve deri paraditen e djeshme, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit. Uidhers zgjodhi t‘i drejtohej medias dhe të pranishmëve në këtë aktivitet, jo si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, por si një qytetar amerikan dhe si një votues amerikan.